Ilirjan Celibashi: “Ligji “Për Nëpunësin Civil” nuk zhbëhet, do bëhet i zbatueshëm”

174

Ministri për marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, në intervistën për “Telegraf”, zbardh politikën e qeverisë përse kërkon që ligji “Për Nëpunësin Civil” të ridiskutohet, pasi, kështu siç është, nuk mund të zbatohet, edhe pse hyn në fuqi në 1 tetor. “Prandaj, qeveria e re kërkon shtyrjen dhe jo zhbërjen e këtij ligji”,- kjo është  përgjigja që jep ministri Celibashi në “Telegraf”, në përgjigje të kritikave që ka bërë sot opozita.

– Zoti Celibashi, cili do të jetë roli juaj si ministër për marrëdhëniet me Parlamentin në kabinetin “Rama1”?

Thelbi i përgjegjësive të ministrit për marrëdhëniet me Parlamentin konsiston me mbarëvajtjen e këtij raporti ndërmjet qeverisë dhe pushtetit legjislativ. Ky raport ka ekzistuar, sepse e ka përcaktuar Kushtetuta, por është menduar këtij raporti t’i jepet një dimension tjetër, që gjërat të jenë më konkrete, në kuptimin e cilësisë dhe shpejtësisë, sesa raportet që kanë qenë në të kaluar. Qeveria synon që të ndërmarrë edhe disa reforma më të thella ligjore, pse jo, edhe kushtetuese, që e bën më të domosdoshme një kontakt e bashkëpunim më të ngushtë me Kuvendin e Shqipërisë. Nga ana tjetër, ka edhe një argument, që e meriton të thuhet. Ministrat nuk do të jenë më deputetë. Edhe pse në anën formale, kjo redukton prezencën, komunikimin e kabinetit me Kuvendin, kështu që del e domosdoshme, që kjo marrëdhënie të ruhet dhe një anëtar i kabinetit të jetë i dedikuar raportit dhe marrëdhënies me Kuvendin.

– Përse  maxhoranca e re do të kërkojë shtyrjen e ligjit “Për Nëpunësin Civil”, që të mos hyjë në fuqi më 1 tetor, i cili u miratua  me konsensus të gjerë,nga Kuvendi i mëparshëm, si pjesë përbërëse e 3 ligjeve?

– Dua ta them që në fillim. Qëllimi ynë nuk është që të zhbëjmë ligjin dhe as të bëjmë lëvizje me motiv politik në administratën publike. Për hir të së vërtetës, që nga momenti që qeveria e re ka marrë votëbesimin, ne kemi parë të gjithë problematikën që lidhet me mirëfunksionimin e kësaj qeverie dhe të gjitha institucioneve, që janë në varësi të saj. Të konsultuar edhe me ekspertë të jashtëm, kemi një bindje, që ka shumë aspekte të ligjit “Për Nëpunësin civil”, të cilat praktikisht janë të pazbatueshme dhe në tërësi, ai ligj, në momentin që hyn në fuqi, pra në 1 tetor,  nuk realizon qëllimin e vet, për të cilin është miratuar. Konsiderata jonë ka të bëjë me qëllimin që duam ta shtyjmë  këtë ligj, kërkojmë  ta rishikojmë, ta vlerësojmë, se cilat janë ato çështjet, që realisht,  në gjykimin thellësisht juridik, padyshim, që dikush tjetër mund të mendojë që është interesi politik, por jo në qëllimin e keq, duam të diskutojmë dhe të shikojmë se çfarë ka vend për të rregulluar.

– Jeni konsultuar me ekspertë të BE-së, duke qenë se ata kanë asistuar edhe gjatë hartimit të këtij ligji?

– Ju garantoj në emër të qeverisë, që kemi të gjithë koshiencën politike dhe ligjore për të kuptuar sesa e rëndësishme është kjo çështje dhe ky diskutim. Ne nuk duam, që për çfarëdo arsye të vëmë në rrezik konsensusin dhe më shumë akoma, perspektivën europiane të Shqipërisë. Duam ta diskutojmë si një çështje, e cila preokupon të dyja palët. Nëse pala tjetër mendon që kjo është një çështje që nuk e preokupon, ne nuk besoj se do të jemi në pozitën e të sjellurit në mënyrë arbitrare, por nga ana tjetër, do ta konsiderojmë, në funksion  të shërbimit të shtetit në interes edhe të opozitës.

Si do t’i përgjigjeshit opozitës, që ju doni të fitoni kohë, kur ndërkohë, ju futni njerëzit tuaj në administratën publike?

– Ky është një shqetësim që ekziston, padiskutim i përligjur dhe për atë traditë politike që ka në Shqipëri, çdo opozitë do të ishte e justifikuar. Koha do ta vërtetojë dhe  tregojë nëse qëndrimi i kësaj maxhorance do të jetë revanshist- nëse përdor këtë termë, ndaj administratës aktuale. Nuk e kemi absolutisht këtë qëllim.

