Ilir Meta:Çdo vendim i marrë s`do cenojë marrëdhëniet me SHBA-të

419
Sigal

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka shprehur besimin se, vendimi që do të marrë Kryeministri Rama sa i përket armëve kimike do të jetë në përputhje me interesin qytetar. Në një prononcim për mediat në lidhje me këtë çështje, Kryeparlamentari Meta ripërsëriti se nuk ka ende një vendim të marrë nga qeveria për këtë çështje dhe gjithçka tjetër është propagandë. “I gjithë ky shqetësim që është i drejtë sa i përket qytetarëve, të rinjve dhe të rejave të cilët janë helmuar gjatë gjithë këtyre ditëve nga një propagandë që bazohet mbi spekulime. Dua t’u jap një mesazh të qartë se s`ka asnjë vendim mbi të cilin ne duhet të vendosim. Sigurisht mund të ketë patur komunikime me zyrtarë të lartë të vendeve partnere apo të OKB-së por s`ka pasur asnjëherë ndonjë vendim. Prandaj të mos nxitohemi pasi nuk mendoj se duke u nxituar sjellim diçka pozitive por përkundrazi Kryeministri Rama është shprehur se, çdo vendim do të jetë transparent dhe do të ketë në themel të ardhmen e qytetarëve.  Unë kam besim të plotë që Kryeministri Rama që çdo hap që do të hedhë do ta përputh me interesin publik, me interesin e qytetarëve, me interesin kombëtar prandaj askush nuk duhet të nxitohet për të paragjykuar këtë proces”, u shpreh Meta. Gjithashtu, Meta hodhi poshtë aludimet se një përgjigje negative nga qeveria shqiptare do të cenonte marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Nuk besoj se çdo vendim sovran dhe i përgjegjshëm që do të merrte qeveria nuk do të cenonte marrëdhëniet me aleatin tonë kryesor strategjik SHBA-të. Përkundrazi, mendoj se trajtimi i një çështjeje të tillë me realizëm do të vlerësohet si një pjekuri dhe përgjegjshmëri sepse unë jam i sigurt që  angazhimi dhe preokupimi i SHBA-së është që Shqipëria të jetë një aleat dinjitoz në aleancën euroatlantike dhe natyrisht ne do të jemi gjithmonë të tillë duke marrë ato përgjegjësi që mund të mbajmë”, u shpreh Meta.