Ilir Meta: Shqipëria dhe Greqia, të shërojmë me pragmatizëm plagët e së shkuarës

473
Sigal

Intervistë e kreut
të Kuvendit për gazetën greke “Kathimerini”

 

Si do i karakterizonit marrëdhëniet greko-shqiptare
në këtë moment? Si ndjeheni pas takimeve që keni patur në Athinë?

Marrëdhëniet mes
Shqipërisë dhe Greqisë janë marrëdhënie shekujsh miqësie, bashkëjetese paqësore
dhe interaktive mes popullit shqiptar dhe atij grek në këtë rajon. Miqësia jonë
e vjetër është kaq e lidhur ngushtë sa i tejkalon marrëdhëniet tradicionale
shtetërore. Jam i kënaqur që kontaktet politike janë intensifikuar dhe ky ishte
pikërisht qëllimi i vizitës sime, të forcojmë bashkëpunimin parlamentar me
qëllim që të shtyjmë qeveritë respektive të avancojnë në një fazë më dinamike
në bashkëpunimin tonë dypalësh. Kjo ishte përshtypja pozitive që solla në
Tiranë, përshtypja e një vullneti të përbashkët për të forcuar bashkëpunimin
tonë të gjithanshëm. Pavarësisht krizës ekonomike dhe momenteve të vëzhtira që
kanë kaluar qytetarët grekë, Greqia mbetet një prej partnerëve kryesorë
tregtarë të Shqipërisë, ndërkohë që investimet greke luajnë një rol substancial
në ekonominë tonë. Ne ndjehemi krenarë për kontributin domethënës të
minoritetit grek në Shqipëri, ndërkohë që Greqia ka pritur qindra mijëra
shqiptarë në dy dekadat e fundit të cilët kontribuojnë tepër pozitivisht në
ekonominë dhe shoqërinë greke. Jemi dy vende anëtarë të NATO-s, boshte
stabiliteti në rajonin tonë dhe ndajmë një rrugëtim të përbashkët euro-atlantik,
të cilin duhet ta ushqejmë dhe ta mirëmbajmë në interes të qytetarëve tanë.
Besoj se vizita e delegacionit tonë parlamentar në Athinë ishte një tjetër
‘gur’ në urën që po ndërtojmë së bashku, për të avancuar drejt një stadi ‘vëllazëror’
të marrëdhënieve tona.

A mendoni se është e mundur të bëhet progres në një
atmosferë akuzash publike? A e pengon atmosfera publike – veçanërisht sipas
indikacioneve që ka një rilindje të agjendave nacionaliste nga ana shqiptare –
përpjekjet për të shtyrë përpara një agjendë pozitive?

Siç diskutuam
edhe gjatë takimeve tona me përfaqësuesit më të lartë të shtetit grek, të dyja
palët janë dakord se marrëdhëniet tona janë strategjike, praktike dhe jetike.
Vullneti pozitiv dhe një agjendë dinamike bashkëpunimi dominojnë marrëdhëniet
tona. Por siç e përmenda edhe gjatë takimit me Kryeministrin Tsipras, kemi disa
‘plagë’ nga e kaluara të cilat duhet t’i trajtojmë me shumë kujdes dhe në
mënyrë konstruktive, sepse një ‘plagë’ edhe kur e përkëdhel, e lëndon! Duhet të
ndalojmë tendencat, në të dy anët e kufirit, që përpiqen të spekulojnë dhe të hedhin
benzinë në zjarr duke përdorur çështje të së kaluarës për qëllime elektorale.
Besoj, se vullneti ekziston si në Tiranë, ashtu edhe në Athinë për të zgjidhur
çdo çështje të mbetur, nëpërmjet dialogut të hapur e transparent, përmes
vullnetit të mirë, besimit të ndërsjellë, dhe përmes një përqasjeje
konstruktive, ashtu siç bëjnë vendet evropiane. Dhe mund të them se pas vizitës
sime në Athinë, unë shoh një dëshirë të sinqertë nga ana e qeverisë aktuale
greke për të avancuar me zgjidhje të qëndrueshme dhe të dakordësuara
bashkarisht për çështjet e të kaluarës. Kjo u pa qartë edhe gjatë takimit që
patëm me përfaqësuesit e “Demokracisë së Re” dhe partive të tjera opozitare, me
të cilët ramë dakord të krijojmë një klimë konstruktive në të dy vendet, në
interes të bashkëpunimit të gjithanshëm greko-shqiptar.

Sipas jush, cilat janë çështjet e hapura me Greqinë?

