Ilir Meta: “Perspektiva për t’u bërë pjesë e BE-së po bëhet reale”

443
Sigal

Perspektiva për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian po bëhet reale dhe nuk është më një ëndërr për Shqipërinë”. Me këto fjalë iu drejtua të premten kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, të rinjve nga vende anëtare të BE-së dhe nga vende që aspirojnë anëtarësimin në këtë organizëm, pjesë e “Model European Union Albania 2013”. Meta iu tha të rinjve se kur na u ofrua mundësia për modelin e BE-së në Shqipëri nuk hezituam aspak. “Dhe këtë e bëmë, sepse nuk ka asgjë më simbolike për institucionin tonë, për t’iu patur ju këtu nga gjithë Europa, për të simuluar modelin e institucioneve europiane”, u shpreh Kryeparlamentari. “E kam filluar karrierën time politike kur isha student në fillim të viteve ’90, me shpresën që një ditë ta shikoja Shqipërinë në Europë dhe tashmë perspektiva për t’u bërë pjesë e saj po bëhet reale dhe nuk është më një ëndërr. Pas zgjedhjeve të suksesshme të 2013-s, ne erdhëm në pushtet dhe progres raporti i Komisionit Europian që doli para dy ditësh ishte pozitiv”. Në fjalën e tij Meta nënvizoi transformimin e jashtëzakonshëm që ka pësuar Shqipëria krahasuar me të shkuarën dhe progresin e saj për t’u bërë pjesë e BE-së.

 Sequi: “Të rinjtë duhet të bindin ligjvënësit për interesat e tyre më të rëndësishme”

“Të rinjtë duhet të bindin ligjvënësit se interesat tuaja janë shumë të rëndësishme dhe janë njësoj si interesat e tyre”, deklaroi Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi. Gjatë një takimi të zhvilluar sot në sallën e Kuvendit të Shqipërisë me të rinjtë e “European Union Albania”, Sequi u shpreh se “këtu ndodhin debatet më të rëndësishme dhe më të mëdha për Shqipërinë, por tani është radha juaj për të provuar aftësitë tuaja për të ardhmen”.  “Ju duhet të diskutoni, të jepni ide dhe kjo është ajo që ka rëndësi në Bashkimin Europian. Po kështu, duhet të ecet përpara me politikat në BE në fusha të ndryshme, dhe për këtë të rinjtë duhet të japin idetë e tyre. BE ka nevojë për dialog. Modeli i BE është i rëndësishëm për të rinjtë, jam i kënaqur që jam pjesë e këtij modeli”, iu drejtua Ambasadori i BE-së të rinjve europianë.  Gjithashtu, deklaroi Sequi, “duhet treguar edhe respekti për të drejta e njeriut. Pjesë i këtij programi janë edhe prosperiteti, progresi, paqja, një zhvillim i qëndrueshëm dhe mbrojtja e mjedisit, avancimi ekologjik, drejtësia, barazia midis meshkujve dhe femrave dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut”.  Ambasadori theksoi se “për mua një europian nuk është një person që ka pasaportë europiane, por edhe një person që ndan vlerat dhe rregullat e Europës, aftësia për t’i promovuar këto vlera dhe për të luftuar për to”.