Ilir Meta në “Zonë e Lirë”/ Intervista e plotë

Meta, më dukesh mua, apo je pak i mërzitur?
Jo, unë jam shumë në formë.
Po ç’është kjo qetësi? Ti e ke pasur gjithmonë…
Padyshim që është detyra e politikanëve të jenë gjithmonë të qetë, aq më tepër kur qetësia na duhet, në këto kohë.
Edhe tani që pas gjithë kësaj situate duket sikur partia që ju keni drejtuar në kaq shumë vite, me kaq shumë mund, me kaq shumë sakrifica, me shumë dashuri, duket sikur i futet një kalvari të ri vuajtjesh… Ajo që ndodhi së fundmi është përsëritja në një farë mënyre por në forma të tjera e paktit që u bë midis z. Berisha dhe z. Rama në 2008-n… Apo jo?
Së pari, është e rëndësishme që z. Rama dhe z. Basha i dhanë fund një kalvari vuajtjesh qytetarëve shqiptarë për disa muaj, në mënyrë të panevojshme dhe artificiale. Dhe i dhanë mundësi vendit të jetë më i qetë dhe të shkojë më në fund në zgjedhje normale, gjithëpërfshirëse, ku opozita do të marrë pjesë.
Ishin artificiale arsyet e krizës?
Padyshim që ishin artificiale sepse kjo zgjidhje që u bë para dy ditësh mund të ishte bërë para dy muajsh kur erdhi përfaqësuesi i PPE-së, z. McAllister. Mund të ishte bërë edhe më përpara nëse do të kishte vullnet të mirë për të dhënë më shumë besim për zgjedhjet.
Meta përse, sipas teje, nuk u bë kjo përpara 1 muaji?
Nuk dua të bëj gjykatësin dhe analistin sepse nuk është kjo detyra ime. Mund t’ju them që përpjekjet e mia, edhe si kryetar i Kuvendit në atë kohë, edhe të LSI-së kanë qenë maksimale që kjo gjë të ndodhte prej kohësh, në mënyrë që vendi të mos pësonte atë stres por edhe atë pasiguri dhe dëmtim të imazhit. Le të mos harrojmë, kemi hyrë në sezonin turistik, përveç shumë faktorëve të tjerë, sepse nuk ka vetëm zgjedhje në këtë vend. Ka edhe ekonomi, ka edhe turizëm, ka edhe kulturë, ka edhe sport.
Në turizëm nuk është se po bëhet ndonjë nam i madh, por le të themi që ka…
Turizmi është një dinamikë pozitive, në rritje dhe me turizmin jetojnë dhe përfitojnë me mijëra familje shqiptare.
Meta, të gjitha këto janë interesi publik, apo jo, dhe unë e di që ti ke qenë një politikan i përgjegjshëm. LSI në këto momente është në një farë mënyre e paralizuar. Dhe jo vetëm LSI-a, por edhe partitë e tjera sepse nuk patën mundësi të bënin koalicion…
Përmendët edhe 2008-n, përmendët edhe koalicionet. Së pari, duhet të kemi parasysh që historia nuk përsëritet dy herë njësoj. Në qoftë se në 2008-n u përjetua si tragjedi, tani të gjithë e përjetojnë si komedi. Së dyti, janë dy realitete krejt të ndryshme. Dhe së treti, LSI-a nuk dëmtohet nga çdolloj manovre, apo ku di unë, për çështjen e koalicioneve, për arsye sepse të gjitha forcat politike në këtë rast, garojnë në mënyrë të barabartë. Dhe në këtë raport, sikurse ju besoj e shikoni apo e ndieni, ndihet tepër e sigurt për të dalë forcë e parë në këto zgjedhje, kështu që nuk ka asnjë arsye pse të dëmtohet.
Ndoshta mund të dëmtohen disa parti të reja të cilat ende nuk janë shtrirë në terren dhe mund të kishin përfaqësim më të drejtë, por përsëri kjo nuk është përgjegjësi e LSI-së në këtë rast.
