Ilir Meta: Sigurova Bashën për legjitimitet dhe transparencë. Do të bëj gjithcka që procesi të jetë i suksesshëm

484
Takimi mes Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta dhe kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duket se ka dhënë rezultat. Në dallim nga takimi mes Kryetarit të PD-së dhe Kryeministrit Edi Rama, i zhvilluar pak ditë më parë, ku palët pothuajse mbyllën cdo dritare për vijimin e dialogut, negociatat duket se janë rihapur pas takimit të zhvilluar paraditen e djeshme mes Kryeparlamentarit dhe kreut demokrat. Takimi 120 minutësh ka nisur me një urim që Kryetari i Kuvendit i ka drejtuar Kreut të PD-së, i cili dje festonte 42 vjetorin e lindjes. Në vijim, Kreu i Kuvendit i ka shprehur bashës ndjesën për gabimin teknik në Kalendarin e Kuvendit, sikundër e ka siguruar për një proces dhe procedurë parlamentare tërësisht legjitime dhe me integritet për miratimin e Paketës Kushtetuese për Reformën në Drejtësi. “I shpreha kreut të PD-së kënaqësinë dhe vlerësimin tim për angazhimin e opozitës në procesin e hartimit të ndryshimeve kushtetuese dhe mbështetjen që i ka dhënë Reformës në Drejtësi. Kam kërkuar nga Basha mirëkuptim për zhvillimin e procedurave parlamentare dhe përcaktimin e kalendarit për mbarëvajtjen e procesit dhe miratimin e paketës kushtetuese sa më shpejt dhe në mënyrë të padiskutueshme. Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit, mbetem i hapur për dialog me të gjitha palët me qëllim që të miratojmë sa më parë, me koherencë dhe transparencë, reformën më themelore për shtetin e së drejtës dhe të ardhmes së Shqipërisë evropiane”, tha Meta në një konferencë për mediat, pas takimit me Bashën.
A ju është kërkuar nga z. Basha ndonjë kusht nëse mund të cilësohet si i tillë përsa i përket reformës zgjedhore? Dimë që të gjithë që Partia Demokratike kërkon numërimin dhe votimin elektronik përsa i përket zgjedhjeve të ardhshme? Gjithashtu PD ka depozituar një nismë tjetër që e lidh me dekriminalizimin, ndonëse është quajtur dekusarizimi. A ju është kërkuar në këmbim një negocim përsa i përket këtyre dy çështjeve?

Lidhur me miratimin e Reformës në Drejtësi, që ishte qëllimi kryesor edhe i vetëm i këtij takimi nga ana ime si Kryetari i Kuvendit, pas një keqkuptimi dhe reagimi mjaft të ashpër të Partisë Demokratike lidhur me Kalendarin e Kuvendit të enjten e kaluar pas seancës, ka qenë garantimi i z. Basha për vullnetin dhe për vendosmërinë time si Kryetar i Kuvendit për të ecur përpara, tashmë që ka ardhur momenti final, në një mënyrë mjaft transparence me procedurat parlamentare. Sepse, kemi të bëjmë me ndryshimet kushtetuese për reformën më të rëndësishme që presin qytetarët shqiptarë, por edhe partnerët tanë ndërkombëtare. Natyrisht që nuk mund të mos ju them që nuk janë ngritur nga z. Basha edhe probleme të tjera, të cilat kanë të bëjnë me ecurinë e ligjit të dekriminalizimit, apo me problemin e votimit elektronik dhe të transparencës së zgjedhjeve të ardhshme. Unë i kam bërë të qartë se opozita ka të gjithë mbështetjen opozita, por edhe mazhoranca, si edhe të gjithë që janë të interesuar dhe nuk kemi arsye për të paragjykuar askënd, por meqenëse opozita ka ngritur pretendimet e saj, në vullnetin tim për të kontribuar në zbatimin e plotë të ligjit për dekriminalizimit që e kemi miratuar me konsensus, dhe njëkohësisht për të realizuar votimin elektronik dhe çdo çështje që ka të bëjë me transparencën lidhur me zgjedhjet e ardhshme, kërkesë që ia kemi bërë dhe Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Mund t’ju them që edhe partnerët ndërkombëtarë janë të angazhuar për të asistuar Komisionin e Reformës Zgjedhore në këto aspekte teknike. Por për Reformën në Drejtësi, sipas z. Basha dhe sipas përfaqësuesve të Partisë Demokratike, ka vetëm një çështje për të cilën jam shprehur në komunikatën zyrtare që sapo lexova. Pra nuk ka çështje të tjera parimore të pa dakordësuara, të cilat pengojnë vullnetin e opozitës për të dhënë konsensusin e saj.

Ju në këtë takim a paraqitët ndonjë propozim tuajin për zgjidhjen e ngërçit, një formulë alternative ndoshta që do të rikthente dialogun mes palëve?

