Ilir Meta: Raporti PS-LSI është mjaft pozitiv, konstruktiv dhe bashkëpunues

75
Zoti Meta më parë keni deklaruar se qeveria duhet të ketë një ‘politikë më të mençur’ taksash. Është kjo një deklaratë pas zgjedhjeve apo qëndrim që do ta thelloni dhe më tej?
Politikë e mençur e taksave dhe ekonomike është ajo që sjell një rritje ekonomike në potencialet që ka vendi dhe jo nën potencialet e tij. Prandaj duhet të shohim gjithë këtë hapësirë që mbetet për t’u shfrytëzuar dhe në këtë drejtim duhet të punojmë për të zgjeruar rrethin e ekspertëve, përfshirë ata të opozitës, shoqërisë civile, biznesit dhe në konsultim të vazhdueshëm me FMN, i cili si prioritete kryesore ka treguesit kryesorë makro-ekonomikë, sidomos ato që kanë të bëjnë me kufirin e borxhit apo me deficitin. 

Parlamenti ka paralajmëruar këtë sesion reforma të thella, përmend atë në Drejtësi. Ju cilën konsideroni më të rëndësishmen?
Reforma në Drejtësi mbetet më e rëndësishmja dhe unë shpresoj në një bashkëpunim sa më të mirë në Parlament dhe përmes Parlamentit, midis gjithë aktorëve të tjerë, për ta kurorëzuar me përgjegjësi të plotë, sepse kjo reformë nuk është qëllim në vetvete. Ajo duhet kuptuar si një element mjaft i rëndësishëm për të forcuar shtetin ligjor me qëllim që të përmirësojmë ekonominë e vendit tonë. 

Opozita, ka paralajmëruar një stinë protestash. Mendoni se në këtë situatë duhen protesta apo veprime politike?
Ne nuk mund t’i ndalojmë opozitës protestat apo dëshirën për të protestuar. Kjo është një e drejtë demokratike, por ne shpresojmë që opozita të marrë përgjegjësitë që i takojnë, sidomos sa i përket reformës në drejtësi, ku edhe ajo pajtohet me faktin që ka probleme që duhet të zgjidhen dhe të mos bëjë atë gabim të rëndë, që bëri duke mos u përfshirë me kokëfortësi në reformën administrativo-territoriale. Askush nuk e pengon opozitën të ecë në dy shina; edhe të bëjë protesta, por edhe të japë kontribut konkret të domosdoshëm për një reformë e cila duhet të jetë afatgjatë dhe t’i shërbejë forcim të shtetit-ligjor.

Me siguri i keni dëgjuar zërat për një raport të ndryshuar mes PS-LSI? Cili është komenti juaj?
Raporti PS-LSI është mjaft pozitiv, konstruktiv dhe bashkëpunues dhe sidomos raporti me socialistëve në përgjithësi. 
Vërehet një shqetësim mes 2 kampeve për rritjen e LSI në zgjedhjet e fundit.
Për ne nuk përbën një gëzim të veçantë rritja e LSI apo rezultati i forcave të tjera politike, sepse e kemi thënë që zgjedhjet e fundit, ishin zgjedhje vendore dhe duhet të jenë në interes të komunitetit. Më shume se problem i rritjes së një partie, mendoj se problemi kryesor është një rritje më e madhe ekonomike të vendit, sepse kjo do të na ndihmojë të përballojmë më mirë mjaft sfida të rëndësishme, me të cilat ndeshet qytetari shqiptar dhe të rinjtë tanë. 

Këtë verë ka patur shumë skenarë koalicionesh, madje është folur për një koalicion LSI-PD. Ç’mund të thoni?
Ne nuk kemi votuar për një koalicion të tillë. Di që zoti Paloka ka dhënë një përgjigje, të cilën zoti Vasili e ka mbështetur plotësisht dhe mua s’më mbetet veçse t’i mbështes të dy ata.

Ndërkaq edhe zoti Rama edhe zoti Basha janë pyetur për një koalicion të mundshëm PS-PD. LSI i trembet një ngjarjeje të tillë?
Së pari, LSI është një forcë politike e lindur nga kurajoja, dhe frika nuk është cilësi e karakteristikë e kësaj force politike. Së dyti, kjo është një çështje që s’ka fare lidhje me LSI, e cila ka një axhendë të qartë e shumë konkrete.

Sa përgjegjëse ndihet LSI për prani të elementëve të kriminalizuar?
Akuzat mbi LSI janë absurde si shumë akuza të tjera, pasi LSI as ka patur, as ka ndonjë individ me rekorde kriminale, dhe nuk ka asnjë arsye për të patur një tillë në të ardhmen. 

Pak kohë pas zgjedhjeve lokale i dhatë një mesazh indirekt kryeministrit Rama për nevojën e ndryshimeve në qeveri. I mbeteni këtij mendimi?
Përmirësimi i qeverisjes në mënyrë të vazhdueshme është diçka tjetër, ndërsa ndryshimet konkrete janë diçka tjetër. Përmirësimi i politikave në ato drejtime, ku ato nuk kanë dhënë efektet e pritura, janë një reflektim i mençur dhe ne të gjithë kemi nevojë për t’u përmirësuar çdo ditë.