Megjithatë, nga kjo marrëveshje, po të ishte mundësia e koalicionit e hapur, LSI do të shkonte në koalicion me një parti tjetër të madhe?
LSI-ja do të krijonte çdolloj koalicioni që do ta bënte garën më të shëndetshme dhe më demokratike.
Pra nuk do të ishit kundër koalicioneve parazgjedhore, apo jo?
Nuk kemi qenë asnjëherë kundër koalicioneve por me çdo rast do gjykojmë për koalicionet në varësi të rrethanave.
Një ditë para se të bëhej kjo marrëveshje, LSI-ja dhe PDIU-ja, të dyja me përfaqësuesit e vetë, Petrit Vasili, kryetari i ri i LSI-se dhe Shpëtim Idrizi, të paktën dy parti që janë në koalicion me Ramën dhe PS-në, dolën dhe në një fare mënyre i thane Ramës se ne e pranojmë paketën “Mc Allister +”, PD-ja dhe Basha, për surprizën e të gjithëve tha që ne e pranojmë pa kushte votojmë dhe Vettingun. Rama mbeti vetëm. Nuk e menduat të mërkurën që duke e vënë te cepi i murit Ramën ai do të bënte këtë që bëri? Të kapte Bashën “tete-a-tete” dhe të dilte kjo marrëveshje. E bëj këtë analizë. Ju nuk dinit asgjë si bashkëkryetar i koalicionit. Dhe Petrit Vasilin, kryetarin e LSI, ministrin e Drejtësisë e hoqën pa dijeninë e tij.
Po e dramatizoni. Që kur lindi kriza LSI ka pasur një qëndrim Kristal të qartë. Duhet dialog. Opozita ka të drejtë për çështjen e drogës. Ka të drejtë për çështjen e dekriminalizimit.
Pra, kriza nuk ishte artificiale?
Tejzgjatja e krizës dhe kërkesat, që ishin jashtë çdo logjike, sidomos qeveri teknike, votim elektronik, bërja e zgjedhjeve në dhjetor etj., ishin tërësisht të pajustifikuara, por këto çështje, të mësipërmet, ishin çështje që qëndronin.
Kur situata po acarohej më tej, LSI bëri propozimin që qeveria duhet të krijojë qeveri besimi për zgjedhjet, pra mund të jetë dhe kjo qeveri që është.
Praktikisht kështu ndodhi. Edi Rama është kryeministër dhe z. Basha propozoj disa ministra teknikë në disa ministri.
I ka propozuar?
Do i propozojë. Sipas marrëveshjes do i propozojë PD dhe kjo është qeveri që ka tani besimin edhe të PD, edhe të gjithë partive të tjera.
Edhe të LSI?
Po natyrisht që e ka. LSI nuk ka shqetësime kaq shumë për çështjen e zgjedhjeve.
Ç’është kjo fushatë e çuditshme kur jeni të tre në qeveri. Ç’do të thoni në fushatë?
Secili do të japë alternativën e vetë.
Do të jetë një fushatë pozitive?
Nuk e di, besoj që LSI gjithmonë bën fushatë pozitive. Nuk shan. Nuk anatemon. Nuk denigron. Nuk arreston njeri për fjalime. Nuk fut njeri në burg për fjalime. Ka fushatë shumë të qetë, flet për rininë, flet për problemet e arsimit, probleme sociale.
Kush e bën këtë?
Nuk thashë kush e bën, por LSI bën gjithnjë fushatë pozitive. Edhe ditën e mërkurë z. Vasili bëri një deklaratë dhe tha LSI i qëndron pikë për pikë paketës Mc Allister dhe kjo do zbatuar pike për pike dhe ka thënë edhe tjetrën se është e gatshme dhe të rikthejë apo të vërë në dispozicion postin e Presidentit, që ishte pjesë e paketës Mc Allister. Pra, LSI është gati të bëjë çdo sakrificë. Ndërkohë që ne mandatet e ministrave dhe përfaqësuesve politik i kishim vënë në dispozicion me kohë për të zgjidhur këtë krizë, për të dhënë një mirëbesim për zgjedhjet.