Dua t’ju siguroj se nga pozita e Kryetarit të Kuvendit nuk kam qenë aspak i përfshirë në të gjithë procesin e diskutimeve apo të përmbajtjes, apo të formulimeve lidhur me Reformën në Drejtësi. Gjithmonë, nga fillimi i këtij procesi, kam kërkuar gjithëpërfshirje dhe kam theksuar se qendra e gravitetit të konsensusit, i cili për fat keq ende mbetet i vështirë në politikën tonë për shkak të kulturës të konfliktualitetit, për Reformën në Drejtësi është Komisioni i Venecias. Dhe besoj se këtë qëndrim e keni dëgjuar në fillim dhe në mënyrë të vazhdueshme. Komisioni i Vencias është angazhuar mjaft seriozisht duke u shprehur dy herë dhe duke dhënë dhe Opinionin final në muajin mars, duke i dhënë përgjigje pretendimeve të gjithë aktorëve të interesuar për çështje të caktuara, përfshirë edhe Partinë Demokratike. Ashtu sikurse jam shprehur qartë, pas Opinionit final të Komisionit të Venecias, se duke hasur përsëri lexime të ndryshme për çështje për të cilat Komisioni i Venecias nuk është shprehur në mënyrë eksplicite dhe të qartë, si qendër reference për konsensusin e vështirë, të mbeteshim rekomandimet e EURALIS-it dhe të OPDAT-it si aktorë të paanshëm. Sot jam njohur me një pretendim konkret dhe do ta ndjek me vëmendje këtë pretendim, por besoj që me vullnet të mirë kemi të gjitha mundësitë që shumë shpejt, mundësisht që dje do thosha, por kjo është e pamundur sepse nuk kthehemi dot mbrapsht në kohë, apo që para një muaji apo para dy muajsh, të ecim me procedurat parlamentare në mënyrë konsensuale. Për mua është shumë e rëndësishme të bëhen të gjitha përpjekjet në orët që vijnë, në minutat që vijnë, për t’i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, por edhe partnerëve ndërkombëtare, një reformë kushtetuese në Drejtësi e cila të garantojë standardet më të mira ndërkombëtare dhe njëkohësisht të jetë një reformë që të këtë përkrahjen e të gjithë aktorëve kryesorë në parlament dhe në vend, sepse nuk është një reformë për disa muaj, por është një reformë për dekadat që vijnë.
A shihni të vendit një takim trepalësh midis jush, z. Basha dhe z. Rama?
Unë jam në zyrë që nga dita e enjte dhe në mënyrë të vazhdueshme dhe do të vazhdoj të jem këtu për të përmbushur të gjitha përgjegjësitë e mia si Kryetar i Kuvendit, sepse është bërë punë e madhe prej gati dy vitesh. Ka qenë një angazhim i jashtëzakonshëm dhe tani është shumë e domosdoshme ta kurorëzojmë me sukses të plotë këtë reformë të cilën e kërkojnë qytetarët shqiptar, por të cilën e presin me shumë interes edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, Bashkimi Europian, në mënyrë të veçantë për t’i dhënë një mundësi Shqipërisë për rekomandimin për çeljen e negociatave, por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilat janë shumë të interesuara, jo vetëm për të shtyrë përpara procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, por njëkohësisht edhe për të bërë efektive sa më shpejt ndihmën dhe mbështetjen e tyre për disa nga institucionet e reja që do të krijohen, sidomos për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorinë Speciale Antikorrupsion.
A e keni rakorduar këtë qëndrim me Edi Ramën? Ju flisni për integritetin e procesit, kjo do të thotë që ju nuk do të lejoni të ketë votave jashtë votave zyrtare të mazhorancës për reformën në drejtësi, siç kaun kanë rekomanduar dhe ndërkombëtarët apo siç u kanë bërë thirrjes ndërgjegjes së çdo deputeti për ta bërë këtë? Çfarë do të thotë integritet dhe legjitimitet në proces?

