Ilir Meta: Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kërkesat e BE-së

461
Sigal

Intervista e Kreut të Parlamentit Shqiptar për gazetarin e mirënjohur, z. Janusz Bugajski, në “Albanian Screen”

 Kreu i Parlamentit Shqiptar dhe njëkohësisht, Kryetari i forcës së tretë më të madhe në  vend, Lëvizjes Socialistë për Integrim, në një intervistë të dhënë për gazetarin e mirënjohur, z. Janusz Bugajski, mes të tjerash ka deklaruar lidhur me çështjen e integrimit të Shqipërisë në BE, se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet e vëna nga BE-ja. Ndër të tjera z. Meta ka folur për pretendimin e refuzimit të Shqipërisë në BE për shkak të popullsisë myslimane, si dhe lidhur me marrëdhëniet SHBA-Shqipëri, pas refuzimit të shkatërrimit të armëve kimike në vend, duke i përshkruar ato si marrëdhënie tepër solide dhe besimi të fuqishëm reciprok. Në vijim mund të lexoni pjesë të shkëputura nga kjo intervistë.

 Siç e dini, në SHBA, Kongresi nuk shihet me sy të mirë. Mendoj se pëlqyeshmëria e tij ka rënë shumë dhe mendohet se nuk po bën aq sa duhet, nuk po miraton ligjet e duhura e me radhë. Nuk e di sa janë përqindjet këtu. Sa është përqindja e pëlqyeshmërisë së Parlamentit shqiptar? Ka sondazhe në Shqipëri për Parlamentin?

 -Nuk besoj që ka ndonjë sondazh, por nuk jemi aty ku duhet, ndaj theksoj qëndrimin tek problemet, tek zgjidhja e tyre dhe jo thjesht tek kundërshtimi i njëri-tjetrit. I kemi kapacitetet nga të dyja anët, kemi përfaqësues me eksperiencë, me mundësi për të kontribuar për zgjidhjen dhe kemi mundësi për të shmangur një polarizim, i cili duket si i një periudhe të fillimit të tranzicionit, por në thelb është tërësisht jashtë kohe, sepse nuk ndodh në shoqërinë tonë, ku shkalla e mirëkuptimit dhe emancipimit është shumë e lartë.

 Të flasim tani për vendimin e BE-së për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Si mendoni, ç’e motivoi një vendim të tillë? Mos vallë fakti që Shqipëria nuk ka arritur standardet e pritshme, nuk ka përmbushur kushtet që iu caktuan, apo kemi të bëjmë me diçka më të thellë? Ndoshta pak paragjykim nga ana e disa prej vendeve europiane anëtare për ta pranuar Shqipërinë në BE? Cili është këndvështrimi juaj për këtë çështje?

 -Motivimi vjen nga demotivimi, pra ka një demotivim për sa i përket zgjerimit dhe kjo është e kuptueshme. Ne nuk na vjen mirë, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm për këtë demotivim. Kjo çështje është lënë për më vonë për disa arsye dhe nuk ka të bëjë me plotësimin dhe mosplotësimin nga ana e Shqipërisë të atyre kërkesave që iu kërkuan Shqipërisë për marrjen e statusit kandidat, sepse Shqipëria i ka plotësuar të gjitha. Përndryshe nuk do kishte asnjë arsye që Komisioni Europian të bënte një rekomandim pa kushte për Shqipërinë. Mendoj se, Komisioni Europian  është institucioni më i specializuar i vetë BE-së për të bërë një vlerësim të tillë dhe nga ana profesionale, por ka pasur një vendim politik, i cili ka të bëjë me mekanizmin politik te marrjes së vendimeve të BE, një çështje e hapur për debat edhe brenda BE-së, mjafton një vend i vetëm të vendosi veton. Kjo është pjesë e këtij mekanizmi dhe në rastin konkret patëm një veto holandeze. Përpara se kjo çështje të vlerësohej nga ministrat e jashtëm, Parlamenti Holandez e mbylli këtë çështje. Pati dhe vende të tjera, të cilët u shprehën se, për këtë çështje qershori do të ishte më i përshtatshëm. Mos të harrojmë që Parlamenti Europian ishte plotësisht pro dhënies së statusit kandidat dhe pothuajse ishte një vendim unanim. Mjaft ministra të jashtëm në letrën e tyre publike drejtuar Presidencës Lituaneze dhe zonjës Ashton kërkuan që Shqipërisë t’i jepej statusi. Pra, unë do ta vlerësoja këtë, jo se Shqipëria nuk i përmbushi kushtet për të marrë këtë status, por me demotivimin që ekziston në BE për të ecur drejt zgjerimit të paktën për momentin. Shqipëria nuk është klasifikuar si vend problematik, që e ka të domosdoshëm të motivohet  për një arsye më të madhe se sa thjeshtë ecuria e procesit të integrimit. Për ne është e rëndësishme të vazhdojmë në rrugën e reformave dhe do të vazhdojmë, sepse bëhen në interes të qytetarëve tanë dhe Shqipëria është dhe do të jetë një vend europian dhe kjo është e përcaktuar, është zgjedhja jonë mbarëkombëtare. Por, procesi i integrimit do të jetë i vështirë, sepse vetë BE është në një moment të vështirë, dhe në debate për të ardhmen e tij. Në këtë bashkim edhe pa Shqipërinë, dhe me vendet e tjera si anëtare, por edhe me vende të tjera potenciale në të ardhmen.