Unë dua të di nga ty, Edi Rama pse hoqi vetëm Petrit Vasilin sepse ju keni edhe tre ose katër ministra të tjerë?
Kjo është një çështje që është diskutuar atje. 
E ka larguar Basha?
E ka larguar besimi që ka kërkuar opozita te qeveria Rama për zgjedhjet dhe ne duhet ta japim këtë besim.
Qeveria Rama- Meta? Se ju jeni në qeveri akoma? Tani është qeveria Rama-Basha-Meta?
Maksimumi mund të quhet Rama -Vasili.
Unë dua që në këtë studio të më thuash që nga kjo marrëveshje ti je i qetë,i lumtur, nuk të bënë përshtypje asgjë?
Të them të drejtën kam qenë shumë i paqetë deri ditën kur u bë marrëveshja, ditën e mërkurë. Kam qenë i paqetë edhe më përpara, sepse kam menduar si do shkoj ky vend pa opozitën në zgjedhje.
Tani që është edhe vend pluralist?
Jo vetëm pluralist, por ku do shkoj ky vend…
Pse hyre ti në zgjedhje?
E para, ne kemi bërë të qartë që nuk bojkotojmë . Kemi bërë të qartë që zgjedhjet pa opozitën janë një farsë. Kemi bërë të qartë sepse është deklarata e Kryesisë së LSI-së dhe kemi thënë ketë gjë: që në rast se PS nuk bënë përpjekjet maksimale, ne nuk do të jemi në koalicion me të dhe ne nuk u regjistruam në koalicion me PS, se mund të regjistroheshim në koalicion me PS.
Ashtu sikurse mund të them që në rastin e delegacionit të PPE, qëndrimi i PS ishte më i hapur, sesa qëndrimi që u njoftuam ne i z. Basha, i cili nuk e kishte pranuar atë propozim në atë kohë, që ishte një propozim tepër i arsyeshëm sipas vlerësimit tim edhe sot.
Kur thua për PPE e ke fjalën për Mcallister?
Po, Mcallister.
Ti dhe partia jote, para se të bëheshe President, pse vendose që të hyje në zgjedhje, pavarësisht me apo pa Ramën?
Së pari, ne kemi respektuar disa procedura dhe disa afate, të cilat janë ligjore dhe Kushtetuese, siç është regjistrimi i partive, depozitimi i listave. Së dyti, unë në mënyrë të vazhdueshme edhe për çështjen e Presidentit, vendosi në paketën e mirëbesimit edhe për zgjedhjet si mundësi e mirë për opozitën dhe kemi punuar me këmbëngulje për të arritur këtë marrëveshje. Dukej qartë që opozita kishte një interes për ta përshkallëzuar krizën. Pra, në qoftë se opozita do të ishte më me këmbë në tokë, siç ndodhi para dy ditësh. Kjo situatë do të ishte zgjidhur përpara disa javësh. 
Pse Lulzim Basha u tërhoq dy ditë më parë?
Ai ka bërë shumë mirë që është tërhequr. Sepse duhet të ishte tërhequr një muaj më parë. Më mirë vonë sesa kurrë.
Çfarë e detyroi?
Ndoshta ndjenja e përgjegjshmërisë. Çdo politikan në fund ka një ndjenjë përgjegjshmërie.
Po, por ajo duhet të vijë nga një arsye e fortë?
Një arsye e fortë, përveç faktorit ndërkombëtar, përveç të dërguarit të fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Yee dhe një faktor tjetër që unë e vlerësoj, kanë qenë partitë aleate të PD-së, z. Duka, z. Mediu, të cilët ishin shumë realistë dhe mendonin që u arrit sensibilizimi maksimal brenda dhe jashtë vendit për çështjen e zgjedhjeve dhe u dhanë disa garanci që asnjëherë më përpara nuk i ishin dhënë një opozite nga një mazhorancë shumë solide siç është ajo aktuale parlamentare. Natyrisht që nuk mund të çohej më tej një krizë e cila ishte duke sjellë një konfrontim me pasoja të pa parashikueshme. Pra unë mendoj se ndjenja e përgjegjësisë e solli këtë marrëveshje dhe kështu le të shpresojmë dhe besojmë se në të ardhmen mos i çojmë krizat në kufij të rrezikshëm por t’i parandalojmë ato dhe të ndërtojmë institucione të qëndrueshme.
