Imuniteti i Tahirit, debate në Këshill. Deputeti i PS: Arrestim pas lajmeve në portale. Prokurori: Kemi fakte nga…

147
Pas kërkesës së prokurorisë, lidhur me heqjen e mandatit të deputetit Saimir Tahiri dhe dhënien e autorizimit për ndalimin e tij është mbledhur Këshilli për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet. Në këtë mbledhje, ish-ministri Tahiri shoqërohet nga avokati i tij Artan Hajdari.
Që në nisje të mbledhjes, Prokurori Besim Hajdarmataj ka kërkuar që kjo seancë të zhvillohet me dyer të mbyllura. Por kjo kërkesë u rrëzua nga deputetët.
“Ne kemi përgatitur edhe deklaratat për ruajtjen e sekretit. Kemi informacione që vijnë nga strukturat ligjzbatuese të vendit ku flitet për struktura kriminale dhe për emra personash që nuk duhet të bëhen publike”, u shpreh prokurori Hajdarmataj.
Partia Socialiste vlerëson se arrestimi i Sajmir Tahirit po kërkohet vetëm përmes lajmeve që kanë dalë në portale. Deklaratën e bëri sot në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Ulsi Manja, kreu i Komisionit të Ligjeve.
Por prokurori tha se kërkesës për autorizim pë hetim i bashkëngjitet materiali i ardhur nga autoritetet italiane direkt.
Pas vendimit të Këshillit, nëse pranohet kërkesa e Prokurorisë pritet një seancë parlamentare ku do të votohet nga parlamenti për heqjen e mandatit të Tahirit.
Ish-ministri akuzohet nga Prokuroria për Krime të Rënda për dy vepra të rënda penale, atë të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”.
Referuar Kodit Penal dhe neneve për këto vepra penale, ish-ministri, të cilit pritet t’i hiqet edhe imuniteti rrezikon maksimumi 32 vjet burg, dhe minimumi i caktuar në Kod për këto vepra, është 14 vjet burg.
Dje prokuroria për Krime të Rënda i kërkoi Kuvendit t’i heqë imunitetin e deputetit Saimir Tahiri pas hetimeve të kryera në bashkëpunim me autoritetet italiane për bandën e Habilajve.
Në bazë të të dhënave të përftuara në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë dhënien e autorizimit për “arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal e të banesës” për deputetin Saimir Tahiri.
PYETJET NGA ULSI MANJA
1- Cila është baza e regjistrimit penal në ngarkim të deputetit Tahiri, kur e keni regjistruar dhe në ç’datë e keni regjistruar emrin e deputetit Tahiri në regjistrin e veprave penale?
Hajdarmataj: 17.10.2017 kemi regjistruar procedimin penale. E kemi regjistruar duke iu referuar të dhënave të dala tashmë të bëra publike nga ana e mediave. Duke pasur parasysh, nenin 287 të kodit të procedurës penale prokurori në çdo rast kur konstaton se është kryer një vepër penale dhe është në kompetencën e tij ka kompetencën ta shqyrtojë kryesisht veprën penale. Ne nuk kishim çfarë prisnim më, kur në mediat e Shqipërisë ishte publikuar një material për një grup kriminal. Gjatë gjithë veprimtarisë së Prokurorisë, kur kemi konstatuar se ka pasur raste të trafikimit të lëndëve narkotike, me çdo lloj mënyre, pavarësisht se nuk janë në vendin tonë, kemi nisur procedim penal kryesisht. Pastaj është momenti tjetër që të shkëmbejmë informacione dhe të dhëna për të proceduar ndaj personave që janë shtetas shqiptarë dhe që e kemi të qartë që trafikimi është kryer nga Shqipëria drejt Italisë, çfarë na bën kompetentë për të nisur një procedim kryesisht. Kjo ka qenë edhe baza mbi të cilën kemi filluar procedimin.

