Imuniteti i Tahirit, debatet në mbledhjen e këshillit dhe përballja deputet –prokuror

498
Tre prokurorë të Krimeve të Rënda u munduan të bindin dje deputetët se kolegu i tyre Saimir Tahiri duhej t’i dorëzohet drejtësisë, dyshohet për disa vepra penale
Pesë orë tension në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit dhe në fund asnjë përgjigje lidhur me kërkesën e prokurorisë për të pasur në dorë personin nën hetim Saimir Tahiri, ish-ministrin e brendshëm, deputetin aktual dhe kryetarin e PS dega Tiranë. Një ditë tepër e ngarkuar për deputetin Tahiri. Tensioni nisi pikërisht në orën 11:00 të paradites, kur i dyshuari se ka konsumuar dy vepra penale, atë të trafikut të drogës dhe korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror, u paraqit në Kuvendin e Shqipërisë. Tahiri u shoqërua deri tek hyrja e selisë së Kuvendit nga mbështetës të shumtë, të cilët fillimisht e pritën atë pranë banesës tek Kodra e Diellit. U fut në sallën e mbledhjeve i shoqëruar nga avokati mbrojtës Artan Hajdari. Ndërkohë për pesë orë me radhë, ai u ndodh përballë debateve të shumta. Mbledhja pati një pasqyrë jo të qartë. Roli i prokurorëve në këtë debat dukej i zbehtë, ndërsa kishim deputetët e së majtës të cilët ishin përgatitur për të dalë kundër çdo fakti apo dyshimi të dhënë prej akuzës. Sipas prokurorëve, Besim Hajdarmataj, Elisabeta Ymeraj dhe Gentian Osmani, deputeti Saimir Tahiri është person nën hetim dhe për këto arsye, kolegët e tij duhet t’i heqin imunitetin duke i hapur rrugën arrestimit të tij dhe më pas përballjes me provat në Gjykatë. Por ajo që u pa dje orë pas ore në Mbledhjen e Këshillit të Mandateve, na la përshtypjen se diçka nuk shkon sipas ligjit për të gjithë shtetasit. Deputetët e majtë, u munduan me të gjitha format të mbrojnë Tahirin, madje ata replikuan ashpër me trupën e prokurorëve që ndodheshin aty. Nuk ishin të pakta edhe reagimet e deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët patën rastin të flasin me provat që ata disponojnë për përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm në trafikun e drogës në mënyrë indirekte. 
Pyetje-përgjigjet në Mbledhjen e Këshillit të Mandateve:

Prokurori Besim Hajdarmataj
“S’jemi këtu për një mandat arresti ndaj Tahirit, pasi mendoj se arrestin ndaj një deputeti, atë e jep gjykata. Kërkojmë vetëm heqjen e imunitetit që në çdo moment deputeti mund të jetë i ekspozuar ndaj një mase duke iu drejtuar krimeve të rënda. Kjo është ajo që kisha”. Kështu u shpreh prokurori Besim Hajdarmataj në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve ku po diskutohet çështja “Tahiri”. 

Hajdarmataj: Kemi bindje se Tahiri është pjesë e grupit kriminal “Habilaj”
Prokurori Besim Hajdarmataj ka deklaruar përpara anëtarëve të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve se ka dyshime mbi përfshirjen e Saimir Tahirit në grupin kriminal “Habilaj”. Ai tha se rezultojnë punonjës policie të përfshirë në trafikun e drogës, kryesisht drejtues të Policisë së Vlorës. 

Hajdarmataj: “Provuam se në fshatin Babicë ishin të magazinuar një sasi lënde narkotike, e magazinuar dhe e bërë gati për t’u trafikuar në Greqi apo Itali. Kemi filluar kryerjen e veprimeve hetimore. Jemi kufizuar sepse kishim informacione dhe të dhëna se edhe në këtë fazë kishte punonjës policie të përfshirë në këtë aktivitet kryesisht të policisë së Vlorës për të cilët vijon edhe hetimi aktualisht. Aktiviteti i grupit kriminal të vëllezërve Habilaj ka filluar që në vitin 2013. Çështja është regjistruar nga drejtësia italiane. Ne kemi regjistruar procedim për deputetin Tahirin, pasi rezultonte që nga të dhënat e bëra publike, kishte biseda komprometuese në lidhje me të, qoftë për pjesëmarrjen e tij në këtë grup kriminal, por bëhej fjalë për marrje dhe dhënie mit, dhe jemi përpara veprës së korrupsionit. Nga bisedat Habilaj dhe Çelaj krijohet bindja se në këtë aktivitet edhe deputeti Tahiri”. 

