Ilir Meta: Pavarësisht rritjes së euro-skepticizmit në shumë vende të kontinentit, sot projekti europian është më i rëndësishëm

456
Sigal

Përmbyllet Asambleja Parlamentare e SEECP në Bukuresht. Shqipëria merr Presidencën e radhës nga Rumania.

Ka përfunduar punimet sot në Bukuresht Asambleja Parlamentare e Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP), ku mori pjesë edhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta, shoqëruar nga delegacioni parlamentar i përbërë prej deputetëve z. Taulant Balla, znj. Esmeralda Shkjau dhe z. Piro Kapurani.

Kryetarët e Parlamenteve të vendeve anëtare të SEECP miratuan gjithashtu sot një deklaratë të përbashkët me rastin e inaugurimit të Asamblesë Parlamentare të SEECP, themelimin e së cilës e cilësuan si një moment të jashtëzakonshëm në zhvillimin e bashkëpunimit parlamentar të rajonit.

Për herë të parë në këtë takim të rëndësishëm rajonal mori pjesë edhe Kosova, në statusin e të ftuarit të veçantë të kryesisë rumune, pjesëmarrje që u cilësua nga Kryetari i Kuvendit z. Meta si një hap domethënës përpara në funksion të stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të rajonit.

Gjatë seancës inaugurale, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta mbajti një fjalim përshëndetës mbi rolin e ardhshëm të Asamblesë Parlamentare të SEECP në kornizën europiane.

Fjala e plotë e z. Ilir Meta

I nderuar Kryetar,  Të dashur Kolegë,

Zonja dhe Zotërinj, Të dashur Miq.

 Është vërtetë një kënaqësi dhe nder i veçantë që jam këtu në Rumani, në atë që ne e konsiderojmë një moment historik për Procesin e Bashkëpunimit të Europës Juglindore (PBEJL).

 Më kujtohet se si 14 vjet më parë, pikërisht këtu në Bukuresht, në cilësinë e Kryeministrit të Shqipërisë, së bashku me kolegë të tjerë nënshkruam Kartën mbi Marrëdhëniet e Fqinjësisë së Mirë, Stabilitetin, Sigurinë dhe Bashkëpunimin.

 Jam veçanërisht i kënaqur teksa shoh zhvillimin e shkëlqyer që është arritur gjatë viteve dhe që kam sërish privilegjin të jem pjesë e përurimit të Asamblesë Parlamentare të Procesit, që për mendimin tim është një moment i jashtëzakonshëm në zhvillimin e bashkëpunimit parlamentar në rajonin tonë.

 Kolegë, PBEJL përfaqëson një platformë të shkëlqyer bashkëpunimi mes vendeve tona, jo vetëm në dobi të integrimit rajonal, por mbi të gjitha në shërbim të aspiratave europiane të secilit prej vendeve tona. Pesë nga 12 vendet anëtare të PBEJL-së, tashmë janë anëtare të BE-së dhe pjesa tjetër aspirojmë të gjithë që një ditë të jemi tërësisht të integruar në Bashkimin Europian.

 Unë besoj se puna e Asamblesë Parlamentare duhet t’i shërbejë pikërisht këtij qëllimi të përbashkët të vendeve tona – integrimit në Bashkimin Europian.

 Pavarësisht rritjes së euro-skepticizmit në shumë vende të kontinentit, sot projekti europian është më i rëndësishëm se kurrë. Unë këtu përfaqësoj një vend me një shumicë dërrmuese të popullsisë së tij që mbështet tërësisht integrimin në BE. Duke qenë nga një vend që dikur ishte vendi më i izoluar në Europë, unë besoj se ne i kuptojmë qartë rezultatet e prekshme që perspektiva europiane mund të sjellë në jetën e përditshme të qytetarëve tanë.

Këtë vit ne shënuam 10 – vjetorin e valës më të madhe të Zgjerimit të BE-së në Europën Qendrore dhe Lindore, e cila ka provuar efektet e dyfishta pozitive të procesit, në drejtim të demokratizimit dhe zhvillimit social-ekonomik të anëtarëve të rinj, por dhe në drejtim të rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike midis anëtarëve të vjetër dhe pjesës së integruar rishtas.

