Ilirjan Celibashi:“Pa KQZ konsensuale, nuk ka zgjedhje të lira”

522
Sigal

*ish- kryetari i KQZ-së

Vlefshmëria formale e vendimeve të KQZ-së në përbërjen e saj vetëm me 4 anëtarë, nuk mundet t’i japë besim procesit të vendimmarrjes së këtij institucioni.

Dorëheqjen  e 3 anëtarëve të KQZ-së,  Ilirjan Celibashi, ish- kryetari i KQZ-së, në intervistën për “Telegraf” e shpjegon si një dëshmi për t’u treguar të gjithëve situatën jonormale të krijuar pas shkarkimit të kundërligjshëm të anëtarit, Ilirjan Muho. Zoti Celibashi pohon se, Kodi Zgjedhor përjashton çdo mundësi ligjore, që 3 anëtarët të mund të zgjidhen nga Kolegji Zgjedhor, për sa kohë partitë opozitare nuk do të propozojnë kandidatura të tjera. Ndonëse janë shkelur të gjitha afatet ligjore që parashikon Kodi Zgjedhor për zgjedhjen e 3 anëtarëve të KQZ-së, përsëri, sipas zotit Celibashi, partitë politike kanë ende kohë që të gjejnë rrugëzgjidhjet për një zgjidhje të pranueshme, por me kusht që e drejta e çdo pale politike nuk duhet të cenojë procesin zgjedhor. Dhe, e fundit, sipas zotit Celibashi, me konfliktin e krijuar në KQZ, është dëmtuar edhe vetë procesi i integrimit të Shqipërisë, në atë masë, sa mund të thuhet se janë bërë hapa mbrapa.

– Zoti Celibashi, cili është thelbi i së vërtetës të konfliktualitetit të KQZ-së?

Më duket se debati mbi dhe për KQZ-në erdhi si rrjedhojë e iniciativës së shumicës qeverisëse për të shkarkuar një anëtar të KQZ-së, z. Muho. Në vlerësimin dhe gjykimin tonë, kjo iniciativë e finalizuar me rezultatin e kërkuar është tërësisht në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe për këtë shkak, ne jemi në një diskutim dhe debat konfliktual midis opozitës dhe shumicës qeverisëse. Shkarkimi i z. Muho është në kundërshtim me procedurat e Kodit Zgjedhor dhe shkaku i shkarkimit të tij po ashtu është në kundërshtim me këtë Kod.

– 3 dorëheqjet e anëtarëve të KQZ-së janë pjesë e zgjidhjes apo e problemit të tensionimit të klimës parazgjedhore?

Dorëheqjet synojnë të sjellin në vëmendje të politikës në përgjithësi, por në rastin konkret të shumicës qeverisëse, faktin se KQZ-ja është dhe duhet të jetë jashtë ndërhyrjeve  dhe ndikimeve politike të çdo krahu. Çdokush mundet të japë gjykimin e vetë për këto dorëheqje, por më së pari është rasti që këto dorëheqje të lexohen si më sipër.

Nëse me shkarkimin e z. Muho jo të gjithë kuptuan se, situata me KQZ-në nuk ishte normale, besoj se, dorëheqjet e tre anëtarëve e synojnë ta bëjnë të qartë situatën jo normale dhe për të tjerë. Qofshin këta edhe indiferentët ndaj politikës.

– Po në bazë të Kodit Zgjedhor, a është zgjidhje e problemit të funksionimit të KQZ-së, emërimi nga Kolegji Zgjedhor i 3 anëtarëve, derisa partitë përkatëse nuk japin kandidatura?

– Nuk ka asnjë mundësi që kjo të ndodhë.

– Nëse Kolegji Zgjedhor vendos për emërimin e 3 anëtarëve, cili do të jetë reagimi i opozitës?

– Dy gjysma të këqija nuk bëjnë një të tërë  të mirë. KQZ-ja është institucion që buron nga konsensusi politik i arritur nga reforma zgjedhore, ndaj nuk mund të zëvendësohet nga një KQZ e miratuar nga Kolegji Zgjedhor, pasi nuk do të ketë konsensusin e mirëbesimin e opozitës.

– Prekja e KQZ-së, a e ka dëmtuar në mënyrë të pakorrigjueshme besueshmërinë e vetë procesit zgjedhor dhe a ka vënë qysh tani në pikëpyetje edhe besueshmërinë e rezultatit të 23 Qershorit?

– Nuk është fare vonë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët. Është e qartë se çdo palë politike kërkon të ketë një përmbushje sa më të plotë të qëllimeve dhe interesave politike edhe në një çështje sikurse është kjo e përbërjes së KQZ-së. Deri diku kjo është normale edhe në shumë vende me demokraci pluraliste  më të konsoliduar se ne. Por nga ana tjetër duhet të mbajmë në vëmendje se e drejta e gjithsecilit nuk mundet të cenojë standardin e procesit zgjedhor, besimin e zgjedhësit në këtë proces, si dhe interesin e palës tjetër politike.

– Me logjikën e balancimit politik në KQZ, a mundet që pas 23 Qershorit, po të ndryshojnë raportet politike në Kuvend, të kërkohet rikompozim edhe i KQZ-së?

– Me logjikën e përdorur nga PD-ja, po. Por sa kohë kjo është në kundërshtim me ligjin, besoj se PS-ja nuk ka dhe nuk do të ketë atë qasje. PS-ja do të ndërtojë shtetin e së drejtës, duke zbatuar ligjin dhe jo duke shkelur ligjin, sipas interesave partiake, sikurse vepron PD-ja me KQZ-në tani.

– Prekja e KQZ-së, a ka të bëjë edhe me dëmtimin edhe më shumë të përpjekjeve për ndërtimin e një shteti të së drejtës?

Sa thashë më lartë e konfirmon në mënyrë pranuese pyetjen tuaj.

– Atëherë,  a mund të shqetësohemi, se kemi bërë hapa mbrapa dhe me pasoja në integrimin e Shqipërisë?

Nëse nuk kemi bërë hapa prapa, të paktën në vend kemi ngelur. Koha ka ecur. Kështu që në një kuptim kjo është barasvlershme me të bërit hap prapa.

Funksionimi formal i KQZ-së, është i pavlerë

– Në bazë të Kodit Zgjedhor, a mundet që KQZ-ja të vazhdojë funksionimin e të marrë vendime që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke qenë se është vetëm me 4 anëtarë?

– Vlefshmëria formale e vendimeve të KQZ-së në përbërjen e saj vetëm me 4 anëtarë, nuk mundet t’i japë besim procesit të vendimmarrjes së këtij institucioni. Kjo nuk lidhet me atë se çfarë përfaqësojnë 4 anëtarët firmëtarë sipas rastit të akteve të ndryshme të KQZ-së. Të paktën jo vetëm këtë fakt. Më së shumti lidhet me atë se, tani ky institucion ka humbur besimin edhe formal të opozitës. Kjo nuk është pak. Madje, besimi në institucionet e administrimit të zgjedhjeve është kusht, pa të cilin nuk ka as edhe proces zgjedhor, sipas standardeve. Kjo do të thotë se, funksionimi formal, aktual, i KQZ-së është pa ndonjë vlerë.