Ilir Meta: Qeveria, vullnet dhe vizion për të ardhmen. Durim për të parë rezultate

428
Sigal

Kreu i Kuvendit takim me strukturat e LSI në Pogradec: Vëmendje ndaj qytetarëve!

Kryetari i Kuvendit dhe njëkohësisht, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka zhvilluar në qytetin e Pogradecit një takim me strukturat e LSI-së dhe përfaqësues të kësaj force politike në pushtetin vendor. Gjatë takimit, Meta e ka vënë theksin te situata ekonomike, duke deklaruar se, ka ndryshime pozitive që japin shpresa pavarësisht vështirësive të trashëguara. “Shqipëria po kalon një situatë pozitive në aspektin ekonomik, edhe pse ka qenë një tranzicion i vështirë, duke qenë se qeveria ka hasur vështirësi të trashëguara në sektorin e ekonomisë. Gjithsesi, ekonomia po ndryshon për më mirë dhe vlerësimi i fundit i agjencisë prestigjioze “Standard & Poor’s” për ekonominë shqiptare, duke e ripozicionuar atë nga nota “negative”, në notën “e qëndrueshme” lë vend për më shumë shpresa”, -u shpreh Kryetari i LSI-së. Ndërkaq, Meta tha se, qeveria ka vullnetin, dëshirën dhe energjinë për të ndryshuar vendin dhe vizioni që ka për të ardhmen, teksa shtoi se, duhet bërë pak durim për të parë rezultate të prekshme për çdo qytetar. Kryetari i LSI-së deklaroi se, dy prioritetet madhore janë reforma administrative-territoriale dhe reforma në drejtësi, ku LSI-ja do të japë kontributet e saj. “Më duhet të theksoj vullnetin, dëshirën dhe energjinë që ka kjo qeveri për të ndryshuar vendin dhe vizioni që ka për të ardhmen, por duhet të bëjmë pak duhet durim për të parë rezultate të prekshme për çdo qytetar. Dy prioritetet madhore për momentin janë reforma administrative-territoriale dhe reforma në drejtësi, ku LSI-ja do të japë kontributet e saj konkret me ekspertizë profesionale. Jemi të vendosur për të çuar përpara reformat, të cilat na afron më shumë drejtë integrimit ”,-vijoi Meta. Gjatë bashkëbisedimit me të pranishmit në takim, z. Meta u shpreh se, përfaqësuesit e LSI-së duhet të tregojnë vëmendje ndaj njerëzve dhe të jenë shembull i bashkëpunimit, përkushtimit, korrektesës dhe respektit ndaj qytetarëve. “Çdo problem duhet të dëgjohet dhe të ketë një ndjeshmëri maksimale nga ana jonë. LSI kujdeset për njerëzit sepse fal kësaj përkujdesje që ne tregojmë ndaj qytetarëve, LSI rritet çdo ditë. Do të nxisim dhe mbështesim bizneset dhe aktivitetet që hapin vende të reja pune siç janë ato fasone, manifakturë, turizëm, agro-përpunim, etj.. Sipërmarrja private do të gjejë një mbështetje të fortë te LSI-ja. Për t’iu treguar angazhimin dhe përkushtimin tonë unë mund t’iu them se datë 23 maj do të jemi në Çorodovë për të inauguruar një biznes fason që do të punësojë 250 gra”,- tha ndër të tjerash  Meta. Gjithashtu, Meta i premtoi Pogradecit se, do të japë kontributin e tij edhe si Kryetar i Kuvendit për të nxitur sa më shumë investime në infrastrukturë, si dhe për të përmirësuar kushtet në spitalin dhe maternitetin e qytetit të Pogradecit. Gjithashtu, z.Ilir Meta, mori pjesë dje në inaugurimin e një fabrike fasonerie në rrethin e Devollit. Kryetari i Kuvendit u njoh me kushtet e punës dhe me projektet e zhvillimit të këtij biznesi me impakt për të gjithë zonën përreth. Z.Ilir Meta vlerësoi biznesin fason si aktivitetin kryesor punëdhënës sot në Shqipëri. “Vijmë këtu për të inkurajuar këtë investim të shkëlqyer, shqiptar dhe grek njëkohësisht, për të shtuar vende të reja pune”,-u shpreh Meta.