Si fqinj të mirë
është normale të kemi edhe disa çështje të hapura. Fqinjët janë si kushërinjtë
e parë, ndajnë të njëjtin gjak, të njëjtën hapësirë, por kjo hapësirë të
detyron njëkohësisht të zgjidhësh disa çështje me karakter praktik që unë i
shoh më tepër si ‘fine tuning’. Dhe si dy vende ballkanike, kemi trashëguar
disa çështje nga e kaluara. Për mua, e para ka të bëjë me Ligjin e Luftës, të
cilin Greqia e mban ende në fuqi ndaj Shqipërisë. Ky ligj i pakuptimtë ka
nevojë të abrogohet përmes një akti formal, akti që do të konfirmonte klimën
ekzistuese pozitive mes dy vendeve tona. Mes dy fqinjëve të mirë dhe dy vendeve
anëtarë të NATO-s nuk mund të ketë ‘Gjendje Lufte’. Ky është një paradoks! Çështja
e dytë më e rëndësishme lidhet me historinë e të kaluarës sonë dhe mendoj se
edhe nëse hapin plagë të së shkuarës, ne duhet t’i trajtojmë në mënyrë
konstruktive, pragmatike dhe bashkëpunuese. Nuk ka asnjë çështje për të cilën
ne nuk mund të diskutojmë si fqinj! Përballja me historinë, ashtu siç kanë bërë
kombe të tjerë evropianë në të kaluarën, do të përgatiste terrenin e duhur për
të gjetur zgjidhje për një sërë çështjesh që lidhen me varrezat greke në
territorin shqiptar, tekstet e historisë, delimitimin e shelfit kontinental dhe
patjetër me ‘Çështjen Çame’, për të cilën ne kemi qëndrime të kundërta dhe të
ndryshme. Të gjitha këto çështje janë të trashëguara dhe shkaktojnë dhimbje në
të dy anët e kufirit. Ne si Kuvend i Shqipërisë do të mbështesim shkëmbimet
konstruktive e të sinqerta mes dy qeverive tona, të cilat duhet të punojnë për
të gjetur zgjidhje praktike, pragmatike dhe “Win-Win”, duke lënë mënjanë çdo
tendencë nacionaliste apo emocionale. Interesat tona strategjikë duhet të
prevalojnë mbi çështjet e trashëguara dhe e vetmja rrugë përpara është përmes
dialogut, jo përmes manovrave oportuniste politike.

A ndjehet vendi juaj i kërcënuar prej Greqisë?

Aspak! Ne
ndjejmë se Greqia është një aleat dhe fqinj i mirë. Ne mbështetemi tek
përkrahja e vazhdueshme e Qeverisë dhe Parlamentit tuaj për të avancuar agjendën
tonë evropiane dhe ndjejmë se Greqia është një avokate e rëndësishme e
Shqipërisë në BE. Kjo është pikërisht arsyeja përse në të gjithë takimet në
Athinë mbajta vazhdimisht qëndrimin se ligji paradoksal i luftës nuk ka sens
mes dy partnerëve miq, fqinj dhe anëtarë të NATO-s.

Përse nuk ka patur progres me çështjen e varrezave
greke?

Kjo duhet të
jetë pjesë e një pakete të përbashkët që trajton shqetësimet dhe çështjet e
hapura për secilën palë. Të dy palët duhet të dëgjojnë, të vlerësojnë dhe të
diskutojnë profesionalisht dhe konstruktivisht. Parlamenti i Shqipërisë do të
mbështesë progresin domethënës përmes këtij mekanizmi. Për sa i përket varrezave
greke, jam i informuar se ekziston një komision i përbashkët ashtu siç është
edhe për tekstet e historisë. Ata duhet t’i lëvizin gjërat përpara dhe ne si
parlamente në të dy vendet kemi rënë dakord ta mbështesim punën e tyre.

Ka ankesa në rritje dhe raportime nga minoriteti
grek në Jug të Shqipërisë mbi dhunime të të drejtave të pronësisë në zonat e
tyre. Si mund të mbrohen këto të drejta? A nuk e bën perspektiva evropiane e
vendit tuaj të detyrueshme që ju t’i trajtoni këto çështje?

Nuk besoj se ka
ndonjë dhunim të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri. Kjo është thjesht
e pavërtetë dhe e pambështetur, siç ka qenë edhe në të kaluarën subjekt i
spekulimeve. Çështja e të drejtave pronësore prek një shumicë të qytetarëve
shqiptarë, përfshirë ata të minoritetit grek, sepse ky është një prej
problemeve më komplekse dhe të trashëguar nga regjimi komunist në Shqipëri. Është
edhe shqetësimi ynë si politikanë, sepse të drejtat e pronësisë afektojnë
investimet e huaja në vend. Por jam dakord me ju se më tepër vëmendje i duhet
kushtuar çështjes së pronësisë të të gjithë qytetarëve, në të dy anët e
kufirit, si një çështje bazike praktike dhe e të drejtave të njeriut.

Si mendoni se projekti TAP do të ndryshojë rajonin
dhe marrëdhëniet në rajon në të ardhmen?

TAP është shumë
i rëndësishëm për vendet tona, për rajonin tonë dhe patjetër për tërë sigurinë energjetike
të Evropës. Ne kemi bashkëpunim të mirë për projektin TAP ku Shqipëria e
vlerëson ekspertizën greke gjatë implementimit të këtij projekti në terren. TAP
çel mundësi të reja për investime dhe projekte në të dy vendet, po të marrim në
konsideratë këtu zgjatimin IAP të gazsjellësit drejt Malit të Zi dhe Kroacisë.
Unë besoj se pesha gjeo-strategjike e Shqipërisë dhe Greqisë, si shtylla
stabilitetit në rajonin tonë, vetëm rritet.