Ilir Meta: Standardet e zgjedhjeve, përcaktuese për integrimin euroatlantik

433
Sigal

Gazeta telegraf/ Kryeparlamentari
shqiptar pret në takim ambasadorin e e ri të OSBE

  

Kryetari i Kuvendit,
Ilir Meta priti dje ambasadorin e ri të OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, të
cilit i uroi mirëseardhjen në Tiranë dhe i uroi suksese në detyrën e re. Kryeparlamentari
Ilir Meta vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me OSBE dhe vuri në dukje se Kuvendi
është i gatshëm ta intensifikojë atë më tej.

Në këtë kuadër u
vlerësua kontributi i kësaj organizate në drejtim të përmirësimit të
aktivitetit parlamentar në Shqipëri, duke mbështetur rritjen e standardeve të
transparencës, monitorimit dhe përcjelljes së aktivitetit parlamentar më pranë
qytetarëve shqiptarë.

Ambasadori Borchardt
shprehu kënaqësinë e rikthimit në Shqipëri, në krye të Prezencës së OSBE-së dhe
shprehu gatishmërinë për të thelluar më tej bashkëpunimin me Kuvendin, si dhe
vullnetin për të mbështetur avancimin e reformës elektorale sipas rekomandimeve
të OSBE/ODIHR-it.

Kryeparlamentari Meta
nënvizoi në përfundim rëndësinë e çdo ndryshimi që prej reformës elektorale që
garanton transparencë maksimale të procesit zgjedhor, pasi standardet e
zgjedhjeve të ardhshme do të përcaktojnë jo vetëm legjitimitetin dhe
integritetin e institucioneve të reja, por edhe dinamikën e integrimit evropian
për të ardhmen.

Diplomati 61 vjeçar
gjerman Bernd Borchardt para emërimit në krye të Prezencës së OSBE-së në Tiranë
ka mbajtur postin e shefit të zyrës së EULEX-t në Kosovë. Ai rikthehet në
Shqipëri pas gjashtë vitesh, pasi më pare ka drejtuar misionin diplomatik të
Republikës Federale Gjermane në Tiranë, në vitet 2007-2010.