Ilir Meta: Pas 24 korrikut kryetar i të gjithëve, LSI forcë e integrimit Evropian

107
Konventa Kombëtare e Lëvizjes Socialiste për Integrim zgjodhi kryetarin e ri Petrit Vasili dhe nënkryetaren Monika Kryemadhi. Të pranishëm, anëtarë dhe kandidat për deputet të LSI në zgjedhjet e 18 qershorit dhe delegatë nga i gjithë vendi
Konventa Kombëtare e LSI-së e mbledhur pasditen e 3 prillit, vendosi unanimisht të emëroi Petrit Vasilin në postin e kryetarit të ri të partisë, dhe në postin e nënkryetares, Monika Kryemadhit. Konventa u mblodh e detyruar pas dorëheqjes së kryetarit të saj Ilir Meta nga posti i Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, menjëherë pas emërimit në krye të shtetit. Në këtë Konventë ishin të pranishëm drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, kandidatët për deputet të Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet e 18 qershorit, delegatë nga të gjitha degët e LSI-së në të gjithë Shqipërinë. PetritVasili është Kryetari i dytë i Lëvizjes Socialiste për Integrim që nga themelimi i saj në 6 shtator të vitit 2004. I zgjedhur për të drejtuar LSI-në për 14 vite ka qenë Ilir Meta, i cili u zgjodh në 28 prill President i Republikës së Shqipërisë. Në fjalën përshëndetëse të mbajtur gjatë Konventës, Ilir Meta u shpreh se zgjedhja e tij në postin e Presidentit të Republikës është një investim, jo vetëm i forumeve drejtuese të LSI, por një investim që çdo votues i LSI bën për stabilitetin e Shqipërisë.
LSI lindi si sfidë ndaj arrogancës qeverisëse të kohës
E filloi me një lutje për qetësi. Për të thënë se do të mbante fjalën më të shkurtër të mbajtur ndonjëherë në një Konventë. U tha të pranishmëve se përmes qetësisë do të mund të komunikonte me anëtarët dhe simpatizantët dhe votuesit e LSI kudo në të gjithë Shqipërinë. Ju falënderoj shumë të gjithëve! Këtu në këtë konventë dhe kudo në të gjithë Shqipërinë! Anëtarëve të LSI-së, simpatizantëve dhe votuesve të kësaj force të madhe politike, fuqi e pandalshme e progresit, e stabilitetit, e paqes sociale dhe integrimit evropian në Shqipërisë. Ju falënderoj shumë që e mirëkuptuat, edhe pse me pak vështirësi, zgjedhjen time si President i Republikës, duke kuptuar dhe mirëkuptuar atë si një investim, që jo vetëm unë, jo vetëm forumet drejtuese të LSI-së, por mbi të gjitha si një investim që çdo anëtar, çdo simpatizant dhe çdo votues i LSI-së bën stabilitetin e Shqipërisë. LSI lindi në 6 shtator të vitit 2004, si një sfidë e madhe dhe si një parti e madhe që në ditën e parë të krijimit të saj. Lindi e tillë sepse kishte kauza të mëdha. Lindi si një forcë për demokraci, si një forcë për stabiliteti, si një forcë për integrimin më të shpejtë evropian të Shqipërisë. LSI lindi si një sfidë ndaj arrogancës qeverisëse të kohës. LSI lindi edhe si një sfidë, jo thjesht e Ilir Metës dhe e nismëtarëve të saj, të gjithë shqiptarëve ndaj një regjimi dypartiak për 15 vite në Shqipëri.

LSI, pavarësisht nga përpjekjet konsensuale për ta demonizuar atë, ka qenë forca më e madhe e vlerave morale për demokracinë dhe për zgjedhjet e lira në Shqipëri.

Nuk besoj se themeluesit, por edhe të gjithë anëtarët dhe votuesit e parë të LSI-së e kanë harruar se si vetëm në pak muaj, duke pasur të gjithë makinerinë e pushtetit kundër saj, Lëvizja Socialiste për Integrim ishte vetmja që nuk e shkeli Kodin Zgjedhor, që nuk u bë pjesë e “super-Dushkut” dhe mori të paktën 120 mijë vota, të ndershme dhe me sakrifica të qytetarëve shqiptar që kërkonin ndryshim.
LSI nuk u dorëzua edhe nga Super-Dushku
“Super-Dushku” konsensual për të gjithë ata që janë kuriozë, mjaftojnë të bëjnë një kërkim dhe të shohin rezultatet e partive në mazhoritar dhe në proporcional, se çfarë ndodhi me votat e shqiptarëve në vitin 2005 vetëm për të zhvlerësuar mandatet e drejtat dhe legjitime që shqiptarët i dhanë LSI-së si forcë përcaktuese për të ardhmen e Shqipërisë.