Lidhur me faktin a kemi rakorduar me z. Rama për këtë çështje, mund t’ju them që e kam informuar z. Rama për iniciativën për t’u takuar me z. Basha, madje për të qenë edhe më transparent me ju këtë e kam bërë pas krijimit të keqkuptimit në Kalendarin e Kuvendit për “gjoja” futjen fshehurazi të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, që në çdo rast besoj dhe ju ndani të njëjtin qëndrim, që do të ishte një veprim jo vetëm i marrë, por edhe mjaft i pajustifikueshëm, për të mos thënë ndonjë fjalë tjetër, sepse jo vetëm për ndryshimet kushtetues, por edhe për çdo ligj apo iniciativë më të thjeshtë, respektimi në mënyrë strikte i këtyre procedurave është një detyrë e Kryetarit të Kuvendit, e Konferencës së Kryetarëve, e shërbimeve të Kuvendit. Dhe duke marrë shkas nga kjo situatë dhe nga kriza e kohës, që e theksoj se ende jemi në krizë kohe, prandaj them gjithmonë që duhet të kishim votuar dje. Duhet ta kishim votuar para një muaji, duhet ta kishim votuar para dy muajsh sepse kemi një kalendar që presim edhe për zbatimin e reformës dhe për të arritur disa nga qëndrimet e saj sa më shpejt, siç është edhe rekomandimi për çeljen e negociatave apo dhe bërja efektive e ndihmës dhe e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për disa nga institucionet e reja që do të krijohen. Pra, pas kësaj, kam qenë i detyruar të kërkoj një takim në nivelin më të lartë me opozitën parlamentare dhe me Kryetarin e Partisë Demokratike. Përpara se të bëja publike ftesën për të, i kam telefonuar dhe në fakt ideja ime kryesore ka qenë për t’u takuar me z. Basha, për t’u takuar edhe me z. Rama dhe me përfaqësues të mazhorancës, pse jo dhe me përfaqësues të misioneve që na asistojnë dhe që janë marrë me këtë çështje, për të dakordësuar kalendarin dhe njëkohësisht për të shtyrë procesin sa më shpejt. Z. Basha ka preferuar që takimi të ishte me mua si Kryetar i Kuvendit, pasi sipas tij, kishte diskutuar çështjet që kishte për të diskutuar me z. Rama në takimin e mëparshëm. Natyrisht unë jam treguar fleksibël siç e keni vënë re për gjithçka, edhe për vendin, edhe për orën, edhe për kohën sepse për mua nuk ka gjë më të rëndësishme se sa kurorëzimi me sukses i këtij procesi që është edhe një mundësi shumë e rëndësishme për Kuvendin aktual të Shqipërisë, për të kontribuar dhe në ndryshimin e imazhit të tij sa të mundet përpara qytetarëve shqiptarë dhe përpara partnerëve ndërkombëtar në këtë vit të fundit kalendarik që i mbetet të konsumojë deri në zgjedhjet e ardhshme. Kështu që nuk ka qenë qëllimi im për të diskutuar për përmbajtjen me z. Basha, por ka qenë më shumë për kalendarin. Por natyrisht nuk mund të them që nuk mund të dëgjoja me vëmendje pretendimin e z. Basha dhe mund të them që i kam mbajtur edhe shënim.

Sigurisht unë do të kem mundësi që të takohem me z. Rama. Do të kem mundësi të takohem edhe me përfaqësues të tjerë të Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi dhe me aktorë të tjerë, por qëllimi im nuk ka qenë asnjëherë që të hyj në përmbajtjen e kësaj reforme. Qëllimi im ka qenë gjithmonë që ky të jetë një proces i hapur, të jenë një proces transparent. Ky të jetë një proces konsensual që garanton standardet e kësaj reforme dhe ky takim u bë për këtë qëllim dhe ky angazhim është vetëm në këtë drejtim.Dhe i ftoj të gjithë aktorët të demonstrojnë në orët që kanë mbetur, në minutat që kanë mbetur, nuk po them ditët, që të demostrojnë përgjegjshmëri, të demostrojnë transparencë, të demostrojnë koherencë sepse për mua si Kryetar i Kuvendit nuk është shumë e rëndësishme se kush e ka fajin, në rast se procesi nuk i realizon të gjitha qëllimet e tij. Për mua ka rëndësi që ky proces të realizohet me sukses të plotë dhe kjo është një detyrë e të gjithë aktorëve në Kuvendin e Shqipërisë. 

Z. Meta, do të thotë se do t’i çoni një ftesë të veçantë Kryeministrit, sepse z. Rama në takimin që ka pasur me z. Basha ka deklaruar se nuk e pranon formulën për vendet e rezervuara?

Nuk jam këtu për të diskutuar lidhur me përmbajtjen, sepse nuk kam qenë pjesë e diskutimeve konkrete, formulimeve konkreteve, negociatave konkrete për këtë çështje. Por jam këtu për të kontribuar dhe për të siguruar të gjithë, për të garantuar transparencë maksimale, integritet maksimal të të gjithë procesit duke filluar nga kalendari dhe gjithë ecuria e tij. Dhe së dyti, për të kontribuar që të arrijmë një reformë konsensuale, me cilësi dhe standarde, një reformë që do t’i japë një shpresë të madhe dhe një nxitje të madhe Shqipërisë dhe shqiptarëve për të ecur në rrugën e forcimit të ligjit, të forcimit të institucioneve, të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe të krijimit të një mjedisi shumë më të favorshëm dhe të besueshëm për zhvillimin ekonomik të vendit, të sipërmarrjes dhe të tërheqjes së investimeve të huaja.

Por nëse nuk gjendet kjo dakordësi z. Meta ju mund të mbështesni një draft që mund të kalojë dhe me votat e disa deputetëve të opozitës, të njëanshëm?

Unë jam këtu për t’ju siguruar se do të bëj çdo gjë në orët, në minutat që vijnë për të garantuar që ky të jetë një proces i suksesshëm për vendin dhe të jetë një sukses që i bashkon shqiptarët në sfidën e tyre për të forcuar shtetin ligjor, për të garantuar një sistem efikas, një sistem të paanshëm të drejtësisë dhe nuk jam këtu për të patur paragjykime të nxituara. 
Sigal