Imuniteti ngelet për në vjeshtë

681
Sigal

Kuvendi/ PD-PS miratojnë me unanimitet Reformën Zgjedhore, LSI abstenon

Kuvendi miratoi dje me konsensus kodin e ri elektoral, me 127 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenime. Votën e tyre kundër e kanë shprehur ministri Mediu dhe deputeti Oketa, ndërsa kanë abstenuar 3 deputetët e LSI, Nasip Naco, Vangjel Tavo, Lefter Koka. Drafti i saj u miratua me konsesus më 11 korrik nga dy forcat më të mëdha politike në vend, PD e PS. Pas shumë debatesh, palët politike arritën kompromisin dhe për tre çështjet e mbetura pezull të reformës zgjedhore: riformatimi i KQZ-së, procesi ankimor dhe teknologjia e numërimit të votave në zgjedhjet e ardhshme.  Kodi i ri zgjedhor do të aplikohet në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013, ndërsa zbatimi i tij do të nisë në shtator me formatimin e KQZ-së. Kreu prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Ëollfarth, ambasadori i SHBA-së Alexandër Arvizu,ai i BE-së Etore Sequi marrin pjesë në seancën plenare.

Berisha:  I vonuar, por nga ligji nuk ka të humbur

Kryeministri Sali Berisha përgëzoi dje nga foltorja e Kuvendit konsensusin e arritur mes palëve për ndryshimet në Kodin zgjedhor. Ai deklaroi se “votohet me konsensus një nga ligjet më me rëndësi, ligji i zgjedhjeve, ligji elektoral. Ligj, i cili adreson dhe i’u jep përgjigje një serie problemesh të evidentuara në testimin e ligjit të mëparshëm, edhe ai konsensual. Në dy provat e mëdha zgjedhore u evituan problematika që duheshin përsosur. Ky ligj adreson të gjitha rekomandimet e ekspertëve të shkëlqyer që punuan mbi këtë ligj”, tha ai. Berisha u shpreh se, “Ligji është pak i vonuar, por më mirë vonë se sa kurrë. Miratimi mdodh10 muaj para zgjedhjeve të ardhshme. Me këtë ligj nuk ka të humbur, fitojnë të gjitha palët”, shtoi kryeministri. Berisha ftoi më tej palët të heqin dorë nga qëndrimet “ose e tëra ose asgjë”, siç tha ai. Berisha ka deklaruar më tej, se i garanton aleatëve të tij politikë besnikëri, duke i udhëhequr drejt një fitore tjetër, siç tha ai. “Po të kisha qenë në vendin e tyre, ju garantoj se ligjërata, po kaq të forta, do mbaja ndaj Saliut e Ramës, por të gjithë ata që duan të lexojnë histori dashurie dhe tradhtie, si në romane apo novela, le të lexojnë historitë e Ramës me aleatët dhe pastaj të kthehen tek besnikëria e Berishës për aleatët”, tha ai.

Gjiknuri:  Tani në dorë e ka Berisha

Bashkëkryetari socialist në komisionin parlamentar të reformës zgjedhore, Daminan Gjiknuri vlerësoi se ligjvënësit shqiptarë hedhin një hap pozitiv me miratimin e kodit zgjedhor, në organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Gjiknuri duke bërë një rezyme të tensionit dhe dhunës që shkaktuan zgjedhjet e mëparshme në vend, theksoi se opozita nuk i arriti të gjithë kërkesat e saj, por më ndryshimet e reja tashmë ka shpresë për përmirësim.  “Sot shënohet hapi i parë, që krijon shpresë, por nuk siguron triumf, shtrohet pyetja: a kemi fituar më shumë me ketë ligj, unë them po. Adresuam pikat më të rëndësishme të rekomandimeve të OSBE. Opozita nuk i arriti të gjithë kërkesat e saj. I dhamë jetë një organi të ri, organit të administrimit të zgjedhjeve, që ajo që ndodhi mos të përsëritet dhe një trupë e re të ketë mundësi të përgatisë zgjedhjet. Kemi garantuar pjesëmarrjen në listat e zgjedhësve, duke zhdukur listat e manipuluara. Kemi arritur që rezultati të dalë në kohë. Kemi përmirësuar procesin ankimor, që çdo shkelës të mendojë mirë. Kemi llogaritur teknologjinë. Pyetja shtrohet: a është gjithçka që kërkoi opozita, jo pasi disa çështje mbeten varur”,- deklaroi Gjinknuri. Sipas Gjiknurit, pika kyçe tashmë mbetet tek një nga kriteret e Kopenhagenit, që është roli neutral i qeverisë, duke nënvizuar se dilema i takon kryeministrit, nëse do ketë vullnet për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Dilema e madhe është, a do ketë vullnet Sali Berisha për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Berisha ka të drejtë kur thotë se qeveria do garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, por ai këtë nuk e thotë në aspektin politik. Vetëm nga zgjedhjet, shqiptarët do gjejnë zgjidhje. Sistemi mund të ketë padrejtësi, por për ne si opozitë nje ligj i mirë zgjedhor krijon premisa më të mira. Vendi ka nevojë për një ligj më të mirë dhe atë po e bëjmë sot. Pa zgjedhje të lira dhe të drejta vendi nuk do gjëjë paqe dhe progres”,- theksoi Gjiknuri.