Për të qenë sa më etikë dhe sa më neutralë në këtë studio përballë teje më the arsyen se pse sipas teje Lulëzim Basha u tërhoq dhe u fut me Edi Ramën për 3 orë në një zyrë në parlament dhe bëri këtë marrëveshje. Tani më thuaj të lutem Z. Meta sipas teje pse Z. Rama nga një “McAllister +” dha një “Big Mac”. Pse dha kaq shumë? Z, Rama dha më shumë se sa ishte parashikuar tek ajo paketë. Pse dhe në këmbim të çfarë?
Kjo ishte një gjë pozitivë . Po që të hynin në zgjedhje.
Po në zgjedhje ata hynin edhe me më pak. Z. Basha pranoi “McAllister plus”. E z, Rama i dha “McAllister 5 plus”.
Unë nuk e kam të qartë këtë gjë por është shumë mirë. Rëndësi ka që vendi të shkojë në zgjedhje me opozitën.
Mos mendo që unë po e paragjykoj këtë gjë.
Jo, po e paragjykon por po e heton. Unë nuk kam instrumente për ta hetuar.
Ju keni instrumentin logjik?
Po, logjike është sepse të dy do të merrnin një përgjegjësi katastrofike nëse do ta çonin më tej këtë situatë.
Kështu që reflektuan dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Pra, ata të dy për dy partitë që ata përfaqësojnë dhe për të gjithë vendin. Natyrisht që kjo nuk na ndihmon që të kemi zgjedhjet që duhet të kishim, sepse që të kemi zgjedhjet që duhet të kishim rekomandimet e OSBE ODIHR duhet të kishin përfunduar para një viti dhe shumë çështje të tjera duhet të ishin zgjidhur me kohë.
Por sidoqoftë këto janë zgjedhje shumë më të mira sesa ato katastrofiket që do të kishim pa opozitën historike në këto zgjedhje. Dhe mendoj që kjo është pozitive.
Meta jam kurioz të di se çfarë është ky instinkt që ju ka shoqëruar që kur keni qenë i ri farë, që para 22 vitesh e deri tani si ka mundësi që të nesërmen e paktit Rama-Basha ju ishit tek Z. Berisha? Mediat ishin atje. Pse ai gjest? Çfarë mesazhi ishte?
Doktori është pika ime e dobët dhe pika ime e fortë gjithmonë në kuptimin pozitiv të fjalës. Së dyti ajo ka qenë një ditë fare normale. Unë kam qenë në një drekë dhe natyrisht që kam patur edhe kënaqësinë të përshëndetem me doktorin dhe e kam vlerësuar rolin e tij për zgjidhjen e kësaj krize. Sepse duhet të jemi të sinqertë që doktori ka patur rolin e tij pozitiv.
Pra ju po thoni që kjo është bërë në një farë mënyre pa bekimin e doktorit?
Jo nuk po them se është bërë me bekim apo pa bekim sepse ato nuk janë çështjen e mia por unë mendoj se roli i tij duhet të ketë qenë pozitiv.
Pra ju shkuat tek Z. Berisha për ta falënderuar?
Po pa dyshim edhe për një vlerësim pse jo.
Po ai çfarë ju tha?
I përgjegjshëm si gjithmonë. Doktori nuk ka bojkotuar ndonjëherë.
Dhe kaq?
Po, ishte një kafe jo drekë. Dreka ishte me drejtues të LSI dhe disa kolegë të tjerë.
Doktori ishte i qetë e dinte se çfarë ishte diskutuar?
Jo, nuk diskutuam këto çështje.
Punë është të informoheshit edhe ju?