Ulsi Manja: Cila është baza e procedimit penal? Dhe në cilën datë e keni regjistruar Tahirin në regjistrin e veprave penale?
Hajdarmataj: Është regjistruar me nr.313. Pas publikimit të lajmeve në mediat italiane në datën 17.10.2017. Kemi nisur procedim penal kryesisht. Do të shkëmbejmë të dhëna me drejtësinë italiane. 

Manja: I drejtoheni Kuvendit për autorizim për arrestimin e Tahirit. Kush ju ka penguar që të zhvilloni hetime proaktive që i filluat nëpërmjet gazetës për të konkluduar në mbledhjen e provave e fakteve?

Hajdarmataj: S’i kemi ndaluar hetimet. 
Alibeaj: A mund të largohet Saimir Tahiri nga vendi dhe a ka dyshime që Tahiri të prishë provat?

Hajdarmataj: Kemi dyshime se mund të jemi përpara këtyre rasteve. Mund edhe t’i shmanget hetimit. 
Manja: I kërkohet këtij Këshilli për arrestin e deputeti Tahiri apo heqja e imunitetit, se duhet të sqarojmë këtë pjesë…

Nëse kërkon heqjen e imunitetit për hetim është vendimmarrje tjetër, nëse kërkoni arrestimin janë dy kërkesa. Për cilën do vendosim, na e qartësoni.
Hajdarmataj: Je korrekt, ne kërkojmë arrestin e Saimir Tahirit dhe kryerjen e kontrolleve të masës që ai ka në dispozicion. Kemi ardhur me një kërkesë për autorizim për heqjen e lirisë së deputetit dhe kryerjen e kontrolleve të banesës. E thashë që të mos ngatërrojmë Këshillin me Gjykatën, se s’kemi ardhur për mandatin e arrestit, por na hani rrugë të veprojmë duke respektuar procedurat ligjore që i takojnë prokurorisë dhe gjykatës. 
Manja: Keni administruar materiale hetimore nga Italia?

Hajdarmataj: I jemi drejtuar autoriteteve të drejtësisë italiane në 18.10.2017. Kemi tashmë një pjesë të materialeve ku përfshihet edhe vendimi i arrestit të grupit të personave që është marrë nga drejtësia italiane. I gjithë materiali është i ardhur në rrugë zyrtare. 
Alibeaj: Tendenca për të kërkuar ngërçe procedurale, është ndërhyrje e qartë në punët e Prokurorisë. Japim sinjale të gabuara edhe për Reformën në Drejtësi. Këtu po bëhet avokatia e Tahirit. Tahiri ka avokatin e tij që e mbron. 

Ruçi-Alibeajt: Jemi në një procedurë, është pala që ka drejtuar kërkesën. I takon Prokurorit të thotë që kjo është në kundërshtim dhe mbyllet. 
Alibeaj: Ju doni të bëni avokatin…

Ulsi Manja: A jeni në dijeni të ndryshimeve, ku Prokuroria është organ i pavarur dhe letër-porosia a ka kaluar nëpërmjet ministrisë së Drejtësisë?
Gentian Osmani: Do ju vë në dijeni se mes Shqipërisë dhe Italisë ekziston një marrëveshje për ekstradimin. E kemi njoftuar ministrinë, autoritetet italiane në mënyrë direkte na kanë vënë në dijeni informacione. 

Ulsi Manja: Keni kërkuar arrestimin e deputetit, a mendoni ju se një procedim penal i filluar më 17.10.2017 në një opinion gazete dhe lajm portalesh përbën bazën e mjaftueshme për të kërkuar ta çoni prapa dyerve të burgut deputetin? A mendoni se në harkun kohor të 48 orëve me një shkrim gazete është baza e mjaftueshme të kërkoni arrestimin e Tahirit. 
Elisabeta Imeraj: Pa hyrë në detaje, Prokuroria ka regjistruar procedimin penal për trafikim droge të kryer në bashkëpunim, ku përfshihen disa persona, mes tyre dhe Habilaj. Dalja në media dhe bërja publike e disa informacioneve, ku përfshihet ish-ministri Tahiri na shërbyen si material për të filluar procedimin ndaj Tahirit. Emri i tij u regjistrua si person nën hetim. Ne kemi pasur në hetim disa procedime dhe ju referuam dy hetimeve, atij të 2013 dhe atij të 2017. Në këtë trafik rezultojnë të përfshira struktura të posaçme të Policisë së Shtetit. 