Por LSI nuk u dorëzua. Përkundrazi! Ajo vazhdoi të tregojë rritje aq sa në një natë të errët në prill të vitit 2008 u ndryshua në mënyrë konsensuale Kushtetuta e Shqipërisë vetëm për të eliminuar Lëvizjen Socialiste për Integrim. Një akt i paprecedent dhe sot e kësaj dite, Shqipëria vuan pasojat e atyre ndryshimeve kushtetuese dhe të atij Kodi të mallkuar, ku qëndron një pjesë e mirë e burimit të konfliktit dhe frikës së politikës së papërgjegjshme nga vota e lirë dhe e ndershme e shqiptarëve. Unë kurrë nuk do të harroj ato dy javë të grevës së urisë në Kuvendin e Shqipërisë së bashku me kolegët e mi deputetë të asaj kohe, jo vetëm të LSI-së, por edhe të disa partive të tjera parlamentare, dhe mbi të gjitha nuk do të harroj, përkrahjen e atyre mijëra anëtarëve, simpatizantë të LSI-së çdo ditë përpara Kuvendit. Pavarësisht nga padrejtësisë, nga klima e presionit, e shantazhit, ndaj votuesve shqiptar dhe atyre të LSI-së në veçanti, ne arritëm të mbijetonin në vitin 2009 në ato zgjedhje, që treguan edhe një herë problemet me të cilat ndeshet demokracia në Shqipëri. Jo vetëm mbijetuam, por me largpamësi u bëmë faktor stabiliteti dhe përshpejtimit evropian të Shqipërisë.
Koalicioni PD-LSI
E di se jo pak prej jush nuk u pajtuat me atë vendim të vështirë të koalicionit të Lëvizjes Socialiste për Integrim me Partinë Demokratike, por ajo ishte e vetmja zgjidhje për t’i shërbyer stabilitetit dhe jo kaosit, integrimit dhe jo degradimit të reformave në vend.

Dhe të gjithë le ta dinë, se LSI-ja ka një rol kyç në liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptar dhe ishte koha e duhur për të fituar këtë mundësi për qytetarët shqiptar.
Ashtu sikurse ju të gjithë e mbani mend vendimin tonë të drejtë pas përfundimit të marrëveshjes me PD për të kaluar në opozitë, duke i bërë një shërbim të madh demokracisë në vend duke garantuar një rotacion paqësor dhe demokratik të pushtetit.

Por ju ndoshta kemi harruar një fakt të rëndësishëm. Që i vetmi kusht që Ilir Meta dhe LSI i vendosën PS për t’u shkëputur nga PD që ishte në pushtet dhe për të kaluar në opozitë, ishte votimi i tre ligjeve të cilat kishin të bënin me integrimin evropian dhe me marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë më vonë. Ashtu sikurse të gjithë duhet të kujtojnë se koalicioni me Partinë Demokratike nuk ka qenë i lehtë, por ne jemi krenarë që i kemi qëndruar marrëveshjes, ashtu sikurse të gjithë shqiptarët e dinë se kur ka qenë në pikëpyetje marrëdhënia e Shqipërisë me NATO-n, LSI ka vendosur kushtet e saj për të respektuar marrëveshjet dhe kursin euroatlantik të Shqipërisë.
LSI, forcë e Integrimit Evropian
LSI do të vazhdojë të jetë forcë e integrimit evropian dhe unë jam i lumtur që kam firmosur listën e Tiranës, që drejtohet nga Klajda Gjosha, Ministrja e Integrimit Evropian. Sepse jam i bindur që këto vajza të reja, këta djem të rinj të cilët kanë studiuar në Evropë, të cilët janë kthyer në vendin tonë për t’i shërbyer atij, janë garancia më e mirë për ta udhëhequr Shqipërinë drejt integrimit evropian, duke dëshmuar jo vetëm përgjegjshmëri, profesionalizëm, por edhe një kulturë të bërit politikë si evropianë të vërtetë.

Po të flisja për sfidat, për sakrificat, për vuajtjet, për pabesitë dhe padrejtësitë e pafundme, me të cilat është ndeshur LSI do të duheshin jo ditë e javë, por ndoshta vite të tëra. Por unë sot nuk dua t’u kthehem atyre, por jam i lumtur që ne këto sakrifica, këto vuajtje, këto padrejtësi, këto pabesi, nuk i kthyem në hakmarrje, por i kthyem në vlera të jashtëzakonshme të tolerancës, të bashkëpunimit, të mirëkuptimi për të mirën e Shqipërisë. Ndaj edhe shprehja “Me qetësi edhe dashuri” nuk më doli nga goja, por më doli nga shpirti. Dhe do t’ju lutesha dhe juve që çdo vendimmarrje të rëndësishme ta bëni me qetësi, sepse për fat të keq deri tani të tjerët japin shembullin se si bëhen me gjaknxehtësi dhe kokëfortësi, po ta bëni me dashuri për vendin.