Nuk më duhej mua ai lloj informacioni. Ato janë çështje që do të bëhen. Rëndësi ka që PD-ja do hyjë në zgjedhje, ky ka qenë shqetësimi ynë. Se si do të bënim zgjedhje ne pa opozitën?! Ne nuk bëmë dot zgjedhje në Kavajë pa opozitën, do t’i bëjmë zgjedhjet në Shqipëri pa opozitën?!
Tani kemi një zhvillim të ri, është në qeveri opozita tani…
Kjo është një gjë akoma më e mirë. Tani ka mundësi të luftoj drogën. Ka mundësi të zbatoj dekriminalizimin. Ka mundësi që të kontrollojë shumë ministri ku mund të ketë ndërhyrje për qëllime elektorale. Kjo është një gjë shumë pozitive.
Është thjesht në funksion të zgjedhjeve?
Në radhë të parë në funksion të zgjedhjeve se kjo na duhet për momentin.
Dëgjova Edi Ramën që fliste në Korçë dhe tha mos kujtoni se do të jenë ministra që të fusin njerëz në punë, por do të jenë thjeshtë disa kujdestarë dhe nuk kanë të drejtë të heqin njerëz nga puna. I dha garanci njerëzve të vet se do të jenë kujdestar. Pra përveç se janë teknik nuk kanë absolutisht asnjë të drejtë përveç të drejtës së vëzhgimit.
Kjo është një gjë shumë e mirë. Po unë kam vetëm një pyetje. A e kupton se çfarë do të thotë një vend që shkon në zgjedhje pa opozitën?! Nuk ka rëndësi fare për një gjerman, për një amerikan, për një kanadez se e ka fajin Basha, e ka fajin Rama e ka fajin Meta. Për ata ky është një vend i dështuar që nuk bën dot zgjedhje me opozitën. Se kush e ka fajin për ata nuk ka rëndësi. Asht u sikurse edhe për qytetarët shqiptar, pavarësisht se kush e ka fajin, në radhë të parë për ta gjëja më e rëndësishme është qetësia, normaliteti dh siguria. Tani për ditën e zgjedhje dhe për të ardhmen. Dhe kjo garantohet vetëm me zgjedhje gjithëpërfshirëse. Për këtë tani duhet të jemi më të qetë.
Pra ju mendoni që pas paktit dhe në qoftë se ky implementohet normalisht, dita e zgjedhjeve në Shqipëri do të jetë me varte një ditë ku vota nuk do të ketë presion, nuk do të ketë cenim të votës?
Nuk e besoj sepse edhe kjo marrëveshje që është bërë, dhe përfshirja në qeveri e këtyre ministrave teknikë për këtë qëllim është. Edhe zëvendësimi i disa drejtuesve të disa institucioneve që kanë të bëjnë me sigurinë për këtë qëllim është. Besoj se qëllimi është i arritshëm dhe është i suksesshëm
Petrit Vasili është një nga bashkëpunëtorët tuaj më të ngushtë. Në një farë mënyrë mori stafetën pasi ju do të shkoni President dhe u bë kryetar i LSI-së…
Ai është kryetari i LSI-së sepse LSI-ja ka kryetar dhe zëvendëskryetar dhe nënkryetar. Ai ishte zëvendëskryetar dhe i takonte atij që t’u zgjidhte kryetar. U zgjidh në Konventë.
Si ka mundësi që jeni kaq i qetë dhe nuk e mbrojtët Petrit Vasilin kur u shkarkua?
Petriti është më i qetë se sa unë. Shqipëria me largimin e Petritin dhe vajtjen e një ministri teknik e ka qetësuar opozitën dhe ka marrë një garanci më shumë për zgjedhje të lira.
Jam duke thënë se para se ta shkarkonte…
Ju po thoni që Petritit nuk është i qetë. Unë ju them që është i qetë se unë me atë pak më parë u ndava.
Në politikë kanë vlerë gjestet që do të thotë të lajmërosh tjetrin në momentin kur të heq?
