Ilir Meta, Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë

441
Me fjalën “Betohem”, Ilir Meta është edhe zyrtarisht Presidenti i ri i Republikës. Seanca e mbledhur këtë të hënë, ashtu siç ishte parashikuar, drejtohej nga Valentina Leskaj, e cila pas betimit ftoi Presidentin e ri që të mbajë fjalimin e rastit. “Në këto momente solemne, duke përcjellë falënderimet për Kuvendin e Shqipërisë që më zgjodhi në këtë detyrë kaq fisnike, më lejoni që t’ju dëshmoj solemnisht vullnetin tim të hekurt për të respektuar në germë dhe në frymë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për të përmbushur të gjitha përgjegjësitë e mija Kushtetuese në interesin më të mirë të vendit, të kombit dhe qytetarëve shqiptar, pa kursyer në asnjë çast përkushtimin që kërkon lartësia e detyrës; integritetin, drejtësinë dhe pa-anshmërinë ”, tha Meta. Presidenti i sapobetuar tha se kushtetutshmëria dhe respektimi i shtetit të së drejtës do të jenë referenca kryesore në ushtrimin e detyrës për pesë vitet e ardhshme.

“Kushtetutshmëria, asnjanësia politike, si dhe respektimi i shtetit të së drejtës, do të jenë referencat kryesore të vendimeve dhe akteve të mia Presidenciale. Gjithmonë do t’i shërbej frymës së konsensusit, dialogut, bashkëpunimit gjithëpërfshirës në interes të forcimit të institucioneve e bashkëpunimit ndërinstitucional e sidomos të avancimit të reformave më jetike që e bëjnë Shqipërinë një vend më demokratik, më të qëndrueshëm, më të sigurt e plotësisht evropian”, tha ai.

“Sot angazhohem edhe si President, për të mbështetur zbatimin e drejtë e transparent të kësaj reforme në interes të forcimit të shtetit të së drejtës, të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe përmirësimit të klimës së biznesit aq e domosdoshme për të rritur ekonominë tonë më tej e sidomos për të krijuar vende pune të mirëpaguara për të rinjtë tanë”, deklaroi Meta.

“Më 28 prill vendosa të kandidoja për President më shumë me mendje sesa me zemër sepse opozita nuk ishte këtu. Por sot dua t’ju siguroj se betimin e kam bërë plotësisht me zemër dhe bindje të plotë se zgjedhja që bëra në atë moment dha kontributin e saj modest edhe për të evituar një krizë që vendi dhe e ardhmja e tij evropiane nuk e meritonin”, u shpreh ai.
Sigal