Ilir Meta/ LSI dhe strukturat e saj,faktor stabiliteti dhe mbështetëse të reformave të mëdha

497
Sigal

Ilir Meta: LSI, faktor
stabiliteti dhe mbështetëse e reformave të mëdha


 

Kryetari i Lëvizjes
Socialiste, Ilir Meta zhvilloi të dielën, një takim me strukturat në Korçë në
kuadër të zgjedhjeve për Kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim që do të
mbahen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë ditën e diel në 6
nëntor 2016. Gjatë bashkëbisedimit, Meta e cilësoi të rëndësishme garën për të
ardhmen e LSI-së, por edhe si një demonstrim i përgjegjshmërisë për të ardhmen
e vendit. Meta u shpreh se momenti i zgjedhjeve në LSI në këto 2-3 muaj është i
rëndësishëm edhe për të rishikuar të gjithë organizimin, veprimtarinë, për të
parë edhe programin politik dhe për të reflektuar edhe për shumë sfida me të
cilat është ndeshur qeverisja dhe me shumë shqetësime prej të cilave dëgjohen
nga qytetarët. Kryetari i LSI-së vlerësoi rolin që kjo forcë ka dhënë në
stabilitetin e vendit. “Natyrisht ne nuk jemi i vetmi aktor dhe faktor në vend.
Dhe skena politike ka dhe aktorë dhe faktorë të tjerë. Por jam i bindur që të
gjithë jemi krenarë që kemi dhënë shembullin e një politike pozitive,
bashkëpunuese, konstruktive, koherente, konkrete, të prekshme, e cila synon që
të ndryshojë gjithçka që i intereson vendit”, tha Meta. Duke u ndalur tek
reforma në drejtësi, Meta tha se kjo nismë është reforma më e rëndësishme dhe
më e madhe, e cila duhet të kthehet në një shpresë të madhe për të gjithë
qytetarët në vendin tonë, që Shqipëria do të jetë një shtet më i drejtë. “LSI u
dallua që në fillim për vazhdimësinë, për qartësi, për koherencë dhe për
konstruktivitet sepse në fakt kjo nuk ishte një kërkesë e LSI, ishte reflektim
i asaj që kërkonin shumica e shqiptarëve, një reformë në drejtësi”, tha Meta. Duke
nënvizuar se konfliktualiteti politik ka qenë e vetmja normë e politikës
shqiptare për një kohë të gjatë, Meta tha se konfliktualiteti ndan
artificialisht shoqërinë. “Unë besoj shumë se LSI do të vazhdojë të fuqizohet
edhe më tej si një faktor stabiliteti dhe bashkëpunimi në vendin tonë”, tha
Meta. Kryetari i LSI-së theksoi se Lëvizja Socialiste për Integrim është një
forcë konstruktive, ndërsa evidentoi edhe tre parime të rëndësishme. “E para
stabiliteti i vendit dhe stabiliteti i vendit ka të bëjë me legjitimitetin institucioneve,
dhe në radhë të parë me vetë funksionimin demokracisë, me zgjedhjet e lira dhe
gjithë institucionet që krijohen prej saj. Së dyti, është integrimi evropian i
vendit”, tha Meta duke shtuar se integrimi evropian duhet parë edhe si një
projekt reformash që në radhë të parë duhen bërë për shqiptarët dhe në interes
të tyre. Parimi i tretë të cilin theksoi Kreu i LSI-së janë marrëdhëniet e mira
dhe të ngushta me fqinjët, jo vetëm si një kusht për integrimin evropian, por
një kusht për paqen, për bashkëpunimin dhe për besueshmërinë ndërkombëtare të
vendit tonë. “Nuk mundet ne të përballojmë efektet dhe impaktet e procesit të
globalizimit si Shqipëri pa bashkëpunuar ngushtë me Maqedoninë, me Greqinë, me
Kosovën, me Malin e  Zi, por edhe me
gjithë vendet e tjera të këtij rajoni, pa krijuar imazhin e një rajoni të
stabilizuar, pa krijuar një hapësirë mundësisht të përbashkët, ekonomike, që ta
bëjë këtë rajon interesant dhe tërheqës për investitorët e rëndësishëm”, tha
Meta. Në vijim të fjalës së tij, z. Meta vlerësoi rolin e Lëvizjes Rinore për
Integrim dhe vlerat që ajo ka treguar gjatë gjithë kësaj kohe. “Objektivi im
është që LSI-ja në gjithë Shqipërinë të bëhet nesër siç është LRI-ja sot. Sepse
në fakt, LSI-ja e vërtetë është LRI-ja që është sot”, tha Meta. Kryetari i
LSI-së u shpreh se LSI ka për detyrë dhe për mision që t’i shërbejë interesit
të gjerë publik dhe të përfshijë të gjithë ata të cilët duan një Shqipëri
pozitive, një Shqipëri që i jep qetësi, që u jep të ardhme, por natyrisht që u
jep edhe punë edhe siguri. “Të privilegjuarit nuk kanë nevojë për LSI-në dhe
LSI nuk mund të kthehet kurrë në një strehë për të privilegjuarit. LSI ka për
detyrë dhe ka për mision t’i shërbejë interesit të gjerë publik dhe të
ndihmojmë për të zgjeruar dhe konsoliduar një shtresë të mesme në vend si
faktor të rëndësishëm të stabilitetit social, sepse ekuilibri social është
shtylla kurrizore e një sistemit të tërë demokratik”, tha Meta. Duke theksuar
se çdo vend me një polarizim të fortë social dhe ekonomik, nuk është një vend
aq demokratik sa mund të quhet, Meta theksoi se rritja ekonomike është e
rëndësishme të përmirësohet akoma më tej.