Mediu: Kjo marrëveshje PD-PS, do të votoj kundër

Kreu i PR-së, Fatmir Mediu deklaroi dje në Kuvend se Reforma Zgjedhore e sjellë për votim në Kuvend është një marrëveshje mes dy forcave kryesore politike dhe jo një reformë që garanton barazinë e votës. “Kjo është e 16-ta reformë zgjedhore në Shqipëri, e 16-ta marrëveshje PD-PS për të krijuar monopol në zgjedhje. Ajo duhet të garantojë pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje, por nuk e bën, prandaj unë deklaroj votën time kundër”, tha Mediu. Kjo marrëveshje, tha ai më tej, “ nuk i jep të drejtë qytetarëve të vendosin për të ardhmen, nuk ka barazi në votë. Vota e qytetarit në Konispol nuk është e barabartë me votën e qytetarit në Tiranë apo Fier”, shtoi ai.

 

Dule:  Pro, por ka humbur besimi se qeveria ndërrohet me votë

Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule duke deklaruar nga foltorja e Kuvendit votën pro ndryshimeve në kodin zgjedhor, vuri në dukje se ndryshimet nuk garantojnë barazinë e votës dhe përsërisin historinë e vjedhjes. Dule bëri thirrje për hartimin dhe rishikimit në të ardhmen të të gjithë kodit. “E shikoj që skenari është planifikuar festiv. Për të mos qënë dhe unë mes atyre do them se do votoj pro ndryshimeve në kodin zgjedhor, do përshëndes kolegët e mi në komisionin e reformës, të cilët në një klimë kontraditore dhe konfliktuale arritën konsensus. DASH thotë se nuk ka shpresa që qeveria mund të ndërrohet me votë. A ka dikë që mund të na japë garanci që në Shqipëri qytetari me votën e tij mund të ndryshojë qeverinë? Kam një pyetje, skenarin festiv kush do e organizojë pas zgjedhjeve? Zgjedhjet mund të jenë në të gjitha aspektet të drejta të barabarta, por nga produkti i tyre prodhojnë pabarazi. Marrëveshja e arritur është kompromis, por larg stadarteve të zgjedhjeve të lira dhe të barabarta. Më thoni a nuk e zgjodhëm Ristanin me konsensus, a nuk votuam me konsensus ndryshimet e 2009, por përjetuam të njëjtën atmosferë? Nuk ka garanci që zgjedhjet e ardhshme do të jenë të njëjta. Kreu i PS-së i priste nga kryeministri, ndaj është momenti ta mbyllim propozimet që na sjell komisioni, por nuk do kemi bërë asgjë, nëse me sinqeritein më të madh nuk i hymë një reforme zgjedhore të mirëfilltë që garanton votën”,- deklaroi Dule.

