Imami tender më 26 gusht për shitjen e avionëve ushtarakë

181

Taulant Balla: Imami do të hetohet për abuzime shkatërruese për ushtrinë

Edhe pse janë ditët e fundit të qeverisjes, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, po vazhdon që të shesë, sa të mundë, çdo pronë të ushtrisë. Pas skandalit që u zbulua, për vendimin e qeverisë, për të dhënë  SHQUP-n ë si godinë e PD-së, Arben Imami do të organizojë në 26 gusht, vetëm 10 ditë, para se të ikë nga pushteti, një tender për të shitur avionë dhe helikopterë për skrap. Deputeti i PS-së, Taulant Balla, e quan këtë tenderim, një tjetër turp të ministrit Imami, i cili shet për skrap gjithë pasurinë e Ushtrisë, sikurse ka shitur edhe prona të tjera të Ushtrisë. Sipas deputetit Balla “Ministria e Mbrojtjes synon që të shesë për skrap që përfitohet nga avionët, helikopterët dhe motorët e avionëve, të cilët nuk do përdoren më nga Forcat e Armatosura. Vlera fillestare e sasisë është 15.959.224 lekë pa TVSH, sipas përllogaritjes së vlerës fillestare nga Komisioni i Posaçëm për këtë qëllim. Nga konsultimi me ekspertë vlera fillestare e shitjes është shumë herë më e ulët sesa vlera reale e tregut. Gjithashtu dihet se fitues i këtij tenderi të radhës do të jetë e njëjta kompani e lidhur ngushtë me Arben Imamin, tek e cila Ministria e Mbrojtjes vjel përqindjen çdo muaj. Tenderi do të mbahet më 26 gusht në orën 10:00 pranë Ministrisë së Mbrojtjes ku do të dorëzohen edhe ofertat. Por shitja për skrap e avionëve, helikopterëve dhe të mjeteve të tjera të ushtrisë është vijim i politikës së ndjekur nga drejtuesit aktualë të Ministrisë së Mbrojtjes për të shitur pasuritë. Në të njëjtën ditë që do të shiten pjesët e avionëve dhe të helikopterëve për skrap, ministri Imami ka planifikuar që të shesë për skrap edhe dy anije silurkapëse dhe një tjetër polumbare. Ministria e Mbrojtjes synon të shesë anije për përdorim jo ushtarak, të cilat nuk gjejnë përdorim të mëtejshëm në Forcat e Armatosura. Një vit më parë, Ministria e Mbrojtjes nxori në shitje nëntë avionë ushtarake të Forcave të Armatosura Shqiptare, prodhim kinez. Në emër të skrapit në këto 8 vjet janë kryer veprime shumë të errëta me pasuritë e Ministrisë së Mbrojtjes. Në emër të skrapit Shkëlzen Berisha dhe Fatmir Mediu vranë 26 njerëz në Gërdec. Në emër të skrapit Shqipërisë i janë vjedhur qindra milionë dollarë armatim, i raportuar skrap dhe i shitur vendeve në konflikt, duke shkelur ligjet ndërkombëtare. Shqipëria është i vetmi anëtar i NATO-s, ndaj të cilit OKB-ja ka kryer hetime për trafik ndërkombëtar armësh në Libi dhe vende të tjera në konflikt. Arben Imami dhe drejtues të tjerë të ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes do të hetohen gjerësisht për këto abuzime shkatërruese për ushtrinë dhe ekonominë e trashëguar të Ministrisë së Mbrojtjes.”