Ilir Meta: Statusi është inkurajim për demokracinë

476
Sigal

Unë besoj se Shqipëria ka hyrë tashmë në një fazë shumë pozitive të integrimit të saj europian, e cila reflektohet në të gjitha zhvillimet politike të muajve të fundit.  Në kulmin e një fushate të nxehtë politike, pas disa muajve e viteve të lodhshme të humbura, ne ia dolëm të miratojmë tre ligje të rëndësishme, të cilat ishin edhe kushtet e mbetura të BE-së. Rrjedhimisht, pritshmëria e statusit të kandidatit ka pasur një ndikim pozitiv në plotësimin e kritereve. Zgjedhjet parlamentare të qershorit ishin të lira dhe të ndershme, si dhe një zhvillim shumë i mirëpritur dhe pozitiv.  Tranzicioni i pushtetit u krye në mënyrë demokratike dhe tërësisht evropiane, i cili, sërish është një moment pozitiv në historinë tonë politike. Dhe që prej konstituimit të Parlamentit të ri, ne kemi qenë dëshmitarë të një klime të ndryshme politike dhe të një mjedisi më pozitiv se ai, i këtyre viteve të fundit. Të gjitha palët duhen përgëzuar e janë njëkohësisht tregues i fuqisë transformuese të zgjerimit.  Parlamenti tani funksionin me pjesëmarrjen e plotë të të gjitha partive politike. Opozita luan një rol aktiv në seancat plenare, punën e komisioneve parlamentare dhe është e përfaqësuar më së miri në delegacionet tona të përhershme, pranë organizatave ndërkombëtare, ku Kuvendi i Shqipërisë është palë. Megjithë, numrin më të vogël të deputetëve në Kuvend, opozita e re kryeson po të njëjtin numër komisionesh parlamentare dhe ruan të njëjtin përfaqësim në delegacionet tona të përhershme jashtë, nëse jo më shumë, se ato që ka pasur ish opozita socialiste.

