Ilir Meta: Të mësojmë nga njëri-tjetri për të krijuar një klimë biznesi miqësore në rajon

49

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në Forumin e Biznesit dhe Investimeve Maqedoni-Shqipëri-Kosovë, që u zhvillua në Tiranë. Gjatë fjalës përshëndetëse të mbajtur, z. Meta vlerësoi këtë aktivitet të rëndësishëm biznesi e investimesh, duke e cilësuar si një iniciativë domethënëse dhe në kohën e duhur. Kryetari i Kuvendit u shpreh se, ky aktivitet ka një risi, sepse ndoshta për herë të parë më tepër se kurdoherë rajoni ynë duhet të shikohet si një treg rajonal investimesh, jo vetëm për investimet e ndërsjella, por sidomos për investimet e huaja strategjike në vendet tona. “Ka ardhur koha që të mësojmë nga eksperiencat e njëri-tjetrit për të krijuar një klimë biznesi sa më miqësore në nivel rajonal ku më tepër sesa konkurrencës me njëri-tjetrin, duhet t’i japim më shumë rëndësi konkurrencës së rajonit tonë me rajonet e tjera kudo në botë, për shkak se tregjet tona modeste dhe të fragmentuara nuk mund të bëhen një atraksion i vërtetë për investitorët e mëdhenj strategjikë në rast se nuk do të shkojmë drejt krijimit të një tregu rajonal për investimet e huaja”,- theksoi z. Meta. Duke folur për situatën ekonomike në rajon, Kryetari i Kuvendit tha se, ajo është akoma e brishtë dhe se kjo e bën edhe më emergjente nevojën për të ndërmarrë reforma të thella strukturore ekonomike për të përqafuar një model ekonomik që ka në zemër nxitjen e prodhimit dhe eksporteve, thithjen e investimeve në manifakturë, turizëm, bujqësi, në shërbime dhe teknologjinë e informacionit, etj. Në vijim, Kryetari i Kuvendit vizitoi edhe panairin e bizneseve maqedonase që ishte organizuar me këtë rast në ambientet e Hotel Tirana International. I shoqëruar nga organizatorët e këtij eventi, z. Meta u njoh nga afër me produktet agro-ushqimore të ekspozuara në tendat e panairit nga përfaqësues të biznesit maqedonas.