Ilir Meta: “Qeveria e re do të përmbushë detyrimet kundër korrupsionit”

482
Sigal

Kryetari i Kuvendit priti Zv.Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Hoyt Brian Yee

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti sot Zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, z. Hoyt Brian Yee. Z. Meta e përgëzoi z. Yee për marrjen e detyrës së re dhe i shprehu njëkohësisht besimin se eksperienca e mëparshme e tij në rajon do të jetë një kontribut i veçantë për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit.  Në këtë drejtim, z. Meta e falënderoi z. Yee për mbështetjen e fuqishme që SHBA-të vazhdojnë t’i japë Shqipërisë në të gjitha fushat dhe nënvizoi vullnetin për thellimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve.  Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit Yee shprehu mirënjohjen e SHBA për rolin kontribuues që Shqipëria luan në luftën kundër terrorizmit, dhe u shpreh se qëllimi i SHBA-ve është ta ndihmojnë Shqipërinë në përshpejtimin e rrugëtimit të saj drejt Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, z.Yee vlerësoi progres-raportin pozitiv të Komisionit Europian dhe theksoi rëndësinë e përqendrimit në adresimin e rekomandimeve, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.  Kryetari i Kuvendit Meta shprehu bindjen se qeveria e re do të tregojë vendosmërinë e duhur për të përmbushur të gjitha rekomandimet e Komisionit, duke theksuar se në këtë drejtim, Kuvendi i Shqipërisë do të fokusohet në zhvillimin e dialogut konstruktiv mes palëve dhe në parimin e gjithëpërfshirjes.

Presidenti i Senatit të Francës Jean-Pierre Bel uron përzemërsisht Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta

Presidenti i Senatit të Francës z. Jean-Pierre Bel i ka dërguar një letër urimi z. Ilir Meta me rastin e marrjes së detyrës së Kryetarit të Kuvendit. “Zoti Kryetar. Me rastin e zgjedhjes suaj në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë, ju drejtoj urimet e mia më të përzemërta dhe ju uroj sukses të plotë në kryerjen e misionit tuaj të lartë. Shpreh urimet e mia gjithashtu që shumica e progresit që Shqipëria sapo ka zgjedhur, të bëjë të mundur përshpejtimin e rrugëtimit të vendit tuaj drejt Bashkimit Europian.  Siç jeni në dijeni, Franca i kushton vëmendje të veçantë të ardhmes së rajonit të Ballkanit, në gjirin e të cilit Shqipëria luan një rol kyç, dhe do të isha shumë i lumtur që me rastin e një udhëtimi tuaj të ardhshëm në Paris, t’ju prisja në Senat për të diskutuar me ju në lidhje me mënyrat e forcimit të bashkëpunimit mes dy Kuvendeve tona, në vazhdimësi të asaj që ne kemi realizuar tashmë në kuadrin e binjakëzimit që na bashkon. Duke ju përsëritur urimet e mia, ju lutem të pranoni, Zoti Kryetar, shprehjen e ndjenjave të mia më të mira”.  Jean-Pierre BEL