Ilir Meta: “Marrim statusin në dhjetor”

472
Sigal

Në vazhdimësinë e praktikave të vazhdueshme të hapjes së dyerve të Kuvendit për të rinjtë, Kryeparlamentari Ilir Meta ka pritur në sallën e Kuvendit një grup gjimnazistësh nga shkollat e mesme të vendit. E konceptuar si një interpelancë, Meta u është përgjigjur pyetjeve të gjimnazistëve. Në një rrëfim të sinqertë para tyre, kreu i Kuvendit nuk ka fshehur frikën për votimin e dhjetorit për statusin, duke e lidhur me mënyrën sesi procedohet në votim. “Mendoj se janë të gjitha mundësitë, tre kushtet tashmë janë të realizuara me votimin që u realizua këtu para zgjedhjeve të 23 qershorit. Rekomandimi i KE për KiE për vendet anëtare është pozitiv, edhe sot është publikuar një mesazh i Komisionerit Stefan Fule drejtuar të gjithë vendeve anëtare për të mbështetur dhënien e statusit kandidat, shpresojmë dhe besojmë që kjo do të ndodhë. Do mjaftonte dhe një hezitim, qoftë dhe i një vendi të vetëm sado modest që të jetë, që kjo të mos ndodhte. Por nuk ka asnjë arsye që Shqipëria të mos e fitojë statusin kandidat në muajin dhjetor përpara Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri” tha ai. Kreu i Kuvendit, njëherësh dhe kryetar i LSI ka informuar të rinjtë edhe lidhur me bashkëpunimet e frytshme të maxhorancës dhe opozitës. Mes batutash, Meta tregoi dhe shkakun se pse Kuvendi jo rrallë karakterizohet nga tensione mes palëve. “Për herë të parë kemi në Kuvend në Aleancën e grave deputeteve, në krye të së cilës është deputetja opozitare Mesila Doda. Një gjë tjetër që dua të theksoj është që Komisioni i Ligjeve që drejtohet nga Fatmir Xhafa dhe Komisioni i Çështjeve Sociale që drejtohet nga Albana Vokshi, kanë bërë një punë shembullore lidhur me rritjen e ndërgjegjësimit të Kuvendit për të drejtat e fëmijëve. Kemi miratuar një rezolutë me konsensus. Por po ecim në një rrugë gjithnjë e më pozitive, ky është mesazhi që japin edhe qytetarët tanë vazhdimisht të cilët kërkojnë zgjidhje të problemeve të tyre dhe jo shtim të tyre”, u shpreh Meta.