Ilir Meta në Kavajë: Vetingu do të fillojë nga kryefaqeziu që mbushi vendin me drogë

81
Ditët e fundit të fushatës elektorale kanë shtuar edhe tonet e liderëve të partive kryesore në vend. Kreu i Kuvendit Ilir Meta i është kundërpërgjigjur deklaratave të Edi Ramës
Në një takim të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Kavajë, Ilir Meta deklaroi se do të nisë vetingu “për faqeziun që e mbuloi vendin me drogë”. “Flet për veting, por e mbuloi Shqipërinë me drogë; ka frikë nga zgjedhjet e lira dhe transparenca; nuk ka lidhje me të majtë apo të djathtë, por vetëm me tepsinë dhe kusinë e tij; nuk la trafikant pa futur në Parlament dhe bën moral për drejtësi”, tha Meta, duke iu referuar kryeministrit Rama. Presidenti i zgjedhur shtoi se oligarkëve u kanë mbetur edhe 5 ditë, e më pas i pret opozita. “Edhe 5 ditë dhe oligarkët, ata që marrin vendime pas shpinës së qytetarëve, ata që marrin koncesionet dhe pasuritë publike, ata që nuk japin kurrë llogari dhe nuk marrin përgjegjësi, do të ikin në opozitë”, theksoi Meta. Ai theksoi se Shqipëria nuk do të jetë më e oligarkisë. “Do të çlirojmë edhe Edin edhe Lulushin nga oligarkia. Ne do të bëjmë një marrëveshje në dritë me të gjithë shqiptarët më 25 qershor. Ne do t’ia japim Shqipërisë intelektualëve.”, u shpreh Meta. 
Meta në Shijak : Na duhet të çojmë përpara planin për 100 mijë vende pune vetëm për të rinjtë
Po gjatë ditës së djeshme kreu i Kuvendit ka qenë në Shijak, ku kandidatët prezantuan programin. Gjatë fjalës së tij Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u shpreh se të rinjtë duhet të kenë mundësi për një formimin e duhur profesional dhe duhen mbështetur me grante për të nxitur hapjen e bizneseve të reja. “Na duhet që ti japim rinisë mundësi për formim profesional t’i japim mundësi për grante për kredi me interes të butë për të hapur biznes. Na duhet të çojmë përpara planin për 100 mijë vende pune të reja vetëm për të rinjtë, duke subvencionuar pjesën e pagës për çdo të ri që punësohet nga një punëdhënës për një kohë të caktuar. Që të subvencionojmë sigurimet shoqërore, shëndetësore për çdo të ri që punësohet për herë të parë për një vit në mënyrë që ne të bëjmë një Shqipëri kur të rinjtë çdo ditë të ndihen të sigurt se qeveria se Shqipëria është e tyre”, – tha Meta, duke shtuar se ekonomia nuk mund të rritet dhe nuk mund të formalizohet pa ulur taksat e larta. “Pa uljen e taksave nuk mund të zhvillohet një vend me kaq shumë probleme. Ndërsa, kryesuesi i listës së kandidatëve të LSI-së në qarkun Durrës, Lefter Koka, tha para të pranishmëve se Shijaku, ashtu si gjithë Shqipëria, ka nevojë për zhvillime e përkushtim dhe se këtë mund ta bëjë një forcë politike që di të dëgjojë dhe të zgjidhë hallet e qytetarëve. “Shijaku duhet të ketë një zhvillim shumë më shumë se sa në këtë qendër. Shijaku ka shumë ish-komuna që janë në mjerim. Shumë komuna ku ndarja e tokave dhe hipotekimi i tyre është bërë me mbivendosje dhe kërkon përkushtim. Kërkon një forcë politike e cila nesër do të jetë në qeverisje të di të dëgjojë dhe të zgjidhë problematikat rast pas rasti dhe vetëm ashtu mundesh t’i zgjidhësh, kur je në një bashkëbisedim të tillë, të bësh gjërat e duhura dhe të zgjidhësh problematikat e një zone siç është edhe Shijaku”, – theksoi Koka.