Ilir Meta: Miqësi shqiptaro-greke qëndron në shekuj mirëkuptimi

421
Sigal

Kryetari i Kuvendit nis
vizitën zyrtare në Greqi me ftesë të homologut grek, Voutsis

Gazeta Telegraf/


Kryetari i Kuvendit z.
Ilir Meta nis vizitën zyrtare në Greqi në krye të një delegacioni parlamentar
shqiptar me ftesë të Presidentit të Parlamentit të Greqisë z. Nikolaos Voutsis.
Përveç homologut të tij grek, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta do të pritet
edhe nga Kryeministri i Greqisë z. Alexis Tsipras, Ministri i Punëve të Jashtme
z. Nikos Kotsias dhe Presidenti i Greqisë z. Prokopis Pavlopoulos. Gjatë
qëndrimit të tij në Greqi, Kryetari i Kuvendit Meta do të takohet edhe me përfaqësues
të partive kryesore politike parlamentare si dhe me përfaqësues të komunitetit
shqiptar në Athinë. Gjatë kësaj vizite 3 ditore zyrtare në vendin fqinj,
Kryetari i Kuvendit Meta shoqërohet prej Kryetares së Komisionit për Politikën
e Jashtme znj. Arta Dade, Kryetarit të Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese,
Tregtinë dhe Mjedisin z. Eduard Shalsi, dhe deputetët z. Anastas Angjeli (PS),
z. Fatmir Toçi (PS), z. Gjergji Papa (PD), z. Vangjel Tavo (LDI) dhe z. Vangjel
Dule, Kryetar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ).

Para nisjes nga Tirana,
z. Meta u shpreh:

“Marrëdhëniet mes
Shqipërisë dhe Greqisë janë marrëdhënie që shkojnë përtej kontakteve politike
që gëzojmë mes dy vendeve tona. Miqësia jonë bazohet në shekuj mirëkuptimi dhe
shkëmbimesh mes dy popujve tanë që kanë kaq shumë të përbashkëta. Besoj se
vizita jonë në Athinë do t’i shërbejë intensifikimit konkret të bashkëpunimit
ndërparlamentar i cili është i rëndësishëm për të gjithë bashkëpunimin tonë
politik dhe ekonomik, dhe që ne dëshirojmë t’a avancojmë me vullnet të plotë në
çdo nivel në të ardhmen”.