Ilir Meta: PS-LSI dhe aleatët do jenë bashkë në zgjedhjet vendore

449
Sigal

Kryetari i Kuvendit shprehet për kandidaturën e kryetarit të PD-së, për kryebashkiak: Basha le ta bëjë një betejë për Berishën

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta deklaroi dje se beson se PS-ja dhe LSI-ja do të dalin me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet vendore të 21 Qershorit dhe bisedimet për kandidatët priten të fillojnë që javën e ardhshme.  

Z. Meta, a ka një marrëveshje mes PS dhe LSI-së për zonat se si do të ndahet, a ka zona të lira dhe ku do të jenë ato?

Nuk besoj se do të ketë zona të ndara midis PS-së, LSI-së dhe aleatëve të tjerë, por do të ketë një marrëveshje për të bashkuar përgjegjësitë, me qëllim përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë pavarësisht siglave, që ata mund të përfaqësojnë, sepse këto nuk janë zgjedhje politike sipas vlerësimit tim. Këto janë zgjedhje lokale, zgjedhje vendore dhe është detyra jonë të ndërtojmë një proces, i cili zgjedh administratorët më të mirë për qytetarët kudo. Pra ky do të jetë prioriteti, një konsensus sa më i gjerë për kandidatët më përfaqësues të komuniteteve, jo thjesht një ndarje politike, pasi nuk kemi të bëjmë me zgjedhje politike sipas vlerësimit tim.

Dhe kur mendoni se do të jetë emri për kandidatin Bashkisë së Tiranës?

Besoj se ndoshta javën e ardhshme do të kemi mundësinë të shkëmbejmë mendime për ndërtimin e këtij procesi që unë përmenda më parë, i cili në çdo rast do të jetë një proces mjaft parimor dhe konstruktiv dhe do të synojë cilësinë e kandidatëve dhe jo thjesht kënaqjen e orekseve të njërës apo tjetrës parti, të njërit apo tjetrit kandidat.

Z. Berisha është shprehur pro kandidaturës së z. Basha për Bashkinë e Tiranës. A ndihet e sfiduar maxhoranca kundrejt kësaj kandidature?

Mendoj se z. Berisha me shumë të drejtë e ka shpallur z. Basha si kandidatin për zgjedhjet e ardhshme të Bashkisë së Tiranës dhe mendoj se ka plotësisht të drejtë, pasi u bënë dhjetë vjet që z. Berisha punon për të ardhmen e z. Basha. Kështu le ta bëjë betejën z. Basha për të ardhmen e z. Berisha. Nuk kemi asnjë vërejtje. Megjithatë kjo është një çështje që i takon Partisë Demokratike.

A ka një ngërç mes PS-së dhe LSI-së. Marr shkas nga deklarata e z. Vasili që u shpreh kundër testimit të mjekëve?

Deklarata e ish-ministrit të Shëndetësisë, z. Vasili, kanë natyrisht edhe ndjeshmëritë e tij profesionale, por unë besoj se nuk ka të bëjë aspak me marrëdhëniet midis LSI-së dhe Partisë Socialiste. Përkundrazi, këto janë marrëdhënie tepër solide dhe bashkëpunuese. Natyrisht, qeveria ka mbështetjen tonë të plotë, përfshirë edhe ministrin Beqja. Përsa i takon çështjeve të caktuara, ku ka edhe ndjeshmëri të veçanta, besoj se mënyra më e mirë është gjithmonë ajo parimore dhe konstruktive e bashkëpunimit dhe e shkëmbimit të mendimeve dhe jam i bindur që ministrat kanë qenë dhe janë të hapur për këtë bashkëpunim, dhe padyshim edhe Kryeministri.

Z. Meta, ish-presidenti Topi ka shprehur shqetësimin se e ish-presidentët nuk janë përfshirë në reformën në drejtësi. Keni një qëndrim për këtë?

Mendoj se kritika e ish-presidentit Topi është me vend, është shumë e drejtë dhe besoj se përfshirja e ish-presidentëve në procesin e diskutimit dhe hartimit të reformës në drejtësi është shumë e rëndësishme, sepse secili prej tyre mbart një eksperiencë të rëndësishme dhe të çmuar dhe dihet që presidenti ka pasur dhe ka një rol të rëndësishëm për sistemin tonë të drejtësisë dhe besoj se përfshirja e tyre do të ndodhë dhe jo thjesht se është e rëndësishme, por sepse besoj do të jetë edhe shumë e dobishme dhe e çmuar.

Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit, si e cilësonin kandidaturën e z. Zhiti si ambasador në Vatikan nga maxhoranca?

Kandidatura e Zhitit për mendimin tim është e vlefshme për çdo post në Republikën e Shqipërisë.