Ilirjan Celibashi:“PS-ja, pas 23 Qershorit, do të sjellë drejtësinë sociale”

451
Sigal

*Kandidat për deputet i PS-së

Ilirjan Celibashi është një nga emrat e rinj që i pasurohen PS-së, në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013. Kandidati për deputet i PS-së, mbart edhe përvojën politike, në kohën kur ishte Kryetari i KQZ-së. Zoti  Ilirjan Celibashi, në intervistën për “Telegraf”, pohon se njerëzit kanë pak besim te politika, pasi vetë politika, sipas zotit Celibashi, nuk e ka përmbushur misionin e saj. Që t’u shërbejë njerëzve. Ndoshta, duke e perceptuar këtë përgjegjësi morale, kandidati i PS-së, Celibashi, pranoi që të bëhej pjesë e politikës socialiste. Dhe, misioni politik i PS-së, në këto zgjedhje, sipas zotit Celibashi, është të sjellë drejtësinë sociale. Sepse, pohon zoti Celibashi, integrimi nuk u pengua nga mosvotimi i tre ligjeve, por edhe një integrim formal nuk do t’u vlente shqiptarëve, sepse jetesa e tyre nuk mund të barazohet me jetesën e gjermanëve, francezëve, etj.. Zoti Celibashi, pranon se, programi elektoral i PS-së, nuk përbën risi, por “Ai është një program që vlerëson realisht situatën e vështirë ekonomike dhe sociale.” Si ish-kryetari i KQZ-së, zoti Celibashi e vlerëson punën e deritanishme të KQZ-së, si të kompromentuar politikisht. Ndërsa, një proces zgjedhor i kontestueshëm, pohon zoti Celibashi, do të ketë kosto politike për shqiptarët e Shqipërinë.

-Zoti Celibashi, e keni perceptuar përse njerëzit kanë pak besim se politika do t’i ndihmojë të zgjidhin problemet e tyre të jetesës?

– Duhet ta pranojmë që  njerëzit kanë pak besim tek politika në përgjithësi. Kjo nuk është pa shkak. Nëse shohim se si është jeta e njerëzve sot dhe se si është Shqipëria ku ata jetojnë sot, konstatojmë qartë që politika nuk e ka përmbushur misionin parësor që ajo ka. T’i shërbejë interesave të çdo qytetari.  Por nuk do të ishte e ndershme të thuhej, që ndokush, që në këto vite ka qenë, apo është i përfshirë në politik, nuk ka ndjerë përgjegjësitë e tij si politikan, në interes të njerëzve të thjeshtë. Por, me sa duket, këta politikanë nuk janë ajo shumicë, e cila do të bënte cilësisht ndryshimin e politikës në këtë vend.

– Duke bashkëbiseduar me elektoratin e Qarkut të Fierit, cila është përshtypja që ju kanë dhënë, për mosvotimin e 3 ligjeve për shkak të ngërçit të  Kryetarit të Qarkut të Fierit? Kjo kosto e mosintegrimit çfarë ndikimi elektoral mund të ketë?

– Mendoj se për të gjitha palët në debatin për atë se çfarë  “e pengoi” integrimin europian të Shqipërisë, e kanë të qartë që kjo nuk lidhet as me votimin, apo mosvotimin e tre ligjeve dhe as me “kushtin” që  PS-së  nuk ka “lejuar” votim të këtyre tre ligjeve, sa kohë që kryetari i Qarkut Fier nuk ishte/është përfaqësuesi i PS-së. Dhe, kur kjo është e qartë për këto palë, është akoma më shumë e qartë për njerëzit. Përfshi edhe njerëzit “e thjeshtë”. Ne jemi shumë larg Europës. Cilido që ka dalë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, qoftë edhe për çfarëdo arsye dhe për një kohë shumë të shkurtër, konstaton se sa larg Europës ne jemi. Edhe, nëse formalisht, për momentin, Shqipëria do të ishte anëtare e Bashkimit Europian, a do të ishte jeta e një qytetari të këtij vendi si ajo e një qytetari gjerman, britanik, francez, italian, etj? Politika nuk duhet të jetë kaq hipokrite me qytetarët e vetë.  Qytetarët e Fierit, por edhe të gjithë Shqipërisë, e kuptojnë që përgjegjësia është e politikës nëse Shqipëria nuk po shkon ashtu dhe kur duhet drejt Europës. Por do të ishte naive të mendohej se shkaktare, më së shumti, është pjesa e politikës që përfaqësohet nga opozita. Kjo është përgjegjësi e shumicës qeverisëse. Direkte. Dhe e plotë në  çështjen e ngërçit  të Qarkut të Fierit.

