Ilir Meta:“Zgjedhjet nuk do të bojkotohen”

547
Sigal

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta në një intervistë televizive në studion e “Top-Story”, përballë Sokol Ballës

Kalimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në koalicion opozitar, për fat të keq ka shërbyer për të sjellë një krizë të thellë politike dhe institucionale në vend.

 – Çfarë ndjesie është të riktheheni përsëri në opozitë?

– Në politikë kam hyrë si opozitar dhe si një parti opozitare. Kjo ndjesie është e njohur mirë tashmë.

Përtej argumentit politik, argumenti i dytë i maxhorancës është ai i pakorrektësive në CV-në e zotit Muho. A mendoni se ishte një gafë naive ajo e mosdeklarimit?

 – Lidhur me pretendimet e pseudo-maxhorancës, sepse e tillë është tashmë, mund të them se ka humbur logjikën, kontrollin, arsyen dhe çdo lloj përgjegjësie përpara vendit. Nuk e përtypim dot atë rotacion të domosdoshëm, të pashmangshëm dhe të sigurt. Ajo që ndodhi me minimin e pavarësisë së KQZ-së ka të bëjë me prishjen e standardit të zgjedhjeve, në mënyrë antiligjore dhe antikushtetuese, e në mënyrë të njëanshme. Natyrisht që do të ketë ndikim, por mendoj se në fund do të jetë pozitiv, në drejtimin e një angazhimi më të madh të opozitës dhe të të gjithë shqiptarëve.

 – Përpara se të shkojmë tek tema e zgjedhjeve, duhet të pyesim se çfarë do të ndodhë me KQZ-në? PS tha që nuk do të propozojë emra të rinj. A do ta bëjë këtë LSI?

 -LSInuk mund të bëhet pjesë e kësaj farse. Ne sot nuk kemi një KQZ, nuk është më siç e përcakton kodi, e pavarur. Nuk është dhunuar vetëm një person, që u hoq në mënyrë të paligjshme, por u dhunua institucioni. Ky ka qenë edhe shkaku i reagimit individual të anëtarëve të tjerë të KQZ. Në përpjekjen për të kontrolluar në mënyrë të paligjshme nuk mund të bëhet lojë edhe opozita.

 – Po shohim një seri braktisjesh të opozitës, nga KQZ, tek zëvendëskryetari i Kuvendit, Nasip Naço, që paraqiti sot dorëheqjen e tij.

 – Opozita nuk po braktis asgjë, përkundrazi do të shumëfishojë forcat dhe energjitë e saj. Po kështu, opozita nuk kërkon shtyrjen e zgjedhjeve, por afrimin nëse ka mundësi. Opozita ka çdo kapacitet dhe instrument për të garantuar dhe një votë të vetme, kudo që ndodhet në të gjithë vendin. Sot, të gjithë prozhektorët brenda dhe jashtë vendit janë fokusuar tek Sali Berisha, njeriu që po shkatërron zgjedhjet, njeriu që kujton se vetëm duke pasur kontroll absolute mbi çdo institucion do të imponojë shumica që nuk ekzistojnë, pasi shumica është tjetër. Në të gjithë zgjedhjet PD ka qenë pakicë, e majta është shumicë, pavarësisht historive që të gjithë i dinë shumë mirë. Në qoftë se do, le ta mbajë KQZ siç do, le ta bëjë shtatë me zero, siç ka qenë në vitin 1996. Opozita sot është në një start tjetër, është e bindur që të garantojë një rotacion të pashmangshëm dhe të sigurt.

 – Por, a do të shkojë opozita drejt një braktisjeje të mundshme të zgjedhjeve?

– Jo, ju siguroj ama që nuk ka asnjë shans për bojkot të zgjedhjeve. Berisha duhet të gjejë si do të dalë nga kjo situatë, me dinjitet, reflektim apo ndonjë mënyrë tjetër, pasi rezultatin e humbjes nuk e ndryshon dot, as të paguajë me miliona dollarë për “Podestën”, që manipuloi deklaratën e Jonathan Moore, drejtor në Departamentin Amerikan të Shtetit për Çështjet e Europës Qendrore e Jugore, e këto janë fonde që merren nga taksapaguesit.

 – Megjithatë, duke dashur të gjesh një lloj logjike, duket se lëvizja e maxhorancës në KQZ ka një sens balancimi, sepse kalimi LSI i ndryshoi raportet tek KQZ e komisionet e numërimit?

