Ilir Meta:“Çështja e Kryeministrit i takon PS-së”

417
Sigal

Intervista e Kryetarit të LSI-së, Ilir Meta për televizionin “Ora News”

Z. Meta, mendoni se duhet të kishte dalë z. Berisha për të pranuar rezultatin dhe humbjen?

Unë besoj se po. Duke të kishte dalë për një deklarim, sepse kjo do t’i shërbente edhe mbylljes sa më të shpejtë të procesit të numërimit dhe do t’i shërbente normalizimit më të shpejtë të jetës politike, sociale dhe institucionale në vend.

Do ta ndërrojë Kryeministri i ri karrigen e tij?

Kjo është një pyetje që dua t’ia bëni Kryeministrit të ri.

Që mesa duket nuk ka dilema. Do të jetë z. Rama apo jo?

Kjo është një çështje që i takon Partisë Socialiste, normalisht si parti e parë e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.

Z. Meta LSI-ja mund të konsiderohet surpriza e madhe e këtyre zgjedhjeve. Si u arrit kjo fitore?

Kjo është një analizë më komplekse. Nuk besoj se për ju vetë është një surprizë. Unë jua kam thënë para disa javësh tek “Rogneri”. Ju kam thënë që sondazhet që janë publikuar të gjitha synojnë dekurajimin e votuesve tëLSI-së. Ju kam thënë gjithashtu se do të marrim rreth 17 mandate dhe kam e kam deklaruar publikisht prej më shumë se një muaji që do të merreshin 80 mandate nga koalicioni opozitar. Kjo ka qenë plotësisht e pritshme dhe e parashikueshme sepse këtu ka shumë faktorë, ku faktori kryesor është që shpirti i ndryshimit dhe i qytetarisë evropiane u shpreh përmes votës së lirë.

Ka pasur zëra që fituesi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve jeni ju z. Meta.

Fituesi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve është dëshira e shqiptarëve për ndryshim dhe që Shqipëria të ecë më shpejt në rrugën e paqes sociale , në rrugën e ndryshimit, në rrugën e zgjidhjes së problemeve të mëdha ekonomiko dhe sociale dhe natyrisht në rrugën e integrimit evropian. Vlerësimi përLSI-në vjen sepse është treguar si një faktor stabiliteti, bashkëpunimi, integrimi. Një forcë që i qëndron marrëveshjeve

Duke paksa i përulur, e këmbë në tokë dhe pa tone triumfatore. Si shpjegohet? Keni ndonjë informacion për situatën ku ndodhet shteti shqiptar, gjendja financiare?

Jo nuk ka lidhje me këtë sepse dihet që situatë është problematike. Edhe ky votim ka qenë si rezultat i asaj që ndjenë qytetarët shqiptarë në familjet e tyre për sa ju takon sfidave të përditshme ekonomike dhe sociale, por nuk mendoj se ka qenë diçka e papritur. Cili është roli që keni menduar të luani në legjislaturën e ardhshme?

Për ne është e rëndësishme që Shqipëria të hyjë në një erë të re të të bërit politikë, të komunikimit publik, të ushtrimit të një përgjegjësie publike në emër të interesit publik, dhe të kemi një qeverisje gjithëpërfshirëse, në kuptimin e angazhimit dhe të vlerësimit të përfshirjes së gjithë atyre që kanë ç’të japin, mendime, ide, kontribute, të grupeve të interesit, pasi mendoj që një frymë arrogance e demonstruar deri tani, padyshim që përjashtoi shumë aktorë, grupe interesi dhe njëkohësisht ndikoi në vendimmarrje  jo shumë të mençura dhe afatgjata.

Në një interviste tuajën dje, ju keni thënë që do të dëshironit një ndryshim të ligjit zgjedhor të kodit dhe riparimet. Këto në axhendën tuaj janë të ngutshme, domethënë do të fillojnë që në vitin e parë, apo do të lihen për ne vitin e tretë ose të katër të qeverisjes tuaj?

Këto natyrisht që nuk janë çështjet më imediate. Më imediate mendoj që janë forcimi i rendit, forcimi i ligjit, sepse prej gati një viti  ka një përkeqësim seriozë të situatës së rendit publik dhe të ligjit. Njëkohësisht rikonstruktimi i  ekonomisë, ndërmarrja e shumë reformave sociale, të cilat njëkohësisht nuk mund të ndodhin pa një rikonstruktim të ekonomisë. Por absolutisht që për ne këto mbeten prioritete të pandryshuara. Njëkohësisht drejtues të PS-së janë shprehur pro këtyre rivlerësimeve, rishikimeve, për këto çështje por natyrisht që këto nuk janë çështje që i takojnë thjesht maxhorancës sado e gjerë që është ajo. Këto janë çështje të cilat kanë të bëjnë me ndryshime kushtetuese dhe me konsensus midis dy palëve. Pra, do duhet që edhe opozita e tanishme, e sotme, të bjerë dakord për të realizuar rikthimin e Kushtetutës në themelet e saj  të vërteta që votoj populli shqiptar.

