Ilir Meta: Mbështesim përpjekjet e Ukrainës për demokraci, stabilitet dhe zhvillim

420
Sigal

 

Tur takimesh të
kryeparlamentarit shqiptar me personalitete evropiane

 

Kryetari i Kuvendit  Ilir Meta priti në një takim pune Ministrin e
Punëve të Jashtme të Ukrainës Pavlo Klimkin, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet
miqësore mes dy vendeve dhe popujve tanë. Kryetari i Kuvendit, Meta, e vlerësoi
këtë vizitë të Ministrit Klimkin në Tiranë si një moment shumë të rëndësishëm
në marrëdhëniet midis dy vendeve, dhe shprehu vullnetin e Kuvendit të
Shqipërisë për intensifikimin konkret të bashkëpunimit dypalësh. Në këtë kuadër
u vlerësua nënshkrimi i marrëveshjes për heqjen e ndërsjellët të viza ndërmjet
dy vendeve. Meta nënvizoi se populli ukrainas gëzon mbështetjen e plotë të
Kuvendit të Shqipërisë në përpjekjet e tij për demokraci, stabilitet dhe
zhvillim dhe në këtë drejtim vuri në dukje se dy parlamentet do ta
intensifikojnë bashkëpunimin mes tyre në interes të forcimit të miqësisë mes dy
popujve tanë. Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës Klimkin shprehu
mirënjohjen për mbështetjen e Shqipërisë gjatë momenteve të krizës dhe shprehu
vullnetin për thellimin e shkëmbimeve tregtare, ekonomike dhe njerëzore
veçanërisht në fusha si turizmi, agro-përpunimi, bujqësia dhe arsimi. Kryetari
Meta dhe Ministri Klimlin vlerësuan në përfundim kontributin e diasporës
shqiptare në Ukrainë prej mbi 200 vitesh, duke e cilësuar këtë komunitet si një
urë të rëndësishme bashkëpunimi dhe miqësie.

Meta takon Schwarzenberg:
Me rëndësi që Vettingu të bëhet me ndërkombëtarët

Kryetari i
Kuvendit, Ilir Meta priti të premten kryetarin e Komisionit të Jashtëm në
Parlamentin Çek, Karel Schwarzenberg, që ndodhet në Tiranë për një vizitë
dyditore. Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, ndërsa u
shpreh për nxitjen e raporteve ekonomike dhe tregtare. Nga ana e tij, Schwarzenberg
vuri në dukje përparimin e madh të Shqipërisë, ndërsa vlerësoi rritjen e numrit
të të rinjve çekë që vizitojnë vendin tonë dhe që mrekullohen jo vetëm me
bukuritë, por veçanërisht me mikpritjen shqiptare. Kryetari i Kuvendit theksoi
se vizita e Schwarzenberg kontribuon në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve
dypalëshe, ndërsa shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Çekisë në avancimin e
procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të
rajonit. Schwarzenberg tha se pavarësisht sfidave që po kalon BE, procesi i
zgjerimit dhe i integrimit të të gjithë vendeve të Ballkanit duhet përshpejtuar
dhe në këtë drejtim duhet avancuar me axhendën e reformave ambicioze të
ndërmarra siç është ajo e sistemit të drejtësisë. Në këtë kuadër,
kryeparlamentari Meta theksoi se kjo reformë do të zbatohet, ndaj dhe procesi i
Vetingut është shumë i rëndësishëm të bëhet në bashkëpunim të plotë me
partnerët tanë ndërkombëtarë, duke vënë në dukje gjithashtu se nevojitet më
tepër përgjegjshmëri nga palët politike me qëllim që procesi i reformës të jetë
sa më pak pjesë e debateve konfliktuale politike të brendshme.