Reforma Zgjedhore, Nishani: Politika tregoi pjekuri

 Menjëherë pas votimit me konsensus të Kodit Elektoral në parlament, presidenti i zgjedhur Bujar Nishani ka përshëndetur votimin, ndërsa e ka konsideruar atë një akt të përgjegjshmërisë dhe pjekurisë së klasës politike, si produkt i frymës së bashkëpunimit konsensual parlamentar.  Për Nishanin ky votim është një garanci e shtuar në shërbim të një prej proceseve themelore të demokracisë funksionale, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.  Ndër të tjera Nishani, shpreh besimin e tij të plotë për vijimin dhe konsolidimin e kësaj fryme mirëbesimi dhe bashkëpunimi midis maxhorancës dhe opozitës dhe në çështje të tjera të rëndësishme të reformave të kërkuara.

Fyle:Përgëzojmë PD-PS për Reformën Zgjedhore, brenda shtatorit imuniteti

Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë, Stefan Fyle përshëndet miratimin e Reformës Zgjedhore me konsensus dje në Kuvendin e Shqipërisë.  Me anë të një deklarate, zëdhënësi i Fyle, Peter Stano shprehet, “Përshëndesim miratimin e amendimeve të Kodit Zgjedhor, në vijim të marrëveshjes ndër-partiake të arritur javën e kaluar në komisionin e posaçëm parlamentar.  Komisionieri i BE i ka bërë thirrje forcave politike të vazhdojnë edhe reformat e tjera të rëndësishme, duke e vënë theksin fillimisht tek heqja e imunitetit. Fyle tha se këto reforma të rëndësishme për integrimin, duhet të përmbyllen brenda shtatorit.  “Ne i bëjmë thirrje si maxhorancës qeverisëse dhe opozitës të ndërtojnë mbi këtë zhvillim pozitiv dhe të përkrahin më tej dialogun politik konstruktiv dhe bashkëpunimin për plotësimin e punës në vazhdim për priotitetet e tjera kyçe të Opinionit si dhe për të arritur një numër të madh rezultatesh brenda shtatorit”.

Ambasadorët: Përshëndesim reformën, me vullnet kaloni dhe imunitetin

Kreu i prezencës së SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu menjëherë pasi Kuvendi i Shqipërisë miratoi me konsensus ndryshimet në kodin zgjedhor, u shpreh i surprizuar pasi nuk e priste.  “Kur flasim për mungesën e besimit është fakt i trishtueshëm, por do jem i sinqertë me ju, nuk e kisha menduar se do e miratonin reformën zgjedhore dhe gjithashtu e kuptoj zotin Dule, Oketa, Mediu dhe partitë e vogla , sepse e di që ka patur diskutim për sistemin, nuk ka qënë i mundshëm, por do jetë në të ardhmen. Të jem i sinqetë nuk e dija që do e kalonin reformën zgjedhore në Kuvend, kam humbur dy baste se nuk e kisha menduar se do e kalonin, edhe me mungesën e besimit nëse kaluan reformën do kalojnë edhe imunitetin”,-deklaroi Arvizu. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për cështjen e imunitetit, Arvizu apeloi që palët të bien dakord dhe të gjejnë vullnetin e duhur në mënyrë që më 6 gusht të votojnë heqjen e tij. “Mendoj që të gjitha palët duhet të bien dakord dhe janë të zëshëm që imuniteti duhet të hequr. A duhet shikuar me kujdes, absolutisht po. Jemi të sinqertë nuk është dicka që ka ndodhur brenda natës, pra nuk është tematikë e re, ekspertët ndërkombëtarë kanë kontribuar për këtë proces. Kemi pasur shumë takime. Gjatë 7 deri në 10 ditët e ardhshme do ketë shumë aktivitete, debate publike dhe diskutime. A nevojitet shumë kohë, ndoshta, por dua të jem i sinqertë. Sot është 19 korrik dhe koha nga sot deri më 6 gusht në periudhën shqiptare është përjetësi dhe nuk është tematikë e re, por nëse ka vullnet mund ta heqin imunitetin”,- apeloi Arvizu.
Sequi: Hap para për integrimin

