Ilir Meta: Mirënjohje për popullin shqiptar që sakrifikoi çdo gjë për të shpëtuar të gjithë hebrenjtë në Shqipëri

578
Sigal

Kuvendi i Shqipërisë, nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, nderon viktimat e Holokaustit

Nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta, u zhvillua në ambientet e Sallës së Seancave Plenare një ceremoni përkujtimore për viktimat e Holokaustit dhe një ekspozitë fotografike në kuadër të “Ditës së Kujtesës”, ku mori pjesë dhe ambasadori i Shtetit të Izraelit në Shqipëri, z. David Cohen. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe anëtarë të Këshillit të Ministrave, deputetë të Kuvendit, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të klerit shqiptar etj. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta, tha se është nder dhe përgjegjësi hapja e seancës së sotme plenare duke sjellë në kujtesë miliona viktima hebraike të barbarisë naziste, në përkujtim të Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit edhe këtu në Kuvendin e Shqipërisë si në shumë Kuvende të vendeve demokratike. “Këtë javë, e gjithë bota kujton me dhimbje vuajtjet dhe tmerrin e një populli të tërë që u persekutua dhe u masakrua në emër të një filozofie të rrezikshme dhe përmes një makinerie të tërë barbare që goditi në zemër të vlerave njerëzore. Ne sot kujtojmë një nga momentet më të errëta të historisë sonë moderne, dhe përulemi përpara sakrificave të paimagjinueshme të në brezi të tërë, që refuzoi të përkulej ndaj tiranisë dhe racizmit institucional mizor nazist që tentoi të nënshtronte mbarë kontinentin tonë”, tha z. Meta, duke shtuar se ne sot kujtojmë me krenari dhe përulemi me mirënjohje përpara gjithë kombit shqiptar që sakrifikoi çdo gjë për shpëtuar të gjithë hebrenjtë që ndodheshin në Shqipëri. Ne sot kujtojmë gjithashtu me krenari dhe përulemi me mirënjohje përpara gjithë kombit shqiptar që sakrifikoi çdo gjë për shpëtuar të gjithë hebrenjtë që ndodheshin në Shqipëri dhe që hapi dyert e tij për të mbrojtur shumë të tjerë që gjetën strehë në gjirin e mikpritjes, dashurisë dhe besës shqiptare.  Para dy ditësh, pata një takim të veçantë me Kryetarin e Knesset, Parlamentit të Izraelit, z. Yuli Edelstein, me të cilin morëm pjesë së bashku me 26 Kryetarë Parlamentesh në ceremoninë e 70-të përkujtimore të Ditës së Holokaustit në Pragë.  Kolegu im i nderuar më rishprehu mirënjohjen për mikpritjen, bujarinë, mbrojtjen, strehimin dhe sakrificën e kombit shqiptar që shpëtoi të gjithë hebrenjtë të cilët ndodheshin në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, tha z. Meta. Kryetari i Kuvendit theksoi se sakrifica e madhe e kombit shqiptar është njohur edhe në regjistrin e “Të Drejtëve mes Kombeve” në Yad Vashem, ku shprehet mirënjohja për gjithë shqiptarët që rrezikuan jetët e tyre në mbrojtje të jetës së të gjithë hebrenjve që ishin në Shqipëri dhe që erdhën në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore.  “Shqipëria është vendi ku hebrenjtë ishin më të shumtë në numër pas luftës, se sa përpara saj. Besa, bujaria, mikpritja dhe toleranca e shqiptarit, janë elementë thelbësore të shpirtit tonë kombëtar, të cilat e identifikojnë Shqipërinë si një shembull të jashtëzakonshëm bashkëjetese dhe harmonie etnike dhe fetare në botë. Për këtë ne jemi të gjithë krenarë. Shqiptarët, përmes sakrificës dhe dashurisë së natyrshme që treguan ndaj kombit hebre, ashtu siç kemi mirëpritur shumë grupe të tjera etnike në shekuj, e mishëruan proverbin e njohur të Mishnës që “kush shpëton një jetë, shpëton universin e tërë”, tha z. Meta. Në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta falënderoi Ambasadorin e Izraelit në Tiranë, z. David Cohen si dhe profesorin dhe historianin e shquar izraelit, z. Gideon Greif të cilët nderuan me praninë e tyre në këtë ceremoni si dhe të pranishmit e tjerë. “Falënderoj të gjithë përfaqësuesit e trupit diplomatik dhe miqtë e tjerë që ndodhen këtu në këtë ceremoni të veçantë për të shprehur solidaritetin tonë të përbashkët kundër çdo forme diskriminimi, racizmi, nacionalizmi ekstrem, anti-semitizmi dhe anti-humanizmi që demonstrohet sot në botë”, deklaroi z. Meta. Në emër të vendit të tij, Ambasadori i Izraelit në Tiranë, z. David Cohen, falënderoi Kryetarin e Kuvendit dhe deputetët për kontributin e tyre në këtë ditë të rëndësishme. Z. Cohen tha se është ende i panjohur fakti që Shqipëria shpëtoi banorët e saj hebrenj nga pushtuesit nazistë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por shqiptarët, që duke vepruar nën konceptin e thellë të “Besës”, ishin edhe më heroik se kaq, pasi ata siguruan azil dhe strehë për hebrenjtë që kishin shpëtuar nga nazistët .