Sigal

Zwdhwnwsja e Partisw Demokratike, Ina Zhupa i kërkoi zyrtarisht ambasadorit të BE-së Luigi Soreca që t’i sigurojë asaj mbrojtje fizike në një nga vendet e Bashkimit Europian.

“Dje njoftova publikisht qe do i drejtohesha me nje kerkese Ambasadorit te BE, Shkelqesise se tij Z. Luigji Soreca. Sot kerkesen e kam derguar dhe po e publikoj per transparence”.

Teksti i plote i letres:

Drejtuar : Shkëlqesisë së tij, Ambasador, Z. Luigi Soreca.
Delegacioni i Bashkimit Europian
Aba Center, Rr. Papa Gjon Pali II

Fort i nderuar Shkëlqesia juaj, Ambasador Soreca

Ju drejtohem me këtë letër si qytetare e këtij vendi, si një vajzë, si një pedagoge e shqetësuar për ngjarjen e fundit në Shqipëri në dhunimin e një vajze Xhisiela Maloku. Jemi njohur, ashtu si edhe ju besoj, nëpër medias me një dëshmi të tmerrshme dhune ndaj një vajze. Por ndryshe nga raste të ngjashme ku për viktimën gjendet drejtësi në polici dhe në prokurori e më pas në gjykatë, në këtë rast nuk është kështu sepse dhunuesi rezulton të jetë djali i një deputeti, që përfaqëson partinë në pushtet. Dhunuesi, Rexhep Rrahja, djali i deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rrahja u arrestua vetëm dy muaj më vonë, pasi u desh dëshmia publike e një nënkomisari që është në azil pas presioneve të personave politike që do ta vrisnin po të merrej me zbardhjen e çështjes.

Duke mos dashur të bëj asnjë grimcë politike me këtë çështje dhe pse çështja është thelbësisht e veshur me pushtet politik, dua të mbështetem në njohuritë tuaja të thella për standardet e vendeve të Bashkimit Europian duke ju sjell në vëmendje këto pyetje:

Në cilin vend të Bashkimit Evropian vajza shoqërohet në komisiariat nga dhunuesi kur merret në pyetje?
Në cilin vend të Bashkimit Evropian vajzes nuk i merret dëshmia për dhunë nëpër komisariate?
Në cilin vend të Bashkimit Evropian dhunuesi nuk arrestohet në kushtet e flagrancës sipas ligjit menjëherë sapo vajza bën dëshminë?
Në cilin vend të Bashkimit Evropian kryeministri kërcënon hapur një nënkomisar apo qoftë edhe një qytetar se “nuk do i ndahemi këmba këmbës atij horri”?
Në cilin vend të Bashkimit Evropian dhunuesi në kërkim policor dhe me precedentë penal hyn e del i lirë nga komisariati i policisë?
Në cilin vend të Bashkimit Evropian dhunuesi arrestohet 2 muaj më vonë, vetëm pasi është bërë çështja publike?
Në cilin vend të Bashkimit Evropian vajza e dhunuar detyrohet të shfaqet në studiot televizive dhe të deklaroj se është vetë djegur me cigare?

Me siguri Ju ashtu si edhe une e dini që në asnjë vend me standarte europiane dhe me shtet ligjor funksional nuk ndodh kjo.

I nderuar Ambasador, në këtë rast dhune duket qartë përfshirja e shtetit dhe presioni i madh politik mbi çështjen. Shteti nuk funksionoj në dëshminë e saj të parë, as në dëshminë e saj të dytë, por duket sikur levizi diçka e vogël vetëm në presionin e madh publik pasi çështja u bë e njohur mediatikisht. Babai deputet i djalit po tregon që ka shumë pushtet politik që mbron djalin e tij dhe bën presion mbi vajzën.