 

Nëse PDIU që është sot është pjesë e mazhorancës, nesër me 5 deputetë do të kërkojë të bëhet pjesë e koalicionit të majtë qeverisës, ju a do ta pranonit?

Mendoj se kjo është një pyetje që nuk ka asnjë arsye që unë t’i jap një përgjigje. Mendoj se është e rëndësishme të ecet drejt përfundimit të shpejtë të këtij procesi. Gjithashtu mendoj se është e rëndësishme që institucionet të formohen sa më shpejt. Dhe kjo nuk ka të bëjë me ndonjë shqetësim tjetër, përveçse me atë që ka shumë reforma që duhen bërë në mënyrë që Shqipëria të kapë të gjitha afatet për të marrë statusin e vendit kandidat të BE-sç brenda muajit dhjetor.

 

Kjo aleancë mes PS-së dhe LSI-së ka shumë dilema. Duke pasur parasysh edhe përplasjet e forta dhe marrëdhënien e vështirë që keni pasur ju me Ramën në të kaluarën dhe dualizëm mes jush. A do të mbajë kjo marrëveshje?

Së pari, unë kam treguar që në raportet politike ngrihen mbi të shkuarën e raporteve personale, sepse çdo politikan i cili për veprime që i takojnë të ardhmes do ti referohej raporteve personale, gjithmonë do dilte një pengesë, apo do dilte gjithmonë edhe një problem moral. Por, morali kryesor këtu është një aksion i përbashkët, i gjithë forcave politike, të së majtës kryesisht por edhe progresiste në përgjithësi, për të krijuar një model ndryshe qeverisjeje. Dhe së dyti, absolutisht që kjo marrëveshje e cila i ka themelet e saj të firmosura në marrëveshjen e Shkodrës, është një marrëveshje shumë parimore dhe koha do tregojë të gjithë konstruktivitetin tonë dhe luajalitetin tonë si forcë politike. Kështu që kjo është çështje vullneti dhe vullneti ynë është për ti qëndruar marrëveshjes, sepse vendi ka nevojë për marrëveshje, ka nevojë për bashkëpunim. Jo vetëm për një bashkëpunim të qëndrueshëm PS dhe LSI dhe gjithë partive të tjera të kësaj aleance fituese, por edhe për një frymë bashkëpunimi më të gjerë në të gjithë jetën politike dhe shoqërore.

Disa thonë se do ta keni të vështirë të bashkëpunoni me z. Rama, por siç duket do të lidheni akoma më shumë. Z. Meta e keni këtë frikë?

Jo nuk e kam këtë frikë se për aq kohë sa do të kemi z. Gjinushi. Ai mund të japë ndonjë kontribut që të jetë sa më i larmishëm koalicioni.

Z. Meta, duket sikur po flisni nga pozita e një kryetari Parlamenti. Sa e vërtetë është kjo?

Unë kam kohë që flas në këtë mënyrë. Të them të vërtetën nuk do të ishte ndonjë kënaqësi e veçantë të ishe kryetar Parlamenti kur aty mungon një deputet me shumë kontribute, sepse duke qenë lart në atë postin e kryetarit të Kuvendit do të ndihej një mungesë e madhe. Kështu që mund të jetë më mirë të qëndruarit poshtë.

Cili do të jetë funksioni juaj në ekzekutivin e ardhshëm?  

Mendoj se, kjo nuk është gjëja më e rëndësishme se çfarë do të jem unë apo dikush tjetër. Më e rëndësishme është që ne t’i qëndrojmë besnikërisht votuesve, të cilët besuan vërtet që kjo është një Aleancë për Shqipërinë Europiane. Duhet të punojmë në këtë drejtim. Kemi humbur shumë kohë. Pra të ecim më shpejt.

A do të jeni ju në një post ekzekutiv?

Këtë gjë unë nuk mund ta them dhe nuk është ky prioriteti im plus që unë nuk jam njeri pa një funksion. Kam një funksion shumë të rëndësishëm sepse jam kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

A keni një mesazh për z. Berisha?

Unë mesazhin e kam dhënë me kohë që duhej të përkushtohej më shumë për standardin e zgjedhjeve.

A ia njihni këtë meritë Berishës sesi po ndodh rotacioni?

Merita më e madhe i takon popullit shqiptar dhe natyrisht z. Berisha është pjesë e popullit shqiptar.