Ilir Meta, politikani i vitit 2015; Sali Berisha, politikani i karrierës

55
Ashtu siç është bërë traditë nga gazeta “Telegraf”, për çdo fundvit, lexuesit e saj kanë mundësinë të zgjedhin personazhet më me ndikim në jetën publike në vend. Sondazhi i ndërtuar me letra të drejtpërdrejta të lexuesve sjell përfundime befasuese. Ilir Meta dhe Sali Berisha janë fituesit e mëdhenj të këtij viti të vështirë, ku edhe konkurrenca ka qenë shumë e madhe. Gjithashtu fitues nga sondazhi janë shpallur edhe Dr. Halim Kosova, Ben Blushi, Ina K. Zhupa dhe Blerina Gjylameti, Rustem Peçi dhe Simon Miraka, Andi Çeliku, Ardian Leka, Ramadan Troci dhe Armand Duka.
Politikani i vitit: Ilir Meta
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ish-kryeministër, ish-zv. kryeministër, ish-ministër i Jashtëm, Ilir Meta ka qenë një figurë përcaktuese në politikën shqiptare gjatë vitit 2015. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, ndryshe nga çfarë parashikohej, LSI u rrit ndjeshëm, duke qenë një forcë bazë për ndërtimin e qeverisë së koalicionit të Majtë. Ilir Meta vijon të mbetet një nga politikanët më aktiv që “ka në dorë” fijet e pozitës dhe opozitës me përkrahje konstante nga SHBA dhe vendet perëndimore.
Meta është që prej shumë vitesh deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe një nga figurat kryesore politike shqiptare. Ai konsiderohet nga media dhe publiku si krijuesi dhe drejtuesi i Polit të Tretë ne Politikën Shqiptare. Ishte Kryeministër i Shqipërisë prej vitit 1999 deri në 2002.
Politikani i karrierës: Sali Berisha
Pavarësisht se ka dorëzuar lidershipin e drejtimit të Partisë Demokratike, me humbjen në zgjedhjet parlamentare, ish-President i Republikës dhe ish kryeministër për dy mandate radhazi, Dr. Sali Berisha është frymëzuesi kryesor i kampit opozitar që ka arritur të fitojë shumë beteja me homologun e tij në krahun e majtë, sidomos betejën për dekriminalizimin e parlamentit dhe Reformën në Drejtësi
Sali Berisha lindi më 15 tetor 1944 në Tropojë dhe është deputet në Kuvendit të Shqipërisë. Njihet si presidenti i parë i Shqipërisë i ardhur nga një parlament i zgjedhur me zgjedhje të lira demokratike në vitet 1992-1997. Sali Berisha ishte mjek kardiolog, profesor universiteti dhe kërkues shkencor, kur hyri në politikë si udhëheqës i opozitës anti-komuniste që filloi në vitin 1989.
Politikani më i pëlqyer: Dr. Halim Kosova
Mjeku i njohur dhe kandidati për kryebashkiak i Tiranës, që solli një frymë të re në politikë duke e ndërtuar fushatën elektorale me një qasje pozitive, megjithëse nuk arriti të fitonte numrin një të kryeqytetit, arriti të bëhej një personalitet i pëlqyer për të djathtë dhe të majtë, i vlerësuar me konsiderata të larta edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Halim Kosova lindi në 1954 në Tiranë. Ka përfunduar studimet e larta për mjekësi në Universitetin e Tiranës në 1977. Në vitin 1985 specializohet për obsetri-gjinekologji në Universitetin “La Sapienza” të Romës, Itali, ndërsa në vitin 1990 mbron gradën shkencore “ Doktor i Shkencave Mjeksore”, në Fakultetin e Mjekësisë, të Universitetit të Tiranës. Dr. Kosova ka punuar për shumë vite si mjek obstetër-gjinekolog në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë. Në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë më 13 qershor 2013, Dr. Kosova u zgjodh deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës
Shkrimtari i vitit: Dritëro Agolli
Dritëro Agolli vijon të mbetet një nga shkrimtarët dhe poetët më të lexuar dhe më popullorë. Pas gjimnazit të Gjirokastrës, studimet e larta për letërsi i mbaroi në Petërburg, Rusi. Ka punuar gazetar në “Zëri i popullit dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Për 30 vjet me radhë Dritëro Agolli ishte deputet. Krijimtaria e Dritëro Agollit është e larmishme. Ndër të tjera ai ka botuar librat: “Në rrugë dolla”, “Hapat e mia në asfalt”, “Zhurma e erërave të dikurshme”. “Shtigje malesh dhe trotuare”, “Mesditë”, “Komisari Memo”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, “Nënë Shqipëri”, “Njeriu me top”, “Fjala gdhend gurin”, “Trëndafili në gotë”, “Fytyra e dytë”, “Mosha e bardhë”, “Udhëtoj i menduar”, “Njeriu i mirë”, “Kalorësi lakuriq”, etj.
