Ilirjan Muho: Do të rrisim bashkëpunimin mes agjencive homologe të Ballkanit Perëndimor!

559
Sigal

ZQRPP nënshkruan me Agjencitë e Kadastrës dhe Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Ballkanit Perëndimor marrëveshjen e bashkëpunimit në kuadër të projektit IMPULS të financuar nga qeveria suedeze, projekt i cili synon përmirësimin e të dhënave dixhitale të pasurive të paluajtshme. Ka dy ditë më parë nisi Konferenca e 7-të Rajonale për Kadastrën dhe Infrastrukturën e të Dhënave Gjeohapësinore në Tiranë. Konferenca dy ditore organizohet nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, e cila kishte ftuar në këtë aktivitet homologet e saj të rajonit të Ballkanit, pra përfaqësues të Agjensive të Hartografisë dhe Kadastrës të vendeve të Ballkanit Perëndimor: nga Kosova, Maqedonia, Bosnja Hercegovina, Republika Serpska, Mali i Zi, Sllovenia dhe Kroacia. Në përfundim të ditës së parë të konferencës, Kryeregjistruesi Ilirjan Muho së bashku me homologët e tij të Ballkanit Perëndimor në një ceremoni të veçantë kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit, në kuadër të projektit IMPULS të financuar nga qeveria suedeze, projekt i cili synon përmirësimin e të dhënave dixhitale të pasurive të paluajtshme. Gjatë fjalës së tij në konferencë, Kryeregjistruesi Ilirjan Muho tha se, ZQRPP jep kontribut të vazhdueshëm për të forcuar bashkëpunimin mes agjencive homologe të Ballkanit Perëndimor. “Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme veprimet e lidhura me titujt e pronësisë i mbështet mbi Regjistrin e Titujve te Pronave te Paluajtshme. Ky sistem, bazohet mbi lidhjen midis  regjistrit kadastral dhe atij hipotekor. Në këtë sistem, prona identifikohet me anë të numrit unik identifikues të saj. Ky numër lidh së bashku tre informacionet bazë të pronës: informacionin tekniko-ligjor, informacionin gjeografik dhe informacionin alfa numerik. Ndërsa i pari jep informacionin ligjor mbi bazën e të cilit ju bëheni pronar i pronës, i dyti jep informacionin gjeografik të saj, si: harta kadastrale e pronës, adresa ku ndodhet kjo pronë, kush janë kufitarët me të, e të tjera. Në informacionin e fundit, atë alfa numerik,  përshkruhet lloji i pronës, sipërfaqja e pronës, pronarët, transaksionet e kryera mbi të, barrat hipotekore, nëse ka, e të tjera”,- tha ndër të tjera z. Muho.