Ilir Meta: Në Kukës, LSI-ja do të propozojë kryebashkiakun e do të zgjidhë problemin e ujit dhe punësimin”

465
Qyteti i Kukësit është një ndër qytetet kryesore të vendit ku LSI-ja do të angazhohet për të propozuar jo vetëm kryetarin e ardhshëm të bashkisë, por edhe që të përmbushë të gjitha premtimet, duke nisur nga furnizimi me ujë të pijshëm dhe hapja e 100 vendeve të punës vitin e ardhshëm. Kështu është shprehur dje kreu i kësaj partie, Ilir Meta, gjatë një takimi me strukturat e LSI-së në këtë qytet. Meta u bëri të ditur anëtarëve të LSI-së se është rënë dakord tashmë me edhe Edi Rama për formën e bashkëpunimit: “Kukësi, për ne si Aleancë për Shqipërinë Evropiane, për LSI-në por dhe për mua personalisht,- tha ai, përbën një prioritet mbi prioritetet për arsye të cilat kanë të bëjnë jo vetëm me përkrahjen shumë të gjerë që ne patëm në zgjedhjet e fundit, por mbi të gjitha, me gjithë traditën, historinë e kësaj zone dhe mbi të gjitha me problemet e mprehta sociale dhe ekonomike që ju ndesheni në mënyrë të vazhdueshme”. Ai deklaroi se Kukësi ka akoma më shumë probleme ashtu si edhe shumë zona të tilla të ngjashme, jo vetëm në veri, por edhe në juglindje të vendit. “Unë kam besim që ne do të arrijmë përmes jo vetëm kandidatëve tanë, jo vetëm përmes programit tonë, por edhe përmes bashkëpunimit të gjerë, jo vetëm me socialistët. Përsa i përket punësimit dhe politikave stimuluese, z. Meta premtoi se në vitin e parë të mandatit në Kukës do të hapen 100 vende pune. “Unë do ju jap fjalën, që ashtu siç e mbajta premtimin në zonën nga unë vij, nga Skrapari, ku janë hapur 200 vende të reja pune, në vitin e parë të mandatit të ardhshëm të kryetarit të bashkisë do të hapen 100 vende të reja pune, – tha ai. – Pra një politikë konkrete të nxitjes së punësimit. Unë besoj se ne jemi në gjendje plotësisht ta fitojmë këtë sfidë, dhe kur themi të fitojmë këtë sfidë, jo thjesht të fitojmë zgjedhjet e 21 qershorit, por të tregojmë se Kukësi mund të ndryshojë shumë shpejt dhe potenciali kryesor për këtë ndryshim ndodhet pikërisht këtu në Kukës, por ne duhet ta vëmë në lëvizje. 
UJËSJELLËSI, JANË ANGAZHUAR EKSPERTËT MË TË MIRË
Meta bëri me dije se në Kukës u investuan me miliona euro, por uji ende nuk ka ardhur, teksa premtoi se ky është një problem që do të marrë zgjidhje së shpejti. “Janë të angazhuar edhe ekspertët më të mirë për të bërë të gjitha përmirësimet në projekt dhe të gjitha investimet që do të duhen për të sjellë ujin në Kukës, jo thjesht për të vendosur tuba dhe për të bërë investime, të cilat nuk sjellin produkt, por ama një dëm shumë i madh i është bërë këtij qyteti dhe sot e kësaj dite, edhe tani që jemi në dimër, Kukësi e ka këtë problem dhe këtë shqetësim madhor”, vijoi Meta. Në mbyllje të fjalës së tij, Kryetari i LSI-së shprehu besimin se kjo forcë politike ka një avantazh në raport me të tjerët, pasi ka vendosur që të përmirësohet çdo ditë.
Meta takon eurodeputetët anëtarë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti dje Eurodeputetët anëtarë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri të kryesuar nga Monica Macovei. Meta u shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian në avancimin e procesit të integrimit evropian për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të rajonit. Kreu i Kuvendit, vuri në dukje se me miratimin e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, përgjegjësitë e Shqipërisë janë ngritur në një nivel tjetër më të lartë dhe se prioriteti i Kuvendit do të mbetet garantimi i gjithë përfshirjes dhe inkurajimi i bashkëpunimit politik
Ilir Meta priti Kryetarin e Grupit të Miqësisë Kanada-Shqipëri në Parlamentin e Kanadasë Leon Benoit
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti dje Kryetarin e Grupit të Miqësisë Kanada-Shqipëri në Parlamentin e Kanadasë Leon Benoit me të cilin biseduan rreth marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Kanadasë. Ilir Meta i uroi mirëseardhjen Leon Benoit dhe delegacionit kanadez që e shoqëron në Tiranë dhe theksoi se Shqipëria i çmon marrëdhëniet dhe mbështetjen e vazhdueshme të Kanadasë, si në drejtim të bashkëpunimit në NATO ashtu edhe në kuadër të bashkëpunimit ekonomik. Në këtë drejtim, duke vlerësuar rolin e Kanadasë si partner të rëndësishëm dhe si burimi i parë i investimeve të huaja në Shqipëri, Meta rikonfirmoi vullnetin e palës shqiptare për të mirëpritur edhe më shumë investitorë kanadezë në Shqipëri. Ilir Meta vlerësoi gjithashtu prezencën gjithnjë në rritje të komunitetit të mirë integruar dhe të kualifikuar shqiptar në Kanada, i cili përbën në urë të shkëlqyer lidhëse mes dy vendeve. 
Sigal