– Kur mund të rikthehet në vëmendjen tuaj çështja e atyre problemeve që mbeti pezull në miratimin e Reformës Parlamentare, për të cilën ju, si opozitë kishit kundërshtime të mëdha?

– Të gjitha ato çështje që opozita e sotme do t’i sjellë në rikonsiderim, me qëllim që zëri dhe perfomanca e saj të jetë  në përputhje me qëllimet dhe rolin e saj politik, ne do t’i vlerësojmë.  Për momentin, nuk mund të themi absolutisht asgjë, sepse Kuvendi sapo ka filluar, nuk rezulton që të ketë debat  apo diskutim.

– Po vota e fshehtë, a do të rikthehet në Kuvend?

– Vota e fshehtë është një proces që siguron veprimtarinë dhe garanton indipedencën e pavarësinë e pozicionit të Kuvendit dhe integritetin e tij.

– Kur pritet që ministrat të japin dorëheqjen dhe cila do të jetë procedura?

Procedura e dorëzimit do të bëhet jo e menjëhershme, sepse ka edhe aspektin e vet teknik, sepse është e pamundur të bëhet kolektive dorëheqja, sepse do të ketë efekte edhe të numrave në Kuvend. Akoma nuk e kemi përcaktuar në mënyrë përfundimtare radhën, mënyrën. As kohën kur do të fillojë, ende nuk e kemi përcaktuar. Nuk është emergjente dhe urgjente kjo punë, sepse është një detaj teknik dhe nuk lidhet me çështje politike.

Ju keni pohuar që për reformat në drejtësi, mund të duhen edhe ndryshime kushtetuese. Keni gjetur për këto edhe konsensusin e opozitës?

– I gjithë ky debat nuk duhet bërë, i kemi apo jo  84 numrat në Kuvend, përsa i përket çështjes së drejtësisë. Nëse të gjitha kahet e politikës kanë bindjet që sistemi i drejtësisë është një sistem, i cili në radhë të parë, nuk ka autoritetin dhe besimin e qytetarëve, nuk është një shërbim i cili me të vërtet garanton drejtësi për të gjithë, atëherë, të gjithë, në mënyrë të logjikshme do të kenë bindjen që duhet të bëjmë çdo gjë, drejtësia të japë drejtësi, vendimmarrjet e saj të jenë të bazuar në Kushtetutë  e në ligj, të bëhet i besueshëm për të gjithë qytetarët. Nëse për këtë reformë që shtrohet domosdoshmërist, duhet të ndryshojmë edhe Kushtetutën dhe të ndërmarrim edhe reforma të karakterit kushtetues, për të arritur këtë qëllim, unë jam i bindur se as opozita nuk ka përse të kundërshtojë.

Ja përse do ta shtyjmë futjen në fuqi të ligjit “Për Nëpunësin Civil”

– Ju ku mendoni se ky ligj  duhet riparë e përmirësuar?

– Ne mendojmë se në aspektin juridik dhe ligjor ka çështje që meritojnë të diskutohen për ta bërë këtë ligj të implementueshëm. Ne nuk kërkojmë as të shtyhet ky ligj, as të humbasë fuqinë, nuk kërkojmë që të ndryshojmë në përgjithësi përmbajtjen e tij, por qëllimi është të korrektojmë disa elemente, me qëllim që këtë ligj ta bëjmë të zbatueshëm.

Cilat janë pikat konkrete, ku duhet të ndryshohet ligji “Për Nëpunësin Civil”?

Kushdo që ka sadopak njohuri juridike, e kupton, që zbatueshmëria e këtij ligji, lidhet edhe me hartimin e akteve nënligjore. Dhe kjo ka si bazë nisjeje 1 tetorin, që do të thotë, që nga 1 tetori e më tej, kjo qeveri ka të drejtën dhe përgjegjësinë që të nxjerrë akte nënligjore për zbatimin e këtij ligji. Nëse këto akte nuk do të miratohen, ky ligj është praktikisht i paaplikueshëm. Ky ligj, kështu siç është, pa aktet nënligjore, nuk zbatohet. Ndaj ne duam ta bëjmë të zbatueshëm. Koha që kishim, pasi u vetëbesuam, nuk mundnim të përgatitnim aktet nënligjore të këtij ligji. Ne nuk kërkojmë të heqim asnjë lloj garancie që ka të bëjë me zbatueshmërinë e këtij ligji dhe me vetë garancitë që afron ky ligj më 1 tetor. Në atë ligj, atje ka dispozita pa sens juridik. Përse janë aty, kjo është çështje tjetër.

– Për shembull, cila dispozitë?

– Një dispozitë e tillë, është ai që ka të bëjë me ndalimin që ky ligj, i cili akoma nuk ka hyrë në fuqi, ka bërë për procedurat e ndryshme të  shërbimit civil, të cilat do zhvillohen deri 3 muaj përpara se të hyjë në fuqi ky ligj. Këtu jemi përpara një nonsensi juridik. Si ka mundësi, që një ligj, i cili ende nuk ka hyrë në fuqi, të bëjë ndalime për një aspekt të caktuar.