Ilir Meta: LSI është forcë politike pozitive, që i përgjigjet aspiratave të qytetarëve

451
Sigal

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në një intervistë
dhënë për radiotelevizionin Ora News, në 12-vjetorin e themelimit të LSI-së,
tha se partia që ai drejton është një forcë politike pozitive dhe ky
pozitivitet vjen nga angazhimi i saj për t’iu përgjigjur aspiratave të
qytetarëve, sidomos të rinjve, për ndryshime më të shpejta dhe të qëndrueshme
në vend

 Në intervistën e tij, Meta, njëherazi kryetar i Kuvendit, foli për momentet
e para pas themelimit të LSI, dhe vendimit të tij për tú shkëputur nga Partia
Socialiste, ku ai nisi karrierën politike në moshë fare të re. “6 shtatori i
vitit 2004 ka qenë dita e formalizimit të një iniciative, e cila fillimisht
kishte synuar të rikthente PS-në në një normalitet demokratik. Po ashtu, 6
shtatori ishte një pikënisje shumë e rëndësishme jo vetëm për LSI-në, por në
përgjithësi për politikën shqiptare. Ne nuk ishim thjesht një forcë e re
politike, por një sfidë mjaft e rëndësishme, serioze që i bëhej sistemit të
deriatëhershëm politik në vend që ishte dominuar në mënyrë të hekurt vetëm nga
dy parti”, deklaroi Meta. I pyetur nëse kanë ndryshuar partitë politike sot në
Shqipëri, krahasuar me 12 vjet më parë kur ai vendosi të largohej nga PS, për
Metën, megjithë ndryshimet që ka pësuar vendi, sërish ato kanë qenë të
pamjaftueshme për të patur një demokraci, jo vetëm funksionale, por edhe shumë
efektive, e cila garanton pjesëmarrjen e vazhdueshme të qytetarëve dhe që e
mban politikën vazhdimisht nën kontrollin e tyre. Por, thekson Meta, sfidat për
ta vendosur politikën nën kontrollin e qytetarëve janë prezente dhe ne jemi të
gjithë të angazhuar për këtë qëllim. “Ne duhet të reflektojmë, duhet të
humanizojmë politikën në vendin tonë, jo të demonizojmë njëri-tjetrin dhe vetë
politikën, pasi nuk qëndron e keqja tek politika, por tek lloji i politikës që
bëhet dhe fokusi shpesh herë i gabuar i saj që është demonizimi apo shkatërrimi
i kundërshtarit, ndërkohë që fokusi i saj duhet të jetë realizimi i aspiratave
të qytetarëve, realizimi i reformave që ndihmojnë qytetarët, që ndihmojnë
vendin dhe këto bëhen duke bashkëpunuar dhe me forca të tjera politike
kundërshtare apo rivale dhe duke konkurruar me to, por gjithmonë për një
alternativë më të mirë”, u shpreh kryetari i LSI-së.

Sipas Metës, ne jemi një vend me shumë energji, të cilat kemi nevojë t’i
çlirojmë përmes një politike më bashkëpunuese. Kjo është filozofia e LSI, tha
ai, përcjellja e një mesazhi gjithmonë pozitiv për atë që LSI do të bëjë, për
atë që ajo kërkon të zgjidhë. Fuqia e LSI-së, theksoi Meta, që në fillimet e
saj ka qenë se ishte mjaft e lidhur me njerëzit dhe kjo është motoja në këtë
ditë të rëndësishme të themelimit të saj. Përgjegjësi dhe solidaritet ndaj
komunitetit, sepse që aty fillon angazhimi shoqëror, politik, njerëzor. Një
njeri që nuk kujdeset për lagjen e tij, shkollën e tij, ambientin ku jeton, do
ta ketë të vështirë të kujdeset për vendin, theksoi kryetari i LSI-së.