Ilir Meta: Të forcojmë edhe më tej partneritetin strategjik me SHBA

446
Sigal

 

Kryeparlamentari
kërkon vetëpërmbajtje në politikën e jashtme

Kryetari i
Kuvendit Ilir Meta komentoi të premten deklaratat e kryeministrit Edi Rama për
presidentin e sapozgjedhur të SHBA-se, Donald Trump. Gjatë një prononcimi për
mediat, Meta u shpreh se duhet treguar maturi në raport me politikën e jashtme,
për të ruajtur besueshmërinë e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe me qëllim
forcimin e marrëdhënieve me SHBA. “Unë besoj që të gjithë duhet të shohim
përpara. Besoj se ky është edhe mesazhi pas zgjedhjeve të në SHBA, që është
dhënë edhe atje. Aq më tepër edhe këtu në vendin tonë ku besoj që duhet të jemi
të gjithë më të përmbajtur për të ruajtur besueshmërinë e politikës së jashtme
të Shqipërisë, që ka qenë një nga pikat tona më të forta përsa i takon
potencialit të Shqipërisë për të qenë një faktor i rëndësishëm, moderator dhe
stabilizues në Ballkan. Në këtë drejtim absolutisht të forcojmë edhe më tej
partneritetin strategjik me SHBA duke respektuar zgjedhjet që bëhen atje
sikurse të gjithë besoj kanë rënë dakord”, u shpreh Meta. Kreu i Kuvendit
komentoi edhe përplasjet e fundit mes Tiranës dhe Athinës, duke theksuar se ky
debat është i panevojshëm. I pyetur për vendimin që do të marrë LSI, sa i takon
bashkëpunimit në zgjedhjet e 2017-s, Meta u përgjigj se LSI do të bëjë
gjithmonë zgjedhjet që i interesojnë qytetarëve, stabilitetit të vendit dhe
përshpejtimit të integrimit evropian të Shqipërisë. I pyetur nëse është nevoja
e krijimit të një poli të tretë politik, kreu i Kuvendit u përgjigj se “vendit
i duhet më shumë dialog politik, më shumë konsensus për çështjet më të
rëndësishme të vendit, përfshirë edhe politikën e jashtme, e cila për fatkeq
javët e fundit, jo thjeshtë ditë e fundit pas zgjedhjeve në Amerikë, por në
vazhdimësi, është bërë një temë e debatit të panevojshëm. Pasi besoj se të
gjithë jemi të ndërgjegjshëm që në këtë drejtim ka patur një konsensus solid,
dhe absolutisht duhet të përqendrohemi te 5 prioritetet, te zbatimi i reformës
në drejtësi në mënyrë që të hapen sa më shpejt negociatat me BE dhe të rrisim
ndërkohë kapacitetet tona për të negociuar në mënyrë të suksesshme dhe afatgjata”,
nenvizoi Meta. Lidhur me mundësinë e penalizimit nga Greqia në dhjetor, përsa i
takon çeljes së negociatave, kryeparlamentari 
shprehu nevojën që të shohim përpara. “Duhet të vazhdojmë të jemi një
shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit me fqinjët dhe i rolit stabilizues të
Ballkanit Perëndimor. Kjo ka qenë fuqia e Shqipërisë si një faktor i
stabilitetit në rajon””, deklaroi Meta.