Manja: Keni regjistruar emrin e Tahirit në procedim në datën 17.10.2017 pas materialeve në gazeta. Faleminderit. S’kam pyetje të tjera. 
Alibeaj: Thatë se kemi filluar një procedim penal dhe që në vitin 2016 ka procedime penale me po të njëjtët aktorë me të njëjtën akuzë kultivim dhe trafikim droge…

Hajdarmataj: Na rezulton se, që nga viti 2013 këta persona kanë një aktivitet të vazhdueshëm kriminal në trafikimin dhe kultivimin e lëndëve narkotike.
Bledi Çuçi: Ju nuk citoni asnjë provë. Pyetja ime është: Është e qartë se nuk jemi në kushtet e flagrancës, sepse kemi përcaktim tjetër ligjor. Ju kërkoni nga Parlamenti dhe sigurisht ne jemi si një filtër paraprak, të drejtën për të shkuar në Gjykatë dhe për të kërkuar masën shtrënguese arrest me burg për Tahirin, apo doni menjëherë që pasi parlamenti, pasi ju na bindni me prova, të bëni arrestimin e tij menjëherë? 

Hajdarmataj: Kemi kërkuar dhënien e autorizimit për arrestimin, heqjen e lirisë, kontrollin e personit dhe vendeve. 
Bledi Çuçi: Ne nuk jemi në kushtet e flagrancës, por në kushtet për një kërkesë shtrënguese, të cilën e merr vetëm Gjykata…

Eduard Halimi: Ky gjyqi që po i bëni Prokurorisë nuk po iu nxjerr mirë, nuk e ndihmoni Tahirin dhe po cenoni imazhin e Parlamentit. Zotërinj prokurorë, ka ndonjë ngutje që kërkoni heqjen e imunitetit dhe arrestimin? Ka ndonjë shqetësim tuajin se duhet të vendosim shpejt ne, apo vendosim edhe nesër, pasnesër, pas një jave. 
Elisabeta Imeraj: I referohemi 228, 229 të Kodit të Penal. Ushtrojmë ndjekjen penale dhe nëse kemi dyshime të arsyeshme për kryerjen e veprave, jemi të detyruar të veprojmë. 

Eduard Halimi: E doni nesër, apo pas një jave, pas dy jave?
Gramoz Ruçi: S’është detyrë e Prokurorisë, por e Kuvendit. 

Gentian Osmani: Kemi bërë kërkesën dhe presim autorizimin për të kaluar në hapat e mëtejshme. 
Eduard Halimi: Ka rrezik për provat?

Elisabeta Imeraj: Janë në hetim dhe persona të tjerë, persona të policisë të cilët janë në detyrë. Ekziston edhe rreziku i dëmtimit të provave.
Halimi: Bazuar në marrëveshjen me Italinë për bashkëpunim kundër krimit, a keni ju zyrtarisht kërkesën e procedimit penal për grupin kriminal të Habilajve? Ju ka ardhur juve zyrtarisht kërkesa e gjykatës italiane?

Imeraj: Kemi operuar për ndihmë nga italianët. Me shkresën përkatëse është depozituar në prokurori materiali, që përfshin dhe kërkesën në fjalë.
Halimi: Bazoheni nga dokumenti i italianëve apo në lajmet e shtypit shqiptar?

Osmani: Është regjistruar procedimi në bazë të materialeve italiane.
Halimi: Keni kërkuar vetëm kërkesën për gjykim apo gjithë dosjen voluminoze?

Imeraj: Nuk është kërkuar vetëm ajo që referuat por të gjitha detajet, përgjimet, vëzhgimet, personat e përfshirë dhe çdo detaj tjetër, numra telefoni, të përfshirë në veprimtari kriminale dhe që i vlejnë hetimit. 
Halimi: Grupi i Habilajve kishte mbështetje nga policë. Ka pasur referim nga policia lidhur me këtë grup? Sipas italianëve ata trafikojnë drogë e armë prej katër vitesh…

Hajdarmataj: Deri në vitin 2016 në regjistrat e prokurorisë nuk ka ardhur ndonjë material, që nga viti 2013. Ne nuk kemi asnjë material të ngarkuar ndaj këtyre personave në këto vite. Në vitin 2017 nga fundi i muajit prill ka ardhur vetëm në material, që fliste për një aktivitet të shtetasve Habilaj. 
Halimi: Ju keni pasur zero referime?

Hajdarmataj: Nuk kemi pasur referime, e sqarova.
Hysi: Në këto udhëtime thoni se Tahiri ka qenë i shoqëruar me Artan Habilajn, rezulton se nuk është i saktë. Thoni se ka qenë i shoqëruar me Artan Habilaj e të tjerë. Kush janë të tjerët?

