Sigal

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka inspektuar punimet e rrugës “Faik Konica” që lidh stadiumin “Qemal Stafa” me Fakultetin e Gjeologjisë. Ky segment është kthyer në një nga rrugët më të bukura të Tiranës, e cila shërben edhe si pedonale. Veliaj tha se se falë vizionit dhe këmbënguljes, sot Tirana ka një nga rrugët më të bukura, e shtruar me kalldrëm dhe mermer. Ai falënderoi edhe qytetarët që bashkëpunuan dhe mundësuan që ky investim të bëhej sipas të gjitha standardeve.

Veliaj: Për të gjithë ata që duan të shohin vizionin se si e planifikojmë Tiranën, një rrugë e tillë e cila mund të kthehet dhe të konvertohet edhe në hapësirë pedonale me piston për të pasur një panair ushqimor, një treg fshatar, gjatë fundjavave, pra për t’i pasur rrugët shumëpërdorimshe, jo vetëm si pista për të xhiruar gomat, por edhe si hapësira ku komuniteti mund të mblidhet dhe nga rrugë mund të rikthehet në pjacë, në një pjacë lineare, ku njerëzit kalojnë kohën e tyre të lirë. Jam shumë i lumtur që ky projekt pilot i shtrimit të rrugëve me kalldrëm, ku për herë të parë kemi bordura mermeri, ku kemi investuar nga e para të gjitha rrjetet bashkëkohore, duke nisur nga fibrat optike dhe deri tek kanalizimet, besoj që e ka ngritur standardin e punëve publike në qytetin e Tiranës dhe nga përshtypjet që morëm nga banorët duket tamam si jashtë shteti.