Ilir Meta- Takao Makino, bashkëpunimit ndër-parlamentar dhe rritje e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike

445
Sigal

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti dje zv. ministrin e Jashtëm Parlamentar të Japonisë z. Takao Makino. z. Meta i vlerësoi marrëdhëniet politike mes Shqipërisë dhe Japonisë si shumë të mira dhe shprehu besimin se vizita e z. Makino, e cila vjen pas disa vizitave reciproke të nivelit të lartë, do t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare dhe marrëdhënieve ekonomike. Gjithashtu, z. Meta shprehu mirënjohjen për asistencën e vyer japoneze, veçanërisht përmes Agjencisë Japoneze për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (JICA), dukë vënë në dukje se Shqipëria e konsideron Japoninë si një partner shumë të rëndësishëm për zhvillimin e saj ekonomik. z. Takao Makino shprehu kënaqësinë për vizitën e tij në Tiranë dhe theksoi se Japonia i sheh projektet e përbashkëta ekonomike të nisura me Shqipërinë si bazë solide e intensifikimit të shkëmbimeve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Zv. Ministri Makino bëri një vlerësim të veçantë për rolin konstruktiv që Shqipëria luan në rajon, dhe shprehu mbështetjen e Japonisë përmes projekteve të ndryshme ekonomike në rajon, në funksion të forcimit të stabilitetit rajonal. Kryetari Meta dhe zv.ministri Makiko diskutuan gjithashtu mbi rritjen e numrit të turistëve Japonezë që vizitojnë Shqipërinë çdo vit dhe mbi intensifikimin e shkëmbimeve studentore, të cilat do të shërbejnë si ura të forta miqësie dhe bashkëpunimi mes dy popujve. Në përfundim, z. Meta dhe z.Makino biseduan për thellimin e bashkëpunimit ndër-parlamentar përmes grupeve të miqësisë, dhe ndanë bindjen e përbashkët se intensifikimi i këtij bashkëpunimi, do t’i shërbejë rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Japonisë.