Hajdarmataj: Në njërin nga udhëtimet, ndërkohë që Tahiri ndodhej në Greqi, Habilaj udhëton drejt këtij shteti dhe në kthim Tahiri kthehet me automjetin e Habilajt, të cilin ia kishte shitur pikërisht këtij.
Hysi: Thoni se Tahiri ka bërë trafik me Habilajn? Ku janë provat?

Hajdarmataj: Disa janë këtu, ndërsa disa të tjera…
Hysi: Ku i keni provat?

Hajdarmataj: Kemi punonjës policie në përgjim dhe nuk i themi dot këtu. Provat e tjera s’kemi mundësi t’i themi këtu. 
Dhurata Çupi: A ka një marrëdhënie të konsoliduar mes Tahirit dhe Habilajt?

Ymeri: Ekziston një marrëdhënie e konsoliduar. 
Ulsi Manja: Na jepni një provë konkrete që implikon Tahirin…A është Saimir Tahiri në hetim në Itali?

Imeraj: Kemi filluar ndjekjen penale me iniciativë. Veprat penale janë kryer në bashkëpunim dhe provat e njërës ndikojnë te tjerat, është bërë bashkimi i procedimeve. Ne nuk thamë se Prokuroria italiane e ka apo jo në hetim Tahirin. Ne na ka ardhur materiali dhe sipas asaj që kemi parë nuk na rezulton një e dhënë e tillë.
Zhvillimet minutë pas minute
Ora 10:20 Tahiri niset drejt Kryesisë së Kuvendit
Deputeti socialist, Saimir Tahiri, ka dalë nga shtëpia e tij dhe është nisur drejt Kryesisë së Kuvendit. Tahiri do të jetë i pranishëm në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve, i cili do të mblidhet në orën 11:00 për të diskutuar mbi imunitetin e deputetit socialist.

Ora 10:30 Rama mbledh anëtarët e PS të Këshillit të Mandateve
Kryeministri Edi Rama ka thirrur në një mbledhje në Kryeministri deputetët e PS, anëtarë të Këshillit të Mandatave dhe Imuniteteve, përpara mbledhjes ku do të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit.
Në takim merr pjesë edhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Ora 10:35 Mbërrin në Kryesinë e Kuvendit Prokurori Besim Hajdarmajtaj
Prokurori i çështjes “Tahiri”, Besim Hajdarmataj ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve. 
Ora 10:40 Mbështetës të Tahirit mblidhen te Kryesia e Kuvendit
Ora 10:55 Tahiri mbërrin në Kryesinë e Kuvendit: Prisni 5 minuta…
Tahiri është pritur me ovacione nga mbështetësit pranë Kryesisë së Kuvendit. Tahiri ka thënë shkurtimisht për mediat: S’keni durim të prisni 5 minuta. 
Ora 11:05 Nis mbledhja e Këshillit të Mandateve
Ka nisur në Kryesinë e Kuvendit, mbledhja e Këshillit të Mandatit dhe Imuniteteve. 
Ora 11:10 Avokati mbrojtës i Tahirit, Artan Hajdari
Ora 11: 12 Prokuroria përfaqësohet nga Besim Hajdarmataj, Elisabeta Imeraj dhe Genti Osmani
Ora 11:15 Alibeaj: T’i jepet fjala përfaqësuesve të organit të akuzës dhe të akuzuarit
Ora 11:20 Prokuroria: Seanca me dyer të mbyllura, kemi materiale sekrete
Kërkojmë që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura. Disponojmë prova dhe materiale sekrete. S’jemi këtu për shou mediatik. Kërkojmë që çdo gjë të zhvillohet në përputhje me rregullat dhe rregulloren e këtij institucioni.
Ora 11:25 Ruçi: Do veprojmë sipas precedentëve në të kaluarën.
Ora 11:28 Alibeaj: Është e drejtë e publikut të informohet
Ora 11:30 Hajdarmataj: Kemi emra që nuk duhen bërë publikë. Deputetët të nënshkruajnë deklaratë për mosnxjerrjen e sekretit hetimor

Ora 14:25 Ruçi ndërpret mbledhjen për 10 minuta, do vijojë pa media

Ora 14:45 Rinis mbledhja me dyer të mbyllura

Ora 15:55 Tahiri dhe avokati nxirren nga mbledhja, shkak ruajtja e sekretit hetimor
Vijon mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit të Mandateve. Saimir Tahiri dhe avokati i tij janë larguar nga mbledhja me argumentin për ruajtjen e sekretit hetimor. Në këto momente Prokurori po paraqet materialet sekrete kundër ish-ministri Tahiri. 
Ora 16:20 Përfundon mbledhja me dyer të mbyllura dhe nis e hapur për publikun, pritet vendimi
Sigal