LSI duhet të jetë forca që mban fjalën edhe në të ardhmen.
Kjo është shumë e rëndësishme për të dekurajuar zhgënjimin e qytetarëve tanë, sidomos të rinjtë, ndaj politikës për t’i dhënë krahë besimit të qytetarëve tanë dhe të rinjve e të rejave të Shqipërisë te politika.
“Si President do bëj gjithçka për stabilitetin dhe demokracinë”
Unë si President i ardhshëm i Republikës do të bëj gjithçka që të jap sa më shumë fuqi dhe sa më shumë pushtet dialogut, stabilitetit dhe demokracisë në interes të gjithë qytetarëve shqiptarë. Sot kërkoj nga ju dhe nga gjithë Lëvizja Socialiste për Integrim që do të bëj çdo gjë për t’i dhënë sa më shumë humanizëm, sa më shumë vlera morale dhe njerëzore politikës, pushtetit dhe qeverisjes. Edhe unë, edhe LSI-ja janë përpara dy sfidave të rëndësishme. Unë jam përpara një sfide të rëndësishme për të treguar se pavarësisht bindjeve të mia, të cilat që nga fundi i vitit 1991 e deri tani nuk kanë ndryshuar, kanë qenë, janë dhe do të jenë eurosocialiste. Pas 24 korrikut, do dëshmoj përpara të gjithë shqiptarëve se nuk ndikohem as nga bindjet e mia politike dhe as nga fakti që kam qenë kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ju keni një sfidë më të lehtë se mua në raport me opinionin publik që të tregoni se edhe pa Ilir Metën kryetar, ju jeni në rrugën e rritjes së pandalshme dhe shndërrimit të LSI-së në një forcë madhore të transformimit të politikës në Shqipëri dhe për triumfin e arsyes dhe paqes sociale.
“Dua të shpreh disa falënderime”
Falënderimi i parë u shkon të gjithë nismëtarëve të themelimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim pa asnjë përjashtim, që më 6 shtator nuk krijuan një parti të re, por hapën një faqe të re në politikën dhe demokracinë e Shqipërisë.

Brenda kësaj mirënjohje të madhe kam edhe disa mirënjohje të veçanta.

Një mirënjohje të përhershme në veçanti për Afërdita Tutulani, motrën e heronjve të popullit, Margarita dhe Kristaq Tutulanit dhe për të gjithë veteranët, të cilët firmosën dhe mbështetën LSI-në që në 6 shtator të vitit 2004 patën besim te perspektiva e kësaj force politike. Një mirënjohje të veçantë e kam për profesor Pëllumb Xhufin, për profesor Sabit Brokajn dhe për të gjithë ata nismëtarë, të cilët në kohë të mëvonshme nuk u pajtuan me vendimet politike të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Jam i bindur se ata gjithmonë do të kenë një vend të nderuar në historinë e kësaj force politike. Një mirënjohje të veçantë për Erisa Xhixhon, Ardit Çelën, Endrit Braimllarin, ata që krijuan organizatën rinore më të paparë në botë, Lëvizjen Rinore për Integrim.

Mirënjohje për ata që në 6 shtator të vitit 2004 ishin vetëm 5 vjeç dhe sot na nderojnë duke qenë në listat tona si kandidatë për deputetë: Fiona Dani, Kristi Xharau, Kevin Topi. 

Edhe po nuk më ftoi Fiona në ditëlindjen e saj të 20-të, në 15 nëntorin që vjen, unë do të shkoj atje, por kam frikë se do të takoj kaq shumë deputetë të rinj dhe deputete të reja. 

