Ilir Meta:Akte nënligjore mes dy ministrive që shoqëria civile të kontrollojë zbatimin e ligjit të mbetjeve

452
Sigal

Kryetari i Kuvendit kërkon angazhimin e Ministrisë së
Drejtësisë dhe të Mjedisit


Ilir Meta: Shoqëria civile i ka mundësitë të verifikojë
zbatimin e ligjit të mbetjeve


Gazeta Telegraf/


Një ditë para
protestës së paralajmëruar të shoqërisë civile kundër këtij ligji, miratuar nga
maxhoranca më, 22 shtator në Kuvend, kryetari Meta iu referua edhe amendamentit
të propozuar nga LSI për ligjin në fjalë, i cili, sipas tij, ka për qëllim
pikërisht, monitorimin e zbatimit të këtij ligji mjaft sensitiv. “Sot i kërkova
sërish ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe ministrit të Drejtësisë, Ylli
Manjani që ky detyrim ligjor, të shoqërohet edhe me iniciativa të tjera
konkrete që realizojnë plotësisht monitorimin qind për qind nga shoqëria civile
të zbatimit të ligjit për importin e mbetjeve. Ne e respektojmë shqetësimin e
shoqërisë civile dhe kjo është arsyeja pse grupi i LSI-së paraqiti dhe është
mbështetur nga shumica dhe nga ministria e Drejtësisë dhe e Mjedisit për të
krijuar të gjitha hapësirat që ky ligj të bëhet 100% praktik. I pyetur për
zgjedhjet e parakohshme për kryetar Bashkie në Kolonjë (pas ndarjes së papritur
nga jeta të kryebashkiakut Arben Malo), Meta u përgjigj se këtë do t’ia lërë në
dorë koalicionit të majtë dhe se nuk do të dalë me kandidat më vete. “Për ne,
aq më tepër për mua personalisht kjo nuk ka rëndësi. Kjo ka qenë një humbje e
parakohshme dhe e pamerituar, kështu që nuk kam as në mend të merrem me
kandidatët apo kandidatet për këtë çështje, por do të ndjek edhe unë dhe
kolegët e tjerë disa nga projektet që ai i nisi me shumë përkushtim e dashuri
për Kolonjën. Jam i bindur, se koalicioni do të gjejë kandidatë sa më të mirë,
por unë e kam të vështirë të gjej kandidat në nivelin e tij. Dhe këto janë
zgjedhje krejtësisht lokale, të një lloji aksidental”, deklaroi kreu i
Kuvendit. Lidhur me votimin e ligjit të SPAK-ut me konsensus dhe të opozitës
dhe rikthimin e saj në komision, Meta tha se “pa asnjë diskutim që votimi i
sotëm tregoi se mirëkuptimi dhe konsensusi mund të funksionojnë edhe për ligje
të tilla kaq kruçiale për zbatimin e reformës në drejtësi, pas miratimit me
konsensus të ndryshimeve kushtetuese, edhe në këto kushte kur mazhoranca i ka
plotësisht legjitime votat për të miratuar këto ligje”. “Por kjo reformë kaq e
rëndësishme kërkon që të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur për mirëkuptim, për
konsensus, për një klimë sa më konstruktive në mënyrë që dhe mesazhet më të
fundit që vijnë edhe nga Brukseli për të mbështetur një rekomandim pozitiv për
çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian të bëhen një fakt i
kryer në javët e ardhshme”, tha Kryetari i Kuvendit.

 


Miratohet me konsensus ligji për funksionimin e
Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit

 

Mazhoranca dhe
opozita bashkuan dje votat në komisionin e posaçëm për miratimin e projektligjit
për ngritjen e strukturave antikorrupsion, në kuadër të paketës ligjore për
reformën në drejtësi. Pas mbledhjes, nënkryetari demokrat i komisionit, Oerd
Bylykbashi, tha se ligji u miratua pas një beteje disa javore ku opozita ngriti
pesë çështje thelbësore dhe që kishin të bënin me antikushtetuetshmërinë që çon
drejt kapjes nga qeveria të organeve antikorrupsion. “Të gjitha çështjet u
pranuan dhe  janë të përfshira në ligjin
e SPAK-ut”, tha Bylykbashi. Projektligji për SPAK rregullon funksionimin e
Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe gjykatave speciale,
organeve përgjegjëse për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Miratimi i këtij drafti i hap rrugën miratimit më 6 tetor në parlament të
paketës prej 6 ligjesh, që do të mbështesin zbatimin e reformës në drejtësi.