Ilir Meta: Më 23 Qershor merr fund kapitulli i lodhshëm i tranzicionit

45

Kryetari i LSI-së, ka zhvilluar një takim me të rinj të Njësisë Bashkiake nr.4 në Tiranë dhemb pas është ndalur në një bashkëbisedim me qytetarët në Njësinë Bashkiake nr. 7. Në fjalën e tij para të rinjve Mata tha se më 23 Qershor të rinjtë shqiptarë votojnë për zgjidhjen e problematikave të tyre, për të cilët LSI ka një plan konkret. “Ju votoni për të ngritur zërin tuaj në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë, për t’i dhënë zgjidhje problemeve tuaja lidhur me reformimin e sistemit tonë arsimor, me krijimin e mundësive dhe hapësirave për formimin profesional, për zgjidhjen e problemeve tuaja lidhur me hapjen e vendeve të reja të punës për të cilat LSI-ja ka një plan konkret, duke krijuar lehtësi fiskale për të gjithë sipërmarrësit të cilët punësojnë të rinj dhe të reja për herë të parë, si një mbështetje që u jepet atyre për të hyrë të sigurt në jetën që duhet të ndërtojnë me punë dhe me djersë”, tha Meta. Ai theksoi se, LSI angazhohet që për bizneset, të cilat punësojnë të rinj dhe të reja që nuk kanë eksperienca pune të subvencionohet një pjesë e pagës për të punësuarit e rinj për një periudhë tre deri në 6 muaj në mënyrë që bizneset të mos e shohin rekrutimin e të rinjve pa eksperiencë si një kosto për to por si një vlerë të shtuar për bizneset e tyre. “Për LSI-në rinia është aseti më i çmuar i shoqërisë dhe i kombit. Ne duam t’i japim fuqi dhe pushtet të rinjve dhe të rejave tona. Suksesi apo dështimi i ekonomive të vogla si kjo e jona do të varet shumë nga shkalla e investimeve në edukimin dhe punësimin e të rinjve. Ndaj ky investim është më i rëndësishmi për ne”, tha ai. Në bashkëbisedimin me banorët e Njësisë Bashkiake nr. 7, Ilir Meta, u shpreh se, më 23 Qershor do të marrë fund ky kapitull mjaft i lodhshëm i këtij tranzicioni të stërzgjatur. Meta tha se më 24 qershor do të nisë projekti i madh i evropianizimit të Shqipërisë. “Besoj se 23 qershori do t’i japë fund kapitullit të gjatë dhe mjaft të lodhshëm të tranzicionit. Dhe ne do të kemi mundësinë që më 24 qershor me votën plebishitare të qytetarëve të gjithë Shqipërisë të nisim një projekt të pandërprerë për evropianizimin e vendit, për zhvillimin e tij për modernizimin e tij përmes bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes”, u shpreh  Meta. Sipas Metës, LSI-ja  prioritetin kryesor të saj ka çështjen e punësimit, pasi sipas tij ky është problemi më i madh që hasin qytetarët shqiptarë. Për këtë arsye tha z. Meta të gjitha politikat e LSI-së janë në funksion të hapjes së vendeve të reja të punës, rritjen e punësimit.