–        Ky nuk është, por spekulim. Argumenti i vetëm është ligji. KQZ është institucion kushtetues i pavarur dhe mandati i anëtarëve është gjashtë vjet, nuk është katër, por gjashtë. Tjetra, që është shumë e rëndësishme, institucionet e tjera si KZAZ janë të përkohshme, vetëm për një palë zgjedhje dhe atje kanë partitë rol kryesor.

–        – Ju thoni që zgjidhja mund të ishte gjetur edhe nëpërmjet mbajtjes së negociatave?

 – Ju kujtoj që kodin e ka bërë PD me PS, ne kemi pasur kundërshtimet tona, por ata e kanë bërë me konsulencën e OSBE-së dhe negociatat ishin të natyrshme nëse do të mbaheshin. Dua t’i rikthejmë dinjitetin KQZ-së, duhet të kemi zgjedhje me standardin e duhur dhe kjo është përgjegjësi e Berishës.

 – Ju e takuat atë natë në Kryeministri zotin Berisha dhe atë natë u dukët sikur u ndatë në paqe?

 – Raportet tona në katër vjet, që kur iu përgjigjëm pozitivisht ftesës kanë qenë konstruktive, bashkëpunuese, edhe pse kemi ndarë mendime të ndryshme për çështje të ndryshme, që në raste të caktuara janë shprehur edhe publikisht dhe në takimin e fundit.

Megjithatë, u duk se divorci do të ishte në paqe e në pushtetin lokal do të vazhdonte bashkëpunimi, por në fakt, fill pas votimit të LSI-së të një projekti të rëndësishëm në bashki, një ditë më pas erdhi fillimi i përpjekjes për shkarkimin. A është kjo një prerje në besë?

 – Shqetësimi real është diferenca e madhe midis dy koalicioneve dhe besimit për ardhjen e saj në pushtet pas 8 vitesh e situatës me gjendjen elektorale të Partisë Demokratike. Kjo lëvizje duhej bërë për të krijuar pikërisht të kundërtën e kësaj bindje, që të dekurajojnë sa më shumë elektoratin e të shpikin beteja të paqena, me koston e shkatërrimit të një institucioni kushtetues, e tani për Shqipërinë e shqiptarët, çdo kusht i ndërkombëtarëve lidhet me zgjedhjet. Nëse KQZ qëndron kështu është një turp i madh për vendin tonë dhe gjithçka që vjen pas kësaj.

 – Mund të thuhet që ka pasur një raport special mes jush dhe Bashës në këto vite?

 – Raportin më special e kam patur me Berishën. Nuk kam pasur marrëveshje me asnjë tjetër. Natyrisht, me zotin Basha kam patur komunikim shumë të mirë, jo gjatë këtyre katër viteve, por edhe përpara se të angazhohej në politike, por nuk kam pasur asnjëherë asnjë marrëveshje me të

Bën përshtypje fraza që thatë se s’do të kishte moral për LSI-në që t’i kundërvihej një qeverie që ajo bënte pjesë. Pyetja e një qytetari nga “Tvvitter” është nëse LSI do të bëjë fushatë kundër Berishës apo qeverisë “Berisha”?

 -LSIdo të bëjë fushatë për të vendosur një ekuilibër të ri politik në vend, për të bërë një ndryshim të domosdoshëm, një ndarje të re të pushteteve dhe një të ardhme të re europiane për vendin, sepse problemi kryesor në këto vite ka qenë ngërçi mes maxhorancës dhe opozitës.

– Pra nuk do të ketë një president të ri?

 – Pa dyshim që jo. Ne nuk jemi si kjo maxhorancë, që shkarkon drejtues e anëtarë të institucioneve të pavarura.

 – Çfarë pengon sot më shumë integrimin, zgjedhjet dhe prishja e KQZ apo tre ligjet?

– Sot, absolutisht zgjedhjet. Sepse këto janë problemi më i rëndësishëm, ndërsa ligjet janë konsideruar si një minimum i domosdoshëm. Në këtë drejtim shpresoj në një zgjidhje të përgjegjshme për procesin e KQZ-së, ndërsa përsa i takon çështjes, shpresojmë dhe besojmë që mund të ketë iniciativa pozitive në këtë drejtim.

 – Pritet që opozita të votojë ligjet brenda kësaj legjislature?

 – Ne jemi në hartimin e një marrëveshje me PS, ku thelbi iLSI-së është angazhimi europian dhe i çuarjes përpara të tre ligjeve. Synimi ynë është t’i miratojmë brenda kësaj legjislature, sepse po s’u bë brenda kësaj kohe, rrezikojmë statusin edhe në dhjetor.