– Atëherë, cila do të jetë risia bindëse  që ju  ofroni te njerëzit, që ata të besojnë te programi juaj, sidomos atë elektorat  të majtë, që është në dilemë të votojë PS, apo LSI?

– Risa? Nuk ka risi në kuptimin që më së shumti ne i japim kësaj fjale. Programi ekonomik dhe më gjerë, i socialistëve  është një program real. PS-ja nuk zotohet të sjellë mrekullinë ekonomike dhe më gjerë pas 23 Qershorit. Ai është një program që vlerëson realisht situatën e vështirë ekonomike dhe sociale, etj, në të cilën ndodhet vendi dhe shoqëria, dhe jep zgjidhje realiste për këto probleme. Por, së pari, socialistët  të karakterizuar nga ndershmëria, dhe sensi i drejtësisë sociale, që ata përfaqësojnë, do të sjellin pas 23 Qershorit një klimë politike dhe sociale shumë më pozitive. Të domosdoshme për progres ekonomik e më gjerë.

–  Ç’kuptim ka Apeli që bëhet për të zhvilluar zgjedhje me standarde demokratike, derisa vetë PD-PS  e kanë ndërtuar Kodin Zgjedhor, të këtillë, që cilësia e zgjedhjeve të jetë në vullnetin e tyre politik? Kam parasysh që gjithë administrata zgjedhore, me KQZ-në janë instrumente të politizuara.

– Personalisht vazhdoj të kem të njëjtin opinion lidhur me atë se si dhe kush duhet t’i administrojë teknikisht zgjedhjet. Partitë kanë shumë të drejta në procesin e administrimit të zgjedhjeve. Kjo nuk është e drejtë dhe produktive. Sidomos në një rast si Shqipëria. Dy partitë më të mëdha duhet ta shohin ndryshe këtë çështje. Vërej se PS-ja e ka vullnetin që ta shohë ndryshe këtë çështje. Historia e PS-së në pushtet ka treguar se çfarë qëndrimi mban ajo si parti politike, kundrejt institucioneve të pavarura.

– Çfarë reforme e garanton cilësinë dhe standardin demokratik të zgjedhjeve të lira e të besueshme?

– Ndryshimi i shumicës qeverisëse.

– Në Qarkun e Fierit, meqë aty jeni edhe kandidat, sa i mundshëm është numërimi elektronik?

– Për momentin nuk mundet të themi me siguri mbi aplikimin, ose jo të numërimit elektronik të votave në Qarkun Fier.

– Cila do të jetë kostoja politike, nëse procesi zgjedhor do të jetë i kontestueshëm? Mund të ketë fitues, në kësi rastesh?

– Zgjedhjet e kontestuara nuk do t’i shërbejnë askujt dhe aq më pak qytetarëve të këtij vendi. Rrjedhimisht, kostot do t’i paguajnë  shqiptarët, Shqipëria dhe vetë procesi i integrimit.

Vendimmarrja e KQZ-së është e kompromentuar politikisht

– Që në fillim procesi zgjedhor, me ndarjen e mandateve nga Kuvendi , e ka vënë në dyshim mirëbesueshmërinë, edhe të vetë administratës zgjedhore. Shpresoni që do të kemi zgjedhje që çfarëdo rezultati, do të pranohet nga të gjitha palët politike?

– Kjo është e vërtetë. Por gjithsesi mbetet të shohim çfarë do të ndodh deri në 23 Qershor. PS-ja nuk duhet të ushqejë asnjë iluzion mbi atë se fati i legjitimitetit të zgjedhjeve do të varet, do të përcaktohet nga KQZ-ja. Jo për interes politik, duhet të themi që vendimmarrja e KQZ-së është e kompromentuar politikisht. Standardi dhe legjitimiteti i zgjedhjeve është i garantuar nga një pjesëmarrje masive e qytetarëve në këto zgjedhje dhe votimi për socialistët.

 – Faleminderit!