I pranishëm në seancën e djeshme parlamentare ishte edhe ambasadori i BE-së, Etore Sequi, i cili pas përfundimit deklaroi se, “Jemi të lumtur që ky proces u kurorëzua. Besoj se të dyja palët kanë dëshmuar gadishmëri dhe vullnet politik. Mendoj se duhet të përgëzojmë të dyja palët”, tha ai.  Sequi e cilësoi miratimin e Reformës Zgjedhore, një hap të rëndësishëm para, për integrimin në BE.  “Rezultati i ditës së sotme është një hap shumë i rëndësishëm për integrimin. Ky vullnet nuk ishte i lehtë, por palët duhet ta vazhdojnë”, shtoi ai.  Ai apeloi për gjetjen e vullnetit të përbashkët politik edhe për heqjen e imunitetit e reformën parlamentare. “Çështja e reformimit të rregullores, një ndër pikat e marrëveshjes së arritur në nëntor dhe që nuk është trajtuar ende, dhe heqja e imuniteteve, në përputhje me standardet europiane, janë shumë të rëndësishme që të bëhen hapa para drejt BE-së”, tha ai.

Wollfarthi: Hapi tjetër  i Kuvendit të jetë heqja e imunitetit
Konsensusi për reformën zgjedhore është përshdetur edhe nga ambsadori i OSBE Eugen Wollfarth. “Miratimi i Kodit të ri Zgjedhor pas një procesi gjithëpërfshirës negociatash, përbën një hap të madh për Shqipërinë drejt demokratizimit të mëtejshëm të vendit”, tha Ëollfarth përmes një deklarate shpërndarë për mediat, ku theksoi nevojën për vullnet të vazhduar politik si garanci për zbatimin e plotë të legjislacionit të ri, i cili ka rëndësi të veçantë për periudhën përgatitore të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.  Në deklaraten e tij Wollfarth theksoi gjithashtu nevojën për adresimin nga ana e Kuvendit të çështjes po aq të rëndësishme të imuniteteve, cështje që sipas tij mbetet një pengesë madhore për hetimin e rasteve të mundshme të korrupsionit. Në përfundim Wollfarth apelon Kuvendin që ta shfrytëzojë siç duhet kohën e mbetur, duke synuar arritjen e një marrëveshjeje deri me 6 gusht.

PDIU: PD-PS kaluan me arrogancën e kartonëve një kod zgjedhor selektiv

Edhe një herë dy partitë e mëdha vendosën që me arrogancën e kartonave të kalojnë në Kuvend një kod zgjedhor selektiv. PDIU-ja, në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme, nuk u bë palë në këtë proces për arsye parimore.
1.       Dy deputetët  e PDIU-së nuk mund të votojnë një kod zgjedhor, i cili lë në fuqi sistemin e numërimit militantesk të votave, në kuadër të dëshirës së dy partive për të qenë jo administrues por padronë fuqiplotë të proceseve zgjedhore.
2.       Dy deputetët e PDIU-së nuk mund të votojnë një sistem zgjedhor, i cili prodhon pabarazi në përfaqësimin e votave të qytetarëve, duke krijuar pragje artificiale të ndryshme nga qarku në qark, e që çmontojnë parimin e barazisë së votës.
3.       Dy deputetët e PDIU-së nuk mund të votojnë një sistem zgjedhor, i cili është huazuar nga vende me tendenca të forta rajonaliste, të cilat as ekzistojnë as duhen favorizuar në Shqipëri.
4.       Dy deputetët e PDIU-së nuk mund të votojnë një kod zgjedhor, i cili lë sërish të papërfaqësuar votën e një të tretës së qytetarëve shqiptarë që jetojnë në emigracion.
Këto qëndrime tonat janë parimore, të deklaruara që në fillim të herës, përpara krijimit të komisionit të posaçëm parlamentar. Ato qëndrojnë të tilla edhe pse në pikëpamjen elektorale PDIU-ja është mjaft komode edhe me sistemin aktual zgjedhor, pasi në mendimin tonë, përpara interesave personale e partiake duhet të qëndrojë interesi kombëtar. Dy partitë e mëdha për nga numri i kartonave, sërish zgjodhën të miratojnë një kod që mendojnë se është qepur sipas metrave të tyre. Së paku, shpresojmë që pas zgjedhjeve të ardhshme dy autorët e arnimit të kodit të mos ankohen si gjithnjë për atë çka kanë gatuar vetë.