Edhe Ilir Meta edhe Petrit Vasili kanë mbi një muaj që thonë se ne i vendosim të gjithë postet e LSI-së në dispozicion të zgjidhjes politike. Pra, LSI ka Kryetar Kuvendi, 5 ministra. Këta ti marrë PD, ti marrë PS vetëm të gjendet një zgjidhje me PD që të krijohet një besim tek qeveria.
Për këtë nuk ka pasur nevojë?
Nuk ka asnjë arsye prandaj Petrit është i qetë.
Të të uroj sot për postin e Presidentit apo…
Më uro për LSI forcë e parë me 25 qershor pastaj kemi kohë për Presidentin.
Gojët e liga thonë Ilir Meta se zyrën që ju i dorëzuat Petrit Vasilit nuk ia dorëzove ashtu siç mund të dorëzohet një zyrë por mbajtët një kopje çelësash dhe njerëzit thonë se nuk i dihet deri në datën 24 korrik në qoftë se të bien në qaftë më shumë seç duhet ju mund të jepni dorëheqje edhe si President. Keni thënë në një media…
Ishte për çështjen e krizës sepse zgjedhja e Presidentit ishte një nga pikat tek paketa e McAllister dhe meqenëse u konsumua dhe mund të dilte problemi se ishte shkelur paketa McAllister dhe unë thash që e kthejmë këtë për të gjetur zgjidhje për zgjedhjet sepse zgjedhjet janë më të rëndësishme se sa Presidenti dhe ua kam thënë të gjithëve, më mirë një qytetar normal në një vend normal se sa President i një vendi që nuk bën dot zgjedhje me opozitën.
Ka një problem. Dashuria jote më e madhe, përveç kalamajve dhe Monikës është LSI-ja. Si ka mundësi atëherë që fiks në këtë moment që LSI-ja do të futet edhe e vetme në zgjedhje në këtë furtunë të madhe dhe timonieri i saj, themeluesi i saj do e këtë të vështirë të bëj fushatë për LSI-në?
Të gjitha të vetme do të futen. Nuk jam bërë ende president. Jam zgjedhur që të jem në 24 korrik, bëj betimin pastaj bëhem President. Tani jam anëtar i LSI-së dhe do të kontribuojë për LSI-në. Nuk do të dal të bëj pretime që do hapim vende pune, apo do të ulim taksat sepse kjo i takon Petrit Vasilit dhe ekipit drejtues të LSI-së. Por ama do të shkojë kudo në të gjithë Tiranën dhe të them që të votoni Klajda Gjoshën, votoni Kejdi Mehmetajn, votoni Ardit Çelën, votoni të gjithë këta të rinjtë e të rejat mrekullueshëm sepse këta janë ata që i duhen parlamentit të Shqipërisë. Njerëz të përgjegjshëm, të rinj të motivuar, me vizion, patriot, që i japin një shpresë të rinjve se ky vend do të bëhet që të mos ikin. Dhe jo vetëm të votojnë gjithë këto të rinj e të reja, sidomos tek lista e Tiranës, se kjo është tamam Republikë e Re. Po ta shikosh listën e Tiranës. Kështu që tani do të bëj thirrje për të gjitha partitë që kanë njerëz të rinj që t’i çojnë në Parlamenti, që të çojnë një kulturë të re atje dhe të mos zihen më duke thënë se ai ka qenë i dënuar, ai ka qenë në burg, por të shkojnë të flasin për të drejtat e rinisë, të flasin për problemet e arsimit, për problemet e familjes, për çështjet sociale në mënyrë që të zgjidhen këto probleme.
Megjithatë në qoftë se më lejoni, pyetja ime është, duke qenë se tani do të jetë Petrit Vasili për të cilin unë kam respekt, nuk mendoj se LSI-ja nuk mund të dobësohet në këto zgjedhje?