 Jam i bindur se forca transformuese e Bashkimit Europian e ka kthyer bllokun e anëtarëve të rinj në një motor dinamik dhe kuptimplotë të zhvillimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare për të gjithë kontinentin, por dhe në një model të shkëlqyer suksesi për të gjitha vendet e tjera aspiruese, siç jemi ne.

 Në këtë frymë, dhe në të njëjtën kohë, i vetëdijshëm për fuqinë e politikës tonë konstruktive dhe bashkëpunuese në rajon, dëshiroj të rikonfirmoj se Shqipëria mbetet vendosmërisht e përkushtuar në forcimin e PBEJL-së dhe në heqjen e barrierave mes të gjithë vendeve tona. Ne nuk ndajnë vetëm një histori të përbashkët, por edhe një rrugëtim të përbashkët drejt BE-së. Për këtë arsye, Asambleja Parlamentare e PBEJL-së nuk do të kishte asnjë kuptim, në qoftë se ajo nuk i shërben aspiratave për në BE të vendeve tona.

Asambleja Parlamentare vjen në një moment shumë kritik gjatë krizës ekonomike globale, që ka tronditur themelet e sigurisë ekonomike dhe sociale të disa vendeve anëtare të BE-së. Sondazhet vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve europiane, po tregojnë se kriza ka sfiduar perspektivën e zgjerimit të BE-së për të ardhmen.

Ne e kuptojmë se momentet e vështira sjellin lodhje për zgjerim të mëtejshëm. Por ne gjithashtu jemi të qartë në besimin tonë se, pa një Europë Juglindore të integruar plotësisht, nuk ka parametra të shëndosha  stabiliteti dhe sigurie në vetë Bashkimin Europian. Zhvillimet e fundit shqetësuese në Ukrainë janë vetëm një kujtesë e thjeshtë dhe e qartë e kësaj.

Ky vit ka dëshmuar një progres shumë të mirë të bashkëpunimit parlamentar në Europën Juglindore (EJL), i cili është konfirmuar nga hapat konkretë të ndërmarra në drejtim të institucionalizimit të bashkëpunimit parlamentar në rajonin tonë.

 Krijimi i Asamblesë sonë Parlamentare është një tregues i qartë i një qëndrimi të ri që po aplikohet në të gjithë rajonin tonë dhe ne jemi të bindur se kjo platformë e re do të jetë një kontribut thelbësor në drejtim të nxitjes së bashkëpunimit sistematik mes parlamenteve dhe qeverive tona.

 Përgatitjet për anëtarësimin në BE paraqesin një sfidë të veçantë për parlamentet kombëtare, pasi një paketë e gjerë e legjislacionit të BE-së duhet që, brenda një periudhe të shkurtër kohore, të kthehet në legjislacion kombëtar. Disa nga ju e kanë kaluar tashmë këtë fazë. Disa prej nesh mbështeten në ekspertizën dhe suportin tuaj përgjatë këtij procesi.

Nevoja për shkëmbime parlamentare me partnerë të tjerë në rajon në drejtim të promovimit dhe shkëmbimit të praktikave dhe përvojave më të mira, janë bërë tashmë një aspekt i rëndësishëm i bashkëpunimit rajonal, dhe unë besoj se Asambleja Parlamentare e PBEJL-së do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në këtë kontekst.

 Tani, unë do të doja të shpreh mirënjohjen tonë dhe gjithashtu të përgëzoj mikpritësit tanë rumunë për ftesën që i kanë bërë delegacionit të Kosovës. Edhe pse ne e vlerësojmë si një hap shumë të rëndësishëm dhe kuptimplotë praninë e Kosovës si të Ftuar të Veçantë në Bukuresht, Shqipëria beson se, të udhëhequr nga parimi i gjithë-përfshirjes, ne të gjithë duhet të gjejmë konsensusin e nevojshëm për të garantuar që Kosova së shpejti të bëhet anëtare e plotë e PBEJL-së.