 E shihni këtë si dallim paragjykues mes Shqipërisë dhe Serbisë? Siç e dini, Serbia e ka marrë statusin e vendit kandidat, tani po hapin bisedat për anëtarësim, po vendosin nga cilët kapituj të fillojnë nga “acquis communautaire” dhe Shqipëria duket sikur ka ngecur. Nuk e dimë nëse vendimi për statusin do jepet në qershor, gjatë samitit të radhës të Këshillit të BE-së. Mos vallë ka paragjykim? Mos vallë ngaqë Shqipëria shihet si një vend me shumicë myslimane, që ka konotacione paragjykuese në disa vende të Evropës perëndimore? Cili është mendimi juaj?

-Nuk kemi asnjë kompleks pse një pjesë e mirë e shqiptarëve gëzojnë besimin mysliman, përkundrazi. Ne jemi një vend evropian dhe këtë ne e kemi treguar, sepse kemi bashkëjetesën e shkëlqyer në harmoninë e jashtëzakonshme që ekziston në këtë vend dhe është e hershme mes të gjitha besimeve. Ekzistojnë paragjykime edhe ndaj vendit tonë në këtë aspekt, por paragjykime nga ata që nuk kanë njohjen  e duhur. Ekzistojnë edhe lojëra politike për shkak të interesave elektorale. Është fakt i njohur që drejtues të partive ekstremiste në vende të Evropës, si rasti I Geert  Vvilders në Holandë që është partia e parë në të gjitha sondazhet, dhe ishte partia që inicioi mocionin  në Parlamentin Holandez  “Partia e Lirisë” për të bllokuar një qëndrim pozitiv të Qeverisë Holandeze dhe të ministrave të jashtëm.  Është shprehur disa herë kundër Shqipërisë në Europë duke asociiuar me besimin fetar të paragjykuar prej tij. Ky nuk është qëndrim vetëm ndaj Shqipërisë, por edhe ndaj vendeve të tjera, si dhe ndaj vetë BE-së. Por qëndrime të tilla nuk janë pa ndikim, sepse Holanda në mars ka zgjedhjet vendore dhe kjo forcë politike është në krye të sondazheve dhe po i merr terren partive që janë në qeveri më këtë lloj retorike, duke shfrytëzuar pakënaqësitë e opinionit publik, situatën ekonomike, sociale. Asnjë qeveri nuk do të donte të rëndonte pozitën e saj brenda vendit  për hir të perspektivës evropiane të Shqipërisë.  Ky është një realitet dhe këtë duhet ta dijë shumë mirë zoti Basha, i cili e njeh shumë mirë Holandën. Gjithashtu, edhe Berisha. Më vjen keq kur ata për arsye të politikës përpiqen të neglizhojnë arsye të tilla. Edhe sikur zoti Berisha të ishte kryeministër, por edhe zoti Basha, e kemi të thjeshtë që të fajësojmë për çdo gjë qeverinë, sepse nuk jemi më në qeveri, kur ka disa arsye që nuk kemi nevojë pse t’i duartrokasim.

 Si do i përshkruanit marrëdhëniet Shqipëri-SHBA pas vendimit për lëndët kimike siriane? Refuzimin që Shqipëria i bëri propozimit të SHBA-ve. Si mendoni, ishte ky reagimi i duhur nga ana e Tiranës? A ka pasoja negative? Ndoshta edhe pozitive si rrjedhojë e këtij vendimi?

 -Marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-të janë marrëdhënie tepër solide dhe besimi të fuqishëm reciprok. Marrëdhënie të provuara në kohë të vështira. Janë tepër solide për t’i rezistuar çdo lloj aludimi, siç kemi edhe në rastin konkret. Jam i bindur se janë marrëdhënie me një të ardhme të shkëlqyer, të cilat nuk mundet kurrsesi të cenohen nga një vendim sovran i qeverisë shqiptare në një moment të caktuar, ku shprehen dhe rrethanat në të cilat ky vendim është marrë. Nuk ka të bëjë me refuzimin, por me vlerësimin e pamundësisë për të patur ato kapacitete që do të kërkonte përfshirja e Shqipërisë me sukses në një operacion të tillë.

 Keni mbajtur postin e Kryeministrit, jeni kryetari i partisë së tretë më të madhe, tani kryetar i Parlamentit. I vetmi post i lartë që ka mbetur në Shqipëri është ai i presidentit. Keni një ambicie të tillë në të ardhmen?

 -Nuk besoj se jam në presionin e kuriozitetit për të provuar çdo lloj pozicioni politik. Është një fakt i qartë se unë gjithmonë kam qenë i prirur për të qenë i dobishëm në jetën politike, publike qoftë përmes dorëheqjeve apo marrjes së përgjegjësive. Për mua është e rëndësishme të jem i dobishëm në një detyrë, në një pozicion publik, sepse kjo është një sfidë, e cila përveç vështirësive synon të japi kënaqësi dhe kënaqësia ime është kur jam i dobishëm për të kontribuar për diçka më pozitive. Nuk jam në stadin për të provuar një pozicion të caktuar, por jam në atë të kontributit përmes një përgjegjësie të caktuar dhe jam ende në fillimet e kryetarit të Parlamentit ndaj do t’ju lutesha të mos më shpërqendroni nga kjo detyrë, që ka vështirësitë e saj, por edhe përgjegjësitë.