Ilir Meta:“Poli i tretë, do të përmirësojë klimën e tensionuar politike”

475
Sigal

Ilir Meta, Kryetari i LSI-së: “Vendimi ynë,  për koalicionet, do të bazohet tek leximi korrekt i votës së qytetarëve”

Kryetari i LSI-së, në një intervistë dje, zbardhi qëndrimin e LSI-së përsa i përket polit të tretë, cilat forca politike mund të jenë pjesë përbërëse e saj, koalicionet e mundshme zgjedhore e paszgjedhore, si edhe raportet politike që do të ndërtojë me Berishën dhe Ramën, pas 23 Qershorit.

Z. Meta çfarë do t’i propozonit ju Konventës Kombëtare të LSI-së për koalicionin?

– Akoma nuk kemi menduar se si do të procedojë konventa. Si rrjedhim dhe unë nuk kam menduar për këtë çështje pasi mendoj se është ende një investim i parakohshëm.

– Ndërkohë që, konsiderohet si një fakt i kryer afrimi juaj me PBDNJ-në apo jo?

– Kemi raporte shumë të mira me z. Dulen, kemi raporte me të gjithë aktorët e tjerë, por jemi ende në një periudhë të parakohshme për të marrë vendime të rëndësishme.

– Ju duket ide interesante krijimi i një poli të tretë?

– Mendoj se është e rëndësishme të ketë një alternativë tjetër sa më të qëndrueshme dhe racionale. Kjo sepse polarizimi ekstrem dhe kjo ashpërsi e papranueshme mendoj që sjellin një situatë paraelektorale të tensionuar dhe dëmton standardin e zgjedhjeve të ardhshme. Në këtë mënyrë mund të ketë edhe pasoja të tjera negative për gjithë proceset, sidomos atë të integrimit, pas zgjedhjeve. Vendi ka nevojë për disa zëra sa më të fuqishëm të arsyeshëm dhe që bazohen në argumente sa më të arsyeshëm. Duhet një alternativë sa më konstruktive dhe sa më e fuqishme.

– Kë pjesë të spektrit politik e shikoni si një alternativë konstruktive?

Nuk dua të bëj gjykime të forcave të caktuara politike, por ka forca politike që nuk kanë prioritet konfliktin apo protagonizmi përmes konfliktit.

– Z. Topi është pjesë e këtij projekti?

– Ky është një projekt që përjashton dikë. E rëndësishme është që ky projekt duhet të ketë edhe një profil. Nuk është thjesht çështje numrash. Duhet të ketë edhe disa parametra mbi të cilët të ndërtohet, ku më kryesoret është për të pasur një politikë sa më konstruktive në shërbim të integrimit evropian të vendit, me një vendosmëri për të sjellë frymë pozitive në politikën shqiptare.

– Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi është shprehur se edhe në 2013 koalicioni me LSI-në është i sigurt. Çështja që shtrohet është se ky koalicioni do të jetë para apo pas zgjedhjeve?

As këtë prononcim të z.Patozi nuk e kam dëgjuar, por unë personalisht me z.Patozi kam një mirëkuptim të shkëlqyer.

A është krijimi i Polit të Tretë në funksion të qeverisjes aktuale për të shtyrë më tej reformat integruese?

Krijimi i një alternative tjetër është në funksion të normalizimit të mëtejshëm të politikës shqiptare dhe evropianizimit të saj në të gjitha aspektet.

Në një rrethanë të tillë ju kë do të preferonit Kryeministër Berishën apo Ramën?

Nuk mendoj se kjo është pyetje që më motivon për t’u përgjigjur sepse nuk e shikoj këtë çështje si një zgjedhje personale, apo një raport personal me një individ të caktuar, përkundrazi, për ne vendi duhet të ecë më shpejt në rrugën e integrimit evropian dhe qëLSI-ja t’i shërbejë stabilitetit dhe përshpejtimit të këtij procesi të integrimit europian. Pastaj ka disa skenarë dhe kuptohet që vendimi ynë do të bazohet tek leximi korrekt i votës së qytetarëve.

Çfarë po ndodh me çështjen e Rezolutës Çame?

Kjo është një çështje që i takon Kuvendit për ta shqyrtuar. Ne jemi shprehur pro një iniciative të tillë dhe ne kemi në program zgjidhjen e drejtë të Çështjes Çame si një çështje fondamentale e të drejtave të njeriut.