Ilir Meta: Me punë dhe reforma të përmbushim idealin e të rënëve

472

Sigal

Kryeparlamentari
dhe kryeministri takohen veteranë të LANÇ dhe familjet e dëshmorëve

Kryetari i
Kuvendit, Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama ishin të pranishëm në një takim
me veteranë të Luftës dhe familjarë të dëshmorëve, në kujtim të 72-vjetorit të
Çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazifashistë. Në fjalën e tij, Kreu i
Kuvendit, Ilir Meta, tha se Shqipëria ka ecur shumë në rrugën e integrimit.
Duke vazhduar me këtë progres, u shpreh ai, 
përmbushen dhe idealet e atyre që sakrifikuan jetën për Shqipërinë që
ëndërruan. “Vendi është dhe me i
integruar në Europën e bashkuar në themel të së cilës qëndrojnë vlerat
antifashiste të popujve të tyre që luftuan për lirinë. Sot nderojmë kujtimin e
atyre që sakrifikuan gjithçka për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe
europiane. Rekomandimi pozitiv i KE për çeljen e negociatave është tregues i
këtij progresi. Jam i bindur se duke vazhduar në këtë rrugë ne plotësojmë më
tej idealin e të rënëve për Shqipërinë që ëndërruan”, deklaroi
kryeparlamentari. Ndërsa kryeministri Edi Rama bëri përgjegjëse opozitën e
djathtë, se po bllokon çeljen e negociatave me bllokimin e ligjit të Vetingut. “E kam të pamundur të bëj sikur nuk shoh
atë që po bën PD-ja për ta rrënuar imazhin e Shqipërisë para partnerëve
ndërkombëtarë, duke u përpjekur ta bllokojë rrugën e negociatave, duke mos lënë
shpifje pa amplifikuar, duke e paraqitur Shqipërinë si Kolumbi dhe shumicën
parlamentare shqiptare si strofull kriminelësh”, tha kryeministri. Duke
komentuar vizitën e suksesshme në Berlin dhe takimin me kancelaren Angela
Merkel, Rama i konsideroi ‘motivim’ përgëzimet e saj publike për progresin e
Shqipërisë dhe mbështetjen e Gjermanisë mike për vendin. “Ndonëse për çeljen e negociatave na duhet të presim dhjetorin, -tha
kryeministri, -sot duhet t’ju them se jam
i sigurt qe Gjermania do të jetë në krahun tonë dhe besoj se nuk mund të kishte
një ditë më të përshtatshme se Dita e Çlirimit për të komentuar një takim të
kësaj rëndësie. Merkel u shpreh publikisht për progresin e Shqipërisë, e cila,
tha ajo, ka ndryshuar rrënjësisht gjatë viteve të fundit. Reformat duhet të vazhdojnë
dhe Komisioni që ndjek zhvillimet në Shqipëri e ka pranuar këtë progres, -nënvizoi
kreu i qeverisë. Me këtë rast, ai falënderoi rolin e bashkë drejtuesit të
koalicionit qeverisës, Z. Ilir Meta në procesin e reformave, të cilat, theksoi
Rama, pa mbështetjen e tij do të kishin qenë të pamundura. “Përgëzimet e përzemërta të kancelares do
doja t’i ndaja me ju, me Ilir Metën, bashkëkryetarin e koalicionit, pa të cilin
reformat tona të thella e të vështira do të kishin qenë të pamundura, por dhe
me partnerin tjetër roli i të cilit ka qenë kyç, si dhe me anëtarët e qeverisë
së koalicionit, që në këta tre vjet kanë punuar si një skuadër kompakte pa
dallim”, theksoi kryeministri.