Aspak. Nuk është çështje fytyre, por është çështje filozofie dhe mbi të gjitha LSI-ja është në një rritje e cila është një rritje në progresion gjeometrik për shkak të risisë së jashtëzakonshme që ka në të gjithë Shqipërinë, të rolit që i jep rinisë, të përfshirjes që i jep asaj, të protagonizmit dhe padyshim që kjo është fuqia më e madhe e LSI-së, ky është edhe investimi më i madh që unë kam bërë në këto 14 vjet në LSI. Tani ata jo vetëm janë rritur por kanë krijuar edhe një personalitet shumë të fuqishëm por edhe ecin vetë dhe ecin të sigurt edhe të jesh i sigurt që do të bëjnë nj çudi të paparë në këto zgjedhje.
Kështu ke thënë edhe në zgjedhjet e kaluara. Tani përveç entuziazmit euforisë…
Nuk është eufori, është thjeshtë një realitet.
Ju jeni dakord me mua se duke qenë se secila parti do të hyjë në zgjedhje, penalizohen partitë e tjera…
Nuk penalizohet LSI-ja sepse është e njëjta për çdo parti tani. Nuk është se PS ka një koalicion me disa parti dhe LSI nuk ka. Janë të barabartë tani.
Kur ishit në koalicion me PS në 2013 dhe morët 16 deputet, po të mos ishit në koalicion nuk do të kishit marrë 16…
E keni shumë gabim sepse ai është një manipulim që bëjnë analist të caktuar. E vërteta është se LSI ka marrë 180 mijë vota dhe mori 16 deputet. Edhe sikur të ishte e vetme prapë të njëjtën gjë do të merrte. Në rastin konkret nuk është se kemi PS në një koalicion dhe LSI pa koalicion. PS është pa koalicion, LSI pa koalicion, PD pa koalicion pra është në kushte krejtësisht të barabarta.
Ju pëlqen kjo gjë?
Më pëlqen sepse gara është e bukur. Gara është demokraci dhe demokracia sjell surpriza.
Dua të thuash të vërtetën që ju besoni?
LSI e ka ndarë mendjen që të jetë forcë e parë në këto zgjedhje.
Nëse del LSI forcë e parë, sigurisht një nga të tjerët duhet të bëj koalicion me ju nëse LSI i keni 71. Në qoftë se ju dilni forcë e tretë, do të bëni koalicion me partinë e parë apo me partinë e dytë sepse në Maqedoni shqiptarët shkuan me partinë e dytë…
Ne funksionojmë me demokraci. Kush shkon 71 nuk ka rëndësi i pari, i dyti apo i treti. Kështu që kjo është punë e Petrit Vasilit.
Pas datës 24 korrik ju nuk merreni më me LSI?
Nuk është se nuk ka lidhje, por ky është një vendim që i takon formuese të LSI-së.
Nëse do të ishit kryetar i LSI-së me kë do të bëje koalicion?
Nuk mund të them dot gjë sepse në politikë nuk mund të paragjykohet. Do të shikohet situata se si do të ecë fushata, do të jetë normale, jo normale. Ajo që mund të them me bindje se LSI-ja do të bëj më të mirën për Shqipërinë. Këtë e them me bindje. Pastaj se si e vendos LSI-ja kjo do të varet nga rrethanat e saj. Më thuaj një rast që LSI-ja nuk ka bërë më të mirën për Shqipërinë. Gjithmonë ka vendosur me përgjegjshmëri, me shumë vullnet pozitiv dhe asnjëherë nuk është bërë pengesë për integrimin evropian, asnjëherë nuk ka cenuar stabilitetin e vendit, asnjëherë nuk ka qenë protagoniste për konflikte artificiale . gjithmonë ka qenë për zgjidhje, për bashkëpunim, për qetësi, për dashur.
Dhe kështu do të vazhdojë?
Besoj se po sepse ndryshe nuk rritet.
Pra duhet të jetë pozitive që të rritet?
Patjetër! Interesi publik dhe pozitive. Shpresë, gjithëpërfshirje, respekt për njerëzit, fjala e mbajtur, mirënjohje.
Atëherë nëse ke këtë filozofi, më vjen keq ta them por ta ka vjedhur Edi Rama. Sot më kurrë pasi ai u bashkua me Bashën…
Shumë mirë, gëzohem. Rëndësi ka që të fitojë filozofia.