2- Ju keni nisur procedimin penal mbi atë që është thënë në gazeta dhe media, pra asnjë veprim hetimor. Pyetja ime është e thjeshtë, jeni në dijeni ju z. Prokuror që Kuvendi i Shqipërisë me nismën tonë, ka bërë kufizimin e imunitetit të deputetit karshi veprave penale të korrupsionit? Kush iu ka penguar të zhvillonit veprime proaktive për të konkluduar në mbledhjen e provave dhe fakteve?
Hajdarmataj: Askush. Ne jemi duke vijuar hetimin. Regjistrimi i procedimit është bashkuar me dy procedime të tjera, që i kishim të nisura. Ne kemi harmonizuar secilën provë me njëra tjetrën dhe kemi arritur në këtë bindje. Po vazhdojmë veprimtarinë hetimore në çdo moment.
3- Deklaruat pak më parë që jeni në bashkëpunim me të huajt për vazhdimin e procedimit. Në çfarë forme keni proceduar me autoritetet italiane? Keni marrë për referencë një material përgjimi të gazetës italiane në ngarkim të shtetasit dhe deputetit Saimir Tahiri?
Hajdarmataj: Në çdo lloj forme, kur flasim për një shkëmbim informacioni i referohemi kodit të procedurës penale. Që me datë 18.10 i jemi drejtuar autoriteteve italiane, por për shkak të volumit, po përgatitet dhe pjesa tjetër e materialitet që lidhet me këtë. Kemi një material në atë fazë që na është sjellë dhe presim materialin tjetër

4- I jeni drejtuar një letër, materialin e gazetës keni apo atë që ju ka sjellë pala italiane?
Hajdarmataj: Kemi një material në gjuhën italiane, që ne po vazhdojmë përkthimin. Kemi përkthyer momentet ku implikohet deputeti Saimir Tahiri, se aty ka shumë persona të përfshirë. Ka ardhë në rrugë zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme.
MBLEDHJA E KESHILLIT TE MANDATEVE DHE RREGULLORES
ORA 11:25 SEANCË ME DYER TË MBYLLURA PËR TAHIRIN? DEPUTETËT “RRËZOJNË” PROKURORINË
Mbledhja për shqyrtimin e mandatit të Tahirit nuk po gjen konsensus që në fillim. Prokuroria kërkon mbledhje me dyer të mbyllura duke qenë se disponon materiale që i konsideron sekrete për hetimin, ndërkohë që deputetët e mazhorancës dhe opozitës kërkojnë që mbledhja të mbahet me dyer të hapura sepse përbën interes publike.
Deputetja socialiste Vasilika Hysi ka pyetur nëse ka prova të reja për të cilat ata nuk janë në dijeni.
Prokurori Besim Hajdarmataj ka pranuar të parashtrojë kërkesën e procedimit me dyer të hapura, duke hequr dorë nga kërkesa e tij.
11:20 Prokurori Besim hajdarmataj ka kërkuar që kjo mbledhje të zhvillohet me dyer të mbyllura. Këtu do të paraqesim prova dhe do të ketë përballje”, u shpreh Prokurori.
11:17 Demorati Enkelejd Alibeaj ka ndërhyrë duke u shorehur se “pala mbrojtëse pati kohë të prishë provat.
11:14 Deputeti socialist Blendi Çuçi tha se palët duhet të lejohen të parashtrojnë pretendimet e tyre.
11:05 Nis mbledhja e Keshillit. Sajmir Tahiri perfaqesohet nga avokati Artan Hajdari.
10:55 Sajmir Tahiri futet ne seline edhe kryesise se Kuvendit. “Nuk prisni dot edhe pese minuta”, iu drejtua Tahiri gazetareve. Nderkohe, dhjetra qytetare jane mbledhur para kryesise ku e kane pritur ate me brohoritje.
10:50 Deputeti i LSI-se, Nasip Naco deklaroi se vota e tij ne Keshill nuk do te jete mburoje, por do ti hape rruge organeve te Drejtesise, cka do te thote se do te votoje pro arrestimit.
Ora 10:48 Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruci perfundon takimin me kryeministrin Rama ne zyren e ketij te fundit dhe vjen ne kryesine e Kuvendit.
Ora 10:30 Ish-ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri ka dalë nga shtëpia në orën 10:35 për tiu drejtuar në kryesinë e Kuvendit, ku në orën 11:00 do të diskutohet kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e tij.