Ilir Meta: Populli ynë ka ditur të ruajë vlerat që e kanë karakterizuar ndër shekuj

427
Sigal

Kryetari i Kuvendit, merr pjesë në 70- vjetorin e krijimit të Brigadës së 7-të Sulmuese në Çorovodë

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë e organizuar në kuadër të 70-vjetorit të krijimit të Brigadës së 7-të Sulmuese në Çorovodë. Në këtë vizitë, z. Meta shoqërohej nga bashkëshortja e tij znj.Monika Kryemadhi, ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, deputetët e grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Spartak Braho, z. Përparim Spahiu, znj. Silva Caka si dhe deputeti i Partisë Socialiste, z. Eduard Shalsi. Të pranishëm ishin dhe Prefekti i Beratit, z. Selfo Kapllani, kryetari i Këshillit të Qarkut, z. Petrit Sinaj , Kryetari i Bashkisë Çorovodë, z. Nesim Spahiu, etj. Fillimisht, Kryetari i Kuvendit u ndal në varrezat e dëshmorëve të qytetit ku zhvilloi homazhe dhe vendosi një kurorë me lule. Më pas, ceremonia vijoi me vizitën në Muzeun Historik të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Në një prononcim për mediat, z. Ilir Meta vlerësoi se, 70- vjetori i themelimit të Brigadës së 7-të Sulmuese ka përmasa të veçanta.

“Sigurisht që kjo është një ditë shumë e rëndësishme, është dita e 70-vjetorit të krijimit të Brigadës së 7-të Sulmuese, një nga brigadat heroike të luftës. Njëkohësisht është dhe një ditë festimesh në kuadër të 70-vjetorit të çlirimit të vendit, prandaj ka përmasa të veçanta dhe është kënaqësi që së bashku me komunitetin e veteranëve të qarkut, me ish-partizanët, familjet e dëshmorëve, por dhe të rinjtë të bëjmë këto festime, sepse Shqipëria e sotme dhe ajo e nesërme i ka themelet e saj pikërisht në këtë fitore të rëndësishme që arriti populli ynë në Luftën e Dytë Botërore, duke u rreshtuar në koalicionin antifashist”,-tha Meta. Në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit vlerësoi dhe bujarinë e popullit shqiptar për të marrë nën mbrojtje ushtarët italianë dhe hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Populli ynë ka ditur të ruajë vlerat dhe virtytet që e kanë karakterizuar ndër shekuj. Unë mund të them me bindje se, në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, vetëm nga Skrapari u rreshtuan në formacionet partizane dy mijë partizanë, ndërkohë që në ato vite e gjithë krahina ishte rreth 17 mijë banorë. Po për të ruajtur virtytet e bujarisë me kapitullimin e fashizmit, populli ynë diti të mbrojë dhe të ruajë rreth 20 mijë ushtarë italianë, duke mos i dorëzuar tek pushtuesin nazistë”,-tha z. Meta.  Ndërkaq, ai u shpreh se, lufta dhe angazhimet e tjera në luftë kundër okupatorit bënë që Shqipëria të rreshtohej në koalicionin fitues të luftës. “Nga ana tjetër një nga vlerat e pamohueshme ishte edhe mbrojtja e hebrenjve, të cilët pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri ishin shtuar në numër. Kjo dhe të tjera angazhime në luftë kundër okupatorit bëri që Shqipëria të rreshtohej në koalicionin fitues të luftës. Ishte data 29 ajo që vendosi më së miri edhe datën 29 Nëntor. Ndaj ne sot këtu së bashku kemi të drejtën e pamohueshme për të festuar këtë ditë dhe përgjatë vitit dhe ditët të tjera festive në kuadër të 70 vjetorit të çlirimit. Gëzuar festën!”,-përfundoi fjalën Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.