Një falënderim i jashtëzakonshëm, për Luan Ramën, kryetarin e grupit tonë parlamentar, për të gjithë deputetët tanë ndër vite, për të gjitha forumet drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim, sepse LSI-ja nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë një njeri. Është një institucion demokratik në të gjithë Shqipërinë. Tani kam dy falënderime shumë të veçanta për dy gjëra shumë të shtrenjta, pa të cilat unë kurrë nuk do të isha ky që jam: falënderimi i parë për popullin e Skraparit. Pa besnikërinë e jashtëzakonshme të atyre njerëzve, unë sot do të isha një kujtim për të gjithë ata që më duan në politikën shqiptare. Të gjithë kolegët e mi, drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e mbajnë mend debatin e madh që kemi bërë kur dorëzuam listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2005-s, për mazhoritar dhe për proporcional. Unë nuk pranova që emri im të vendosej në listën proporcionale të LSI-së, pavarësisht nga kundërshtimi i të gjithë shokëve dhe bashkëpunëtorëve. Thashë: në listën e LSI-së do të vendosim profesorët e nderuar. Ilir Meta do të kandidojë në Skrapar, në mazhoritar, e në rast se unë nuk fitoj do të thotë që unë nuk e meritoj më të jem në politikë. Dhe populli i Skraparit refuzoi presionin e jashtëzakonshëm të pushtetit dhe të qeverisë së asaj kohe për të nxjerrë Ilir Metën nga politika. Por unë nuk e dua Skraparin thjesht dhe për kaq. Po jua them këtë gjë dhe mbajeni mend mirë: e dua sepse besnikëria e pakufishme e tyre ndaj meje më ka kalitur mua besnikërinë e pakufishme ndaj shokëve, ndaj miqve dhe mbi të gjitha ndaj Shqipërisë. 
Falënderimi për bashkëshorten dhe Petrit Vasilin
Një falënderim i veçantë natyrisht që i takon Monës. Edhe pse vajza jonë më e madhe është sot më e madhe se ç’ishte Mona kur e takova unë për herë të parë, në nëntor të vitit 1991 në zyrën e Musa Ulqinit te selia e Partisë Socialiste, dua t’ju siguroj që Mona ka ngelur ajo që unë kam takuar atë ditë. Edhe falënderoj, se këtu unë nuk shoh vetëm “një Monë”, unë shoh shumë “Mona”. E falënderoj për kujdesin e jashtëzakonshëm, për mbështetjen e jashtëzakonshme që ajo u ka dhënë vajzave tona të reja, u ka dhënë grave për të marrë pjesë në politikë, duke i mbrojtur, duke i frymëzuar dhe duke qenë gjithmonë në krah të tyre. Dhe tani më duhet t’ju them se duhet të falënderoj bashkëkryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në 15 vjet, Petrit Vasilin. Titi, siç e thërrasim ne të gjithë atë, është një njeri i jashtëzakonshëm dhe ju e njihni. Për mua nuk ka qenë zëvendëskryetar, por ka qenë bashkëkryetar, sepse në 15 vjet jeta ime dhe jeta e Titit ka qenë vetëm LSI-ja. Jam i bindur që ai do të jetë një kryetar i shkëlqyer i Lëvizjes Socialiste për Integrim, që do të dijë t’i mbajë gjithmonë të gjithë të bashkuar dhe të motivuar, ashtu sikurse dua t’ju them që ky njeri më ka bërë përshtypje që kur e kam takuar për herë të parë në fund të vitit 1991. Më bënte përshtypje, sepse atëherë të kritikoje Partinë Demokratike, apo të kritikoje Doktorin e sotëm, që unë vazhdoj ta kem pikë të dobët, ishte herezi, sepse mund të konfliktoheshe me këdo në rrugë, sepse i tillë ishte fillimi i demokracisë në Shqipëri. Mua më bënte përshtypje se si një i ri, një intelektual i shkolluar në Perëndim, nuk rendte drejt Partisë Demokratike ashtu siç rendnin shumë të tjerë drejt pushtetit, por ishte aq kritik dhe mosbesues dhe i shpaloste gjithnjë hapur mendimet dhe kritikat e tij. E dua Petritin, sepse Petriti nuk është nga ata që rendin pas pushtetit, por është nga ata që luftojnë dhe sakrifikojnë për bindjet. Ndaj besoj se me Petrit Vasilin, Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë atë rezultat që unë e kam ëndërruar prej kohësh dhe që secili prej jush e ëndërron. 

Unë kam besuar dhe sot besoj akoma më shumë tek fëmijët e familjeve të thjeshta shqiptare, që duan një shans për të shpalosur aftësitë e tyre, talentin e tyre, për të ndryshuar veten e tyre, familjet e tyre, shoqërinë tonë në atdheun tonë për ta bërë atë më frymëzues për të gjithë. Unë besoj se Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Lëvizja Rinore për Integrim do të dinë t’u japin shansin të gjithë fëmijëve të familjeve të thjeshta shqiptare, që e duan atdheun, por duan edhe mundësinë për të patur besim që të ardhmen e tyre ta ndërtojnë këtu: në vendin më të bukur në botë. Ndaj, kam kënaqësinë t’i uroj LRI-së sa më shumë deputetë në Kuvendin e ardhshëm për të luftuar për të rinjtë shqiptarë, për një arsim më cilësor, për vende pune më të mirëpaguara siç luftoi Kejdi Mehmetaj dhe Silva Caka gjatë këtyre katër vjetëve. Suksese në këtë Konventë! Jam i bindur se ju do ta mbështesni kryetarin tuaj të ardhshëm Petrit Vasilin dy herë më shumë: një herë për LSI-në, një herë për Ilir Metën.