Puna e Kuvendit është fokusuar kryesisht në sigurimin e një bashkëpunimi më të madh politik se në të kaluarën dhe ne kemi vënë re një cilësi më të mirë debati midis maxhorancës dhe opozitës.  Procesi i integrimit evropian dhe masat e ndërmarra në këtë kontekst, kanë qenë mes çështjeve kryesore të diskutuara në Kuvend gjatë muajve të fundit. Unë jam partizan i dialogut dhe besoj se të gjithë biem dakord me faktin që Shqipëria ka nevojë për një dialog të qëndrueshëm dhe konstruktiv politik, që të përparojë me axhendën e saj evropiane të reformave dhe, në pikëpamjen time, kjo kërkon një mënyrë dialogu gjithëpërfshirëse, që nënkupton, hapësira shtesë për opozitën që të shprehet dhe të jetë kontribuuese konkrete në funksionimin demokratik të Kuvendit.  Bashkëpunimi mes maxhorancës dhe opozitës është i prekshëm dhe i dukshëm. Javën e kaluar, me iniciativën e opozitës, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me unanimitet një Rezolutë mbi Integrimin Evropian, ku i kërkonte qeverisë të rriste përpjekjet e saj në adresimin e rekomandimeve kyçe të Komisionit, si dhe ku i kërkohej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të votonin pro Statusit Kandidat të Shqipërisë.  Parlamenti, pas një seance me grupet e interesit dhe shoqërisë civile votoi unanimisht pro Rezolutës për Mbrojtjen dhe Respektimin e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri. Ky ishte rezultat i punës së dy komisioneve, konsultimeve të gjera me shoqërinë civile dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë që punojnë në fushën e të drejtave të njeriut. Ky sesion i ri parlamentar nuk është ndërprerë asnjëherë për shkak të konfliktit politik. Ne do të punojmë fort për ta ruajtur këtë frymë dhe për të siguruar që gjithpërfshirja të udhëheqë punën tonë parlamentare.   Ne jemi të ndërgjegjshëm se na duhet ta ruajmë këtë dialog politik të përbashkët, në mënyrë që të ecim më tej me përpjekjet e mëdha të përbashkëta që nevojiten në fushën e reformave të gjyqësorit dhe në termat e reformës administrative dhe territoriale.  Kompromisi dhe përfshirja do të jetë fokusi i angazhimit tim si Kryetar i Kuvendit.   Unë besoj se një bashkëpunim më i ngushtë dhe sistematik me institucionet e pavarura dhe me shoqërinë civile do të na ndihmojë jashtëzakonisht për të forcuar rolin e monitorimit të Kuvendit, të dhënë nga Kushtetuta. Gjithashtu do të na ndihmojë për të rritur transparencën në procesin e hartimit dhe votimit të legjislacionit, gjë që sigurisht, do të përkthehet në më shumë garanci për të drejtat e njeriut dhe kohezion social. Mbi të gjitha, unë dëshiroj të shoh se Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me grupet e ndryshme të interesit dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, kontribuon në rritjen e llogaridhënies të të gjitha institucioneve tona. Mbështetja e strukturave të BE-së ndaj vendit tonë është vendimtare për të ruajtur momentin pozitiv.  Në Tiranë ka nisur një Dialog i Nivelit të Lartë midis Komisionerit të BE-së Fule dhe Kryeministrit Rama për të garantuar që masat afta-shkurtra të jenë efektive dhe të japin rezultate të prekshme, ndërkohë që garanton që ne nuk e humbasim fokusin për t’iu adresuar pesë prioriteteve që përmbajnë rekomandimet e Progres Raportit të Komisionit.  Për të qenë i sinqertë, ne nuk pretendojmë të bëjmë mrekulli në 3 muaj, por gjatë kësaj periudhe të shkurtër janë bërë përpjekje të lavdërueshme për të forcuar sundimin e ligjit, duke përfshirë luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Është emëruar një Koordinator Kombëtar për Anti- Korrupsionin dhe ai tashmë po harton strategjinë Anti-Korrupsion. Aktualisht, në Parlament po diskutohet një paketë e re Anti-Korrupsion, e cila synon ashpërsimin e masave dhe veprimit kundër rasteve të korrupsionit në nivel të lartë, duke u fokusuar veçanërisht në konfiskimin e pasurive, gjë që nuk është bërë në të shkuarën. Sigurisht, qëllimi ynë është që çdo hap i rëndësishëm përpara të hidhet me asistencën e shteteve anëtare të BE-së. Gjithashtu, Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë një aksion masash disiplinore ndaj gjyqtarëve që po pengojnë mire-funksionimin e procedurave ligjore. Gjithashtu, Qeveria ka rritur aksionin e saj kundër informalitetit dhe ndërtimeve dhe aktiviteteve të paligjshme, përmes një qasjeje shumë më të ndryshme dhe më të ashpër për zbatimin e ligjit. Është nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi midis Ministrisë së Punëve të Brendshme, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Shërbimit Inteligjent Shtetëror, i cili synon të rrisë bashkëpunimin mes organeve të zbatimit të ligjit për të luftuar të gjitha format e krimit. Statistikat më të fundit tregojnë një rritje të efikasitetit të agjencive të zbatimit të ligjit. Ne presim që pas autorizimit të Këshillit të Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme, në ditët e ardhshme të firmoset marrëveshja e bashkëpunimit operacional me EUROPOL-in. Kjo do të ndihmojë për koordinimin e punës së agjencive tona me homologet e tyre evropiane në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm dhe aktiviteteve të tjera trans-kombëtare. Në rajon, siç e keni pranuar dhe ju, jemi krenar që vazhdojmë të forcojmë qasjen tonë tradicionale dhe shumë konstruktive ndaj fqinjëve tanë, dhe veçanërisht ndaj shqiptarëve që jetojnë në shtetet të tjera, sepse ne besojmë në një rajon në paqe, të sigurt dhe të zhvilluar në të mirë të qytetareve tanë.  Pavarësisht vendimit të Këshillit në dhjetor, ne jemi të vendosur të vijojmë me ritmin e reformave të rëndësishme që Shqipëria ka ndërmarrë, sepse ne jemi të vetëdijshëm që reformat nuk duhen bërë për hatër të Evropës, por para së gjithash, për t’i shërbyer qytetarëve tanë. Ashtu siç besoj se dhënia e statusit të kandidatit do jetë një inkurajim për të vijuar përpjekjet tona.