Avancimi i dialogut Beograd – Prishtinë, zbatimi i plotë i marrëveshjes së tyre dhe përfshirja e Kosovës në të gjitha nismat rajonale, do të jenë një kontribues konkret në stabilitetin dhe zhvillimin e mëtejshëm ekonomik për të gjithë ne. Shqipëria do të jetë gjithmonë mbështetëse.

Më lejoni të përgëzoj kolegun tim rumun, z. Zgonea dhe ekipin e tij të Parlamentit rumun për përpjekjet shumë të mëdha dhe punën e bërë gjatë vitit të kaluar, që kulmuan sot me përurimin e kësaj Asambleje Parlamentare. Komplimentet e mia për organizimin e mrekullueshëm të këtij takimi dhe për mikpritjen që ju keni treguar.

Unë do të doja të theksoj se Shqipëria i kushton vëmendje të dyfishtë këtij takimi, duke pasur parasysh Presidencën tonë të ardhshme të PBEJL-së, e cila nis muajin e ardhshëm.

Për t’a mbyllur, më lejoni t’ju siguroj se Kuvendi i Shqipërisë gjatë Kryesimit të tij në vitin e ardhshëm do t’a avancojë më tej punën e frytshme të bërë deri tani nga kolegët tanë rumunë dhe mund t’ju rikonfirmoj angazhimin tonë të fortë për të përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Deklarata jonë e përbashkët sot, duke siguruar që të gjitha detyrat logjistike të plotësohen dhe që Asambleja Parlamentare të marrë formë gjatë Presidencës Shqiptare.

Ju falënderoj përsëri dhe urime.

 Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta zhvillon takime dypalëshe në kuadër të punimeve të Asamblesë Parlamentare të SEECP në Bukuresht

 Z. Ilir Meta theksoi se bashkëpunimi konkret mes vendeve anëtare të SEECP forcon jo vetëm integrimin rajonal, por edhe dimensionin e perspektivës europiane të vendeve aspirante për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Në kuadër të punimeve të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP), Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta zhvilloi takime dypalëshe me Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi z. Ranko Krivokapic, Kryetarin e Parlamentit të Turqisë z. Cemil Çiçek dhe Kryetarin e Parlamentit të Bullgarisë Mihail Mikov.

 Gjatë takimit me Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, z. Ranko Krivokapic, u diskutua mbi zhvillimet e fundit në rajon me fokus forcimin e bashkëpunimit ekonomik e rajonal mes dy vendeve fqinje.  Duke vlerësuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit te Zi si të shkëlqyera, z. Meta shprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe ndau bindjen me z. Krivokapic se procesi i integrimit europian është një rrugëtim i vlefshëm dhe i nevojshëm për avancimin shoqëror, demokratik dhe ekonomik të vendeve të rajonit tonë. Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërparlamentar mes dy vendeve, z. Krivokapic e ftoi z. Meta për një vizitë zyrtare në Mal të Zi, ftesë e cila u pranua me kënaqësi.

Gjatë takimit me Kryetarin e Parlamentit të Turqisë z. Cemil Cicek, Kryetari i Kuvendit z. Meta u shpreh se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë reflektojnë jo vetëm një nivel të shkëlqyer bashkëpunimi strategjik, por edhe një karakter vëllazëror mes dy popujve.

Z. Meta dhe z. Cicek ranë dakort për intensifikimin konkret të marrëdhënieve ndërparlamentare përmes grupeve reciproke të miqësisë dhe komisioneve parlamentare, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ekonomik në të gjithë sektorët. Z. Meta e vlerësoi Turqinë si një partner të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë dhe në këtë drejtim ndau bindjen me kolegun z.Cicek se vizita e pritshme e Kryeministrit z.Erdogan në Tiranë, do t’i japë një shtysë bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh mes dy vendeve.

Gjatë takimit me Kryetarin e Parlamentit të Bullgarise z. Mihail Mikov, z. Meta i cilësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bullgarisë si shumë të mira dhe si tepër të rëndësishme në kuadër të forcimit të stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të rajonit. Në këtë kuadër u nda bindja se të dy vendet duhet të intensifikojnë përpjekjet e tyre në funksion të shkëmbimeve tregtare, forcimit të lidhjeve infrastrukturore dhe bashkëpunimit në nivel rajonal.