Kritiku i politikës: Ben Blushi
Ben Blushi, një nga mbështetësit kryesorë të Edi Ramës, tashmë është shndërruar në një institucion opozite më vete, duke mbledhur rreth vetes shumë përkrahës të majtë, por edhe mbështetje e shumë shqiptarëve, që shohin te kjo qeveri një staf të katapultuar nga bashkia e kryeqytetit. 
Politikanët e rinj më të spikatur: Ina K. Zhupa dhe Blerina Gjylameti 
Pedagogia dhe doktoria e Shkencave në Universitetin Europian të Tiranës, koordinatore e selisë qendrore të PD, Ina. K. Zhupa spikat si një politikane e suksesshme e krahut opozitar, duke qenë mjaft aktive në forume partiake, por edhe në mediat e shkruara dhe vizive. Përballë saj, deputetja Blerina Gjylameti, që vjen gjithashtu nga radhët universitare ka mundur të evidentohet si një polemiste dhe kritike e zullumeve të ish-pushtetarëve që tashmë janë në opozitë
Personalitete kombëtare: Rustem Peçi dhe Simon Miraka
Kryetari i Komitetit të Veteranëve të LANÇ dhe Dëshmorëve të Atdheut, Rustem Peçi vijon të mbetet një personalitet me ndikim në armatën e madhe të atyre që përfaqëson, por edhe si një ish-ushtarak me shpirt sakrifice. Simon Miraka është kryetari i Shoqatës Antikomuniste dhe përfaqësues i ish-të përndjekurve politikë. Simon Miraka është shquar për tolerancë dhe është një ndër personalitetet që kërkon dialogun me të gjitha palët e interesuara për të zgjidhur problemet akute në të mirën e përgjithshme. 
Gjyqtari më i mirë: Andi Çeliku
Andi Çeliku është një ndër gjyqtarët më me personalitet, është shumë aktiv në debate me kolegë dhe një aktivist i shquar shoqëror. Është i papajtueshëm me fenomenet që kanë kalbëzuar sistemin e drejtësisë dhe ka marrë pjesë edhe në diskutimet për reformën në drejtësi. 
Avokati më produktiv: Ardian Leka
Ardian Leka është një ndër avokatët më produktiv, është shquar në përpjekjet që ka bërë vazhdimisht për të pasur një transparencë profesionale, në çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë. Është shumë aktiv edhe në procesin e diskutimeve që janë bërë për reformën në drejtësi. 
Prokurori më i suksesshëm: Ramadan Troci
Ramadan Troci është prokurori, që arrestoi guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, duke thyer një risi të keqe që është krijuar si traditë në Shqipëri, ku zyrtarët e lartë, edhe kur shpërdorojnë detyrën në mënyrë flagrante, nuk mund të preken nga drejtësia. Prokurori Ramadan Troci, me shembullin e tij në punë, u dëftoi shqiptarëve, që askush nuk mund të jetë mbi ligjin, kur cenohet ligji dhe interesat e shqiptarëve. 
Personaliteti më i shquar në sport: Armand Duka
Viti 2015, do të mbahet mend për dhjetëra vite që do të vijnë se për herë të parë në histori Kombëtarja e Futbollit shqiptar u kualifikua në finalet e Europës Francë 2016! Dhe Armando Duka është strategu i kësaj fitoreje të madhe për gjithë shqiptarët, pasi Kombëtarja jonë e Futbollit, nën menaxhimin e Armando Dukës u shqua jo vetëm në fushën e blertë, por triumfoi edhe në KAS, ndaj çështjes së dronit në Beograd. 
Politikanët më të lakuar: Edmond Haxhinasto dhe Ilir Beqja
Dy nga politikanët dhe njëherësh ministra e Rilindjes, Edmond Haxhinasto dhe Ilir Beqja, kanë qenë dy nga ministrat më të përgojuar për shkak të skandaleve të rënda që kanë ndodhur në Shëndetësi dhe Transporte. Dy ministrat, përveç shumë shkrimeve investigative nga mediat shkruara dhe vizive dhe opozita, gjithashtu janë kallëzuar në Prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për shkelje të rënda financiare që shkojnë më miliona euro.