Ilir Meta: LSI do shpëtojë Shqipërinë, vetingu nis nga Edi Rama, s’ka ku të futet

541
Nga Fushë Kruja ku shpalosi programin dhe prezantoi kandidatët për deputetë për qarkun e Durrësit, kreu i Kuvendit Ilir meta, kërkoi votën e të gjithë shqiptarëve 
Fushata ka ndezur motorrët dhe ajo që ndihet më së shumti janë fjalimet e liderëve të partive të cilët i drejtohen zgjedhësve për të marrë votat e tyre. Ka nisur një fushatë e ashpër. Jemi në fazën e fundit të saj ku e gjithë energjia e partive është përqëndruar tek programi dhe goditja e kundërshtarit në pikat më të dobëta. Pothuaj në çdo takim elektoral të LSI-së është i pranishëm dhe kreu i Kuvendit Ilir Meta, njëherësh dhe president i zgjedhur. Gjatë ditës së djeshme, Meta ka qenë në qytetin e Fushë Krujës, ku ka prezantuar kandidatët për deputet dhe ka shpalosur programin e partisë të cilën ai e drejtoi që prej vitit 2004. Ashtu sikundër ka bërë edhe në takimet e tjera, gjatë ditës së djeshme Meta mbajti fjalën e tij përshëndetëse. Meta falënderoi qytetarët e Fushë Krujës dhe të Krujës për mbështetjen që i kanë dhënë Lëvizjes Socialiste për Integrim duke shprehur se LSI do të jetë forcë e parë politike në Shqipëri pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Krahas kësaj, Meta në fjalën e tij dënoi aktin e dhunës të ndodhur në Zharrëz të Fierit ku një maturant 18-vjeçar mbështetës i LSI-së u dhunua nga eksponentë të Partisë Socialiste. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta e vlerësoi Lëvizjes Socialiste për Integrim si forca politike e cila i qëndron pranë qytetarëve, duke i mbështetur ato në çdo kohë ndryshe nga dy partitë e tjera të mëdha ku sipas Metës, vënë interesat dhe marrëveshjet e tyre mbi interesat e qytetarëve. “Ju falënderoj shumë për këtë përkrahje të jashtëzakonshme që ju na jepni këtu, për këtë konfirmim që LSI është forcë e parë edhe në Fushë Krujë dhe Krujë. Forcë e parë është forca e rinisë. Forca e parë dhe do ta shpëtojë rininë e Shqipërisë, të ardhmen e Shqipërisë nga karteli i drogës, krimit e koncesioneve”, tha Meta. Nuk la pa prekur edhe ngjarjen e Zharrzës, ku një i ri u dhunua. “Por më vjen keq që jam vetëm fizikisht sot në këto momente në Fushë Krujë, sepse mendjen, shpirtin dhe zemrën e kam te një 18-vjeçar, te një maturant në Zharrëz të Fierit. Te një 18-vjeçar që voton për herë të parë, të cilin një bandit që punon te Albpetroli, kryetar i Partisë Socialiste atje së bashku me 2 rilindës të tjerë të pabesë e kanë goditur me lopatë dhe me levë pse voton për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kjo nuk është rastësi, kjo është pjesë e një skenari ogurzi të kryetarit të Rilindjes, i cili pasi mori peng partinë historike, atë Socialiste, pasi tentoi me puçin për të bërë një reformë në drejtësi që ta kapte atë e ta bënte më keq se ç’bëri policinë e drogës që i vuri bojën Shqipërisë në gjithë Evropën dhe botën. Pasi dështoi të bënte zgjedhje pa opozitën duke u përpjekur të bëjë një puç tjetër”, vazhdoi Meta. Një pikë mjaft interesante e fjalës së Metës ishte edhe ironia që përdori për marrëveshjen. “Na mori, na korruptoi dhe na çnderoi Lulushin për ta përdorur atë jo për të garantuar zgjedhjet, por për ta përdorur atë kundër zgjedhjeve. Pas këtij mitingu, do nisem drejt Zharrëz dhe për Fier, për të takuar Orgest Grembin, këtë 18-vjeçar të plagosur nga falangat e Edi Ramës dhe askush tjetër dhe përgjegjësinë e ka ai dhe e ka personale. Është ai dhe vetëm ai përgjegjës për frymëzimin e dhunës, për direktivat që dëgjojmë çdo ditë, drejtuesve të Rilindjes që përdorin kriminelët, paratë e drogës, dhunën, të përdorin frikësimet ndaj gjithë atyre që votojnë për LSI-në apo për çdo forcë tjetër që nuk i pëlqen atij. Dua t’i them meqenëse nuk ka vënë mend akoma ose ngaqë nuk i ka dalë dopingu akoma, që t’i thërrasë mendjes përpara se të jetë shumë vonë. Nuk vë dot dorë ai mbi votën e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, as ai e as ai tjetri që u arratis në Greqi me fustan grash. E di mirë unë trimërinë e atyre burracakëve që bëjnë si të fortë vetëm kur kanë shefa policie dhe kryetarë bandash rreth vetes. Fati i Markosit të Filipineve dhe i Janukoviçit të Ukrainës do t’u duket lule”, shtoi ai. Meta tha se në këtë vend edhe, nëse ka rënë policia dhe prokuroria nuk mund të bjerë rinia. “Jo një mandat të preket, një votë të preket do t’ju jap fjalën e shqiptarit, të malësorit, të skraparlliut, nuk ka vrimë për Edi Ramën dhe për cilindo tjetër, nuk ka vrimë ku të fshihet. Nuk do të ketë vrimë për Haki Drogën dhe të gjithë ata shefa policie të inkriminuar në trafikun e drogës. Askush të mos guxojë të vërë dorë mbi njerëzit, të vërë dorë mbi votën e shqiptarëve, ata nuk kanë gjë më të shtrenjtë. Forcë e parë forcë e paparë!”, tha Ilir Meta. I ka dhënë edhe një mesazh Edi Ramës për 25 qershorin. “Ka ardhur ora që ta fillojmë Veting-un më 25 qershor me kreun e Rilindjes, e cila ishte vetëm një pabesi e pamëshirshme ndaj socialistëve dhe ndaj shqiptarëve. Fitorja është e padiskutueshme dhe e paprekshme. Betohem sot për dhimbjen e atij 18-vjeçari, atij maturanti se nuk do të ketë vrimë për Edi Ramën dhe gjithë ata që do të tentojnë të vënë dorë mbi zgjedhjet dhe për të gjithë ata që nxituan të thonë se Ilir Meta kërcënoi si Ivanovi, dua t’u them se unë nuk jam as Ivanovi, as Edi Rama, as Lulushi e as Sali Berisha. Për mua nuk ka gjë më të rëndësishme se sa fëmijët e të gjithë shqiptarëve”, u shpreh Meta.
Sigal