 Z. Meta dhe z. Mikov ranë dakord për rritjen e shkëmbimeve ndërparlamentare në nivel Kryetarësh, Grupeve të Miqësisë dhe Komisioneve Parlamentare, duke vlerësuar mbështetjen dhe ekspertizën bullgare në funksion të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Gjatë gjithë takimeve dypalëshe, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mirëpriti angazhimin e Malit të Zi, Turqisë dhe Bullgarisë në mbështetje të Presidencës shqiptare të Asamblesë Parlamentare të SEECP, duke theksuar se bashkëpunimi konkret mes vendeve anëtare të SEECP forcon jo vetëm integrimin rajonal, por edhe dimensionin e perspektivës europiane të vendeve aspirante për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta merr pjesë në Asamblenë Parlamentare të SEECP (Asambleja Parlamentare e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore)  që u zhvillua në kryeqytetin e Rumanisë, në Bukuresht.

Në këtë takim, Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga njw delegacion parlamentar, z. Taulant Balla, znj. Esmeralda Shkjau dhe z.Pirro Kapurani.

Në emër të Trojkës së Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta së bashku me Kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Rumanisë, z. Valeriu Zgonea dhanë një Konferencë për Shtyp në Bukuresht, në kuadër të Asamblesë Parlamentare të SEECP.

Z. Ilir Meta falënderoi për mirëpritjen Kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Rumanisë, z. Valeriu Zgonea dhe shprehu mirënjohjen për përpjekjet që kulmuan me inaugurimin e Asamblesë Parlamentare. “Dëshiroj së pari të përgëzoj Kolegun Valeriu Zgonea dhe ekipin e tij për organizimin e shkëlqyer të kësaj Konference në Bukuresht dhe për mikpritjen e ngrohtë që na kanë ofruar sot të gjithëve. Jemi mirënjohës për punën e madhe që është bërë nga miqtë tanë në Bukuresht gjatë këtij viti, në funksion të përshpejtimit të dimensionit parlamentar të SEECP, dhe shprehim mirënjohje të veçantë që përpjekjet e tyre kulmojnë sot me inaugurimin e Asamblesë Parlamentare. Z. Zgonea, dua t’ju falenderoj për punën e palodhur, për përkushtimin dhe për rezultatet e frytshme që keni arritur gjatë Presidencës suaj”, tha z.Meta.

Kryetari i Kuvendit u shpreh se themelimi i Asamblesë Parlamentare të SEECP, konfirmon përmbushjen e kushteve bazë për transformimin e dimensionit parlamentar të SEECP.  Z. Ilir Meta shtoi se Asambleja Parlamentare e SEECP, do të luajë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e Parlamenteve në procesin e harmonizimit të kuadrit legjislativ me atë të ‘Aquis Communautaire’.

“Themelimi i Asamblesë Parlamentare të SEECP këtu në Bukuresht përfaqëson një hap madhor përpara në thellimin e bashkëpunimit parlamentar në rajonin tonë. Jam i lumtur që kemi konfirmuar sot bashkërisht se kushtet bazë për transformimin e dimensionit parlamentar në Asamblenë Parlamentare të SEECP janë përmbushur. Asambleja Parlamentare e SEECP përfaqëson një mekanizëm të rëndësishëm që do të luajë një rol domethënës në mbështetje të Parlamenteve tona në procesin e harmonizimit të kuadrit legjislativ me atë të ‘Aquis Communautaire’ përmes shkëmbimit të praktikave më të mira, njohurive dhe eksperiencave me Parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian”, tha z. Meta.

Kryetari i Kuvendit shprehu bindjen se Asambleja e re parlamentare do të promovojë bashkëpunimin efikas me iniciativa të tjera rajonale. “Kjo Asamble e re parlamentare do të kontribuojë në thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar rajonal dhe do të promovojë më tej bashkëpunimin efikas me iniciativa të tjera rajonale, veçanërisht me ato të makro-rajoneve të BE-së”, theksoi z.Ilir Meta.

Transformimi i dimensionit parlamentar të Asamblesë Parlamentare , është një moment historik për zhvillimin e bashkëpunimit parlamentar rajonal.