Sipas dëshmisë së parë së vajzës ai duhet të procedohej për plagosje me dashje (dhuna), armëmbajtje pa leje dhe tentativë për marrëdhënie seksuale me dhunë nën kërcënimin e armës. Me këto vepra ai denohej dhe nuk mund ti pezullohet dënimi. Ndërkohë që me perndjekjen si akuzë zyrtare ndaj tij mund te denohet vërtetë por gjykata ka mundësi që ti pezulloje dënimin dhe ta verë nën shërbimin e provës.

I nderuar Ambasador, ne sot kemi nje nënkomisar policie si Emiljano Nuhu në azil,i cili mori guximin të fliste vetëm kur ishte jashtë shtetit shqiptar dhe larg presionit për jetën. Nënkomisari ishte një zoteri që BE dhe SHBA e kishin vlerësuar për punën e tij, i nderuar nga policia e shtetit për aksionet e tij të rëndësishme si i infiltruar. Edhe pse mund të kishte gjithë autoritetin shtetërore që të vepronte, nuk arriti dot sepse u kërcënuar dhe u detyrua të largohet. Si mund të besojmë ne që një vajze 25 vjeçe, e rritur dhe që jeton ende në një province, që jeton vetëm me nënën dhe me motrën, të marr guximin të ripranoj publikisht dëshmine e saj të pare dhe ti dal kundra njerëzve me pushtet?? Asnjëherë nuk mund ta bëj këtë, sepse jeta e saj dhe e familjes së saj është në rrezik.

Besoj se edhe Ju, si çdo qytetar shqiptar ndani shqetësimin e thellë lidhur me shfaqen e mbrëmshme më prime time në dy Televizione Kombëtare të vajzës së dhunuar. Në standartet më minimale europiane fytyra e vajzës nuk duhet të ishte shfaqur në tv kombëtare. Por në fakt fytyra e saj tregonte qartë dhunën, shantazhin dhe frikën e saj. Dje në të vërtetë nuk pamë Xhisielen, por ishte fytyra e vërtetë e pushtetit të sotëm, e parlamentit, e policisë dhe e prokurorisë. Dje ata konsumuar aktin e fundit të trajtimit ç’njerëzor të vajzës së dhunuar.

Xhisiela Maloku, mendoj se është detyruar të dal në media dhe të pranoj që ka mashtruar në dëshminë e parë, që është vetëdhunuar, të gjitha deklarime që sipas avokateve penalist ndodhin shpesh kur vajzat e dhunuara janë në presion dhe nën frikën për jetën.

Për sa më lart ju paraqes kërkesën time që ta ndihmoni me anë të zyrave tuaja përkatëse që vajza të ketë mbrojtje dhe të sigurojë azil politik në një nga vendet e BE, bashkë me nënën dhe të motrën e saj. Vajza ka nevojë më shumë se kurrë për mbrojtje.

Ajo nuk është thjesht një rast dhune, ajo nuk është një ngjarje nga ato që mund të ndodhin në çcdo vend, por është dëshmi e një realiteti të frikshëm që kërcënon çdo vajze, çdo nëne, çdo grua. Ajo është pasqyrë e realitetit të sotëm ku politika është mbi ligjin, ku krimi vishet me imunitet politik, e ku politikani imponon policinë dhe drejtësinë.

Mbrojtja e Xhisielen Maloku, nuk është thjesht mbrojtja e nje individi por është garanci për të dhënë drejtësi. Është garanci që askush nuk mund të qëndroj mbi ligjin, pavarësisht pushtetit politik. Në fund të fundit a nuk është kjo drejtësia që Bashkimi Europian kërkon të vendoset në Shqipëria, a nuk është ky një standart europian që e meritojnë qytetarët shqiptar.

Duke shpresuar që ta merrni sa më shpejt në konsideratë mbrojtjen e Xhisielen, nënës dhe motrës së saj, me konsideratë të larta ju uroj nje mision të mbarë në Shqipëri.

Me respekt
Ina K. Zhupa