Ilir Meta, mesazh ngushëllimi për familjen e sportistit të peshëngritjes, Ymer Pampuri

493
Sot, ka ndërruar jetë në moshën 71 vjeçare, peshëngritësi Ymer Pampuri. Ish-kampioni olimpik dhe i botës në stilin e forcës dhe legjenda e peshëngritjes. Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dërgoi një mesazh ngushëllimi për familjarët e Pampurit, ndërsa u thotë, se tanimë ai nuk ka nevojë për askënd, ku mes të tjerash, shprehet: “Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të legjendës së sportit shqiptar Ymer Pampuri. Peshëngritësi i famshëm shqiptar, i pari kampion olimpik, por edhe kampion i botës në ngritje peshash në vitin e largët 1972, në Olimpiadën e Mynihut, nuk është më midis nesh. Ai iku në heshtje, njëlloj siç e jetoi në heshtje kohën tonë të zhurmshme, e cila dje dhe sot, nuk i dha, për fat të keq, mirënjohjen dhe nderimin që meritonte. Edhe pse Ymer Pampuri e nderoi si askush tjetër Shqipërinë dhe sportin shqiptar. Edhe pse janë të paktë ata që kanë merituar si Ymer Pampuri duartokitjet e nderimit nga të gjithë ne. Një njeri i mirë që kishte nisur që fëmijë sportin e forcës në Cirkun e Tiranës dhe e vazhdoi në pedanën e peshëngritjes, sot, në moshën 73 vjeçare nuk është më. Duke ikur na kujtoi të gjithëve pikërisht shkëlqimin e tij ende të pabesueshëm për medaljen e artë që mori duke shënuar emrin e tij në histori. Kampionit të forcës ju desh shumë forcë për të jetuar më pas jetën e tij të zakonshme e të vështirë. Ymer Pampuri la pas emrin e madh. Tani ai nuk ka nevojë për askënd; kujtesa jonë ka nevojë të krenohet me kampionin e madh në shpirt e forcë dhe të vogël në trup, të parin sportist të artë olimpik e botëror shqiptar. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”,-shkruan Meta në mesazhin e tij.
Sigal