Në fjalën e hapjes , Presidenti i Dhomës së Deputetëve theksoi rëndësinë e rritjes së marrëdhënieve të bashkëpunimit midis shteteve të Europës Juglindore në kontekstin e zhvillimeve në rajon .

“Ajo që po ndodh këto ditë në Bukuresht është një moment historik për Rumaninë dhe për vendet e tjera të rajonit . Ne të gjithë e dimë se kjo pjesë e Ballkanit ka qenë gjithmonë e shqetësuar nga tensionet dhe konfliktet . Sot është hera e parë që të 12 vendet në rajon kanë thënë se do të shkojnë së bashku në të njëjtën rrugë . Vetëm së bashku ne mund të kontribuojmë në përparimin e të gjithë rajonit . Vetëm së bashku ne mund të promovojmë interesat e përbashkëta në forcimin e stabilitetit dhe të sigurisë në Ballkan dhe të sigurojmë një perspektivë europiane dhe euroatlantike për të gjitha vendet e Evropës Jug – Lindore”, tha Valeriu Zgonea .

 Delegacionet parlamentare që marrin pjesë janë;  Shqipëria , Bullgaria, Greqia, Maqedonia, Rumania, Serbia , Turqia, Bosnjë dhe Herzegovina, Kroacia, Moldavia, Mali i Zi dhe Sllovenia.

Në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, që po zhvillohet në Bukuresht, me kërkesë të palës shqiptare në seancën inauguruese mori pjesë si i ftuar special dhe  Kryetari i Kuvendit të Kosovës z. Jakup Krasniqi.

  Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë gjatë Konferencës për Shtyp të Trojkës së SEECP në Bukuresht

 Dëshiroj së pari të përgëzoj Kolegun Valeriu Zgonea dhe ekipin e tij për organizimin e shkëlqyer të kësaj Konference në Bukuresht dhe për mikpritjen e ngrohtë që na kanë ofruar sot të gjithëve.

Jemi mirënjohës për punën e madhe që është bërë nga miqtë tanë në Bukuresht gjatë këtij viti, në funksion të përshpejtimit të dimensionit parlamentar të SEECP, dhe shprehim mirënjohje të veçantë që përpjekjet e tyre kulmojnë sot me inaugurimin e Asamblesë Parlamentare.

Z. Zgonea, dua t’ju falenderoj për punën e palodhur, për përkushtimin dhe për rezultatet e frytshme që keni arritur gjatë Presidencës suaj.

Themelimi i Asamblesë Parlamentare të SEECP këtu në Bukuresht përfaqëson një hap madhor përpara në thellimin e bashkëpunimit parlamentar në rajonin tonë. Jam i lumtur që kemi konfirmuar sot bashkërisht se kushtet bazë për transformimin e dimensionit parlamentar në Asamblenë Parlamentare të SEECP janë përmbushur.

Asambleja Parlamentare e SEECP përfaqëson një mekanizëm të rëndësishëm që do të luajë një rol domethënës në mbështetje të Parlamenteve tona në procesin e harmonizimit të kuadrit legjislativ me atë të ‘Aquis Communautaire’ përmes shkëmbimit të praktikave më të mira, njohurive dhe eksperiencave me Parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

 Kjo Asamble e re parlamentare do të kontribuojë në thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar rajonal dhe do të promovojë më tej bashkëpunimin efikas me iniciativa të tjera rajonale, veçanërisht me ato të makro-rajoneve të BE-së.

Dëshiroj të konfirmoj se gjatë Presidencës shqiptare të SEECP, ne do të vazhdojmë zhvillimin e këtij institucioni të rëndësishëm parlamentar përmes përmbushjes së angazhimeve të ndërmarra dhe përfundimit të çështjeve të mbetura, në mënyrë që të avancojmë në detyrën tonë të përbashkët për të patur një Sekretariat plotësisht funksional dhe një buxhet operacional.

Ju falenderoj edhe njëherë dhe shpreh kënaqësinë e pjesëmarrjes në këtë takim në Bukuresht. Ju mirëpresim në Tiranë vitin që vjen.