Ilir Meta pret Kryeministrin e Sllovakisë, bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve

53

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta, priti dje Kryeministrin e Sllovakisë z. Robert Fico, me të cilin biseduan për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Shqipëria është një vend evropian, dhe maxhoranca e re është e vendosur të avancojë me reformat e rëndësishme që kërkojnë qytetarët tanë për forcimin e ligjit dhe zhvillimin e ekonomisë. Kjo ishte deklarata e Kreut të Kuvendit gjatë takimit që zhvilloi të premten pasdite me Kryeministrin e Sllovakisë, i cili shoqërohej nga zv. kryeministri dhe ministri i Jashtëm dhe i Çështjeve Europiane, Miroslav Lajcak. Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta i shprehu Kryeministrit Sllovak z. Robert Fico mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Sllovakia ka dhënë për integrimin euro-atlantik të Shqipërisë, duke theksuar se, Shqipëria mbështetet në përkrahjen e Sllovakisë edhe në të ardhmen. Nga ana e tij, Kryeministri i Sllovakisë shprehu kënaqësinë për vizitën e parë të një Kryeministri sllovak në Tiranë dhe nënvizoi se, Sllovakia, si një vend i ri anëtar dhe si histori suksesi e Bashkimit Europian, është e gatshme të ofrojë eksperiencën e saj në kuadër të integrimit europian dhe të thithjes së investimeve të huaja në Shqipëri. Në këtë takim, Kryetari i Kuvendit Meta shprehu vullnetin për të zgjeruar më tej marrëdhëniet me Parlamentin e Sllovakisë, në interes të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.