Ilir Meta: “LRI-ja, një shembull pozitiv për të gjithë politikën”

636
Sigal

Lëvizja Rinore për Integrim starton Akademinë Verore për Politikën në bregdetin e Jalës

Lëvizja Rinore për Integrim ka organizuar për të pestin vit radhazi një aktivitet në bregdetin e bukur të Jalës në Vlorë. I pranishëm në këtë kamping do të jetë edhe Lideri i LSI-së, z. Ilir Meta. Nuk bëhet fjalë thjesht për disa ditë pushime në fakt, pasi drejtuesit e LRI-së kanë përpiluar një program tejet të detajuar dhe të mbushur me aktivitete të ndryshme si seminare, trajnime, debate e ku do të marrin pjesë emrat më të spikatur në nivele drejtuese të LSI-së.  Madje, të pranishëm në këtë kamping ishte i pranishëm  edhe Ambasadori e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, z. Alexander Arvizu si edhe ai i Bashkimit Evropian, z. Ettore Sequi. Sigurisht, axhenda është ndërtuar në një mënyrë të tillë që të rinjtë të kenë edhe hapësira për t’u argëtuar mes njërit aktivitet dhe tjetrit.

Ilir Meta: “Me Kejdin në Kuvend, ju jeni të përfaqësuar”

Jam tepër krenar për të gjithë ju dhe për të gjithë të rinjtë dhe të rejat e LRI-së në të gjithë vendin, sepse ne kemi një LRI të mrekullueshme dhe të jashtëzakonshme dhe unë si kryetari i LSI-së, por besoj se edhe të gjithë drejtuesit e tjerë të LSI-së, u janë shumë mirënjohës në radhë të parë juve dhe të gjithë bashkëmoshatarëve tuaj për atë punë, për atë angazhim dhe për atë shpirt fitoreje që keni treguar për 23 qershorin, u shpreh Kryetari i LSI-së. E kam të vështirë të falënderoj më shumë LRI-në e këtij qarku apo të atij qarku, sepse ju keni qenë të mrekullueshëm kudo në të gjithë vendin dhe ne kemi arritur të kemi një përfaqësim të shkëlqyer në nivel kombëtar. Të rinjtë, për shkak të ëndrrave të tyre, për shkak të energjisë së pashtershme, i kanë të gjitha mundësitë për të qenë shtysa më e fuqishme edhe në të ardhmen. Unë jam i sigurt se, kur të flasë Kejdi në Kuvend, të gjithë ju do të ndiheni krenarë dhe do të ndiheni të përfaqësuar, sepse Kuvendi ka nevojë për zërin e të rinjve dhe të rejave dhe kjo do të jetë një gjë shumë e mirë. Sepse për herë të parë në Kuvend do të hyjë dikush, që ka lindur pas dhjetorit ‘90-it.

 Kreshnik Çollaku, zv/ministër i Jashtëm: “E pazakonta që ambasadori Arvizu krahason të pakrahasueshmet me të …krahasueshmet”

I çuditur nga komenti i ambasadorit Arvizu, sot (dje) nga Jala. Kaq vite në Shqipëri duhet t’i kishin mjaftuar për të kuptuar ndryshimin mes zgjedhjeve të 1992 dhe atyre të 2013. Të parat përmbysën regjimin stalinist të PPSH, një ndër egërsirat më atavike të Europës. Në 92 ish kolegu i tij Rajerson, në tribunë të partisë së parë të pluralizmit dhe fituese të atyre zgjedhjeve mbante dy gishtat lart, duke premtuar se nga ai moment Shqipëria do ishte pjesë e demokracive perëndimore. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ecën e sigurt drejt anëtarësimit në BE. Në zgjedhjet e 2013, ka ndodhur një rotacion politik, i cili do ishte normal, nëse nuk do kishte ndodhur nëpërmjet blerjes masive të votave me para nga burime të pista e të errëta. Të krahasosh dy ngjarjet është naive dhe provokuese ndaj historisë së vendit. Asgjë e pazakonte nuk ka ndodhur në 2013, përveçse një proces normal alternimi politik. E pazakonta sot është se ambasadori me mandat të mbaruar Arvizu, duke u ngrohur në rrezet e diellit të Jalës me Ilir Metën, (për të cilin u mundua aq shumë ta bllokonte pjesëmarrjen në qeverinë e shkuar dhe e shokonin vendimet e gjykatave që e shpallnin të pafajshëm)…krahason të pakrahasueshmet. Por, siç i thonë këtej nga ne, me gushtin ikën dhe vapa, e mesa duket do ikë dhe historia mosrespektimit të vërtetave historike dhe e ambasadorëve tifozë.

 Ambasadori i SHBA-ve, Alexander Arvizu: “Përgjigjuni sfidave, që vendi të ketë sukses”

 Ambasadori i SHBA-ve, Alexander Arvizu ka përshëndetur shkurtimisht të rinjtë e LRI-së dhe i ka përgëzuar për punën e mirë që kanë bërë në zgjedhjet e 23 Qershorit. “Dua t’ju përgëzoj të gjithëve për një performancë të jashtëzakonshme gjatë zgjedhjeve. Dhe duket qartë se çfarë organizimi është dashur për të krijuar këtë natë sot. Ky është një shembull shumë i mirë i dedikimit dhe i punës së palodhur që keni bërë ju të gjithë gjatë kësaj fushate. Dhe siç e thatë edhe ju, është një festë e madhe, ka arsye për të festuar, por është gjithashtu një detyrë e madhe. Dhe në qoftë se ju i përgjigjeni sfidave që ka vendi me të njëjtin pozitivitet, me të njëjtin seriozitet atëherë ju do të keni sukses. Dhe gjëja e fundit, kur shikoj energjinë që projektohet nga gjysma e njerëzimit, pra njerëz si Klajda, si Erisa, si Kejdi, të gjitha vajzat, kjo tregon vizionin që ju keni për të ardhmen”, – tha Ambasadori i SHBA-ve, Arvizu.

 Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi: “Kontribuoni për një Europë më të mirë”

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi dha një mesazh për të rinjtë e të rejat e LRI-së. Ai theksoi se shpreson dhe beson se me energjinë e treguar, të rinjtë dhe të rejat do të jenë në gjendje që të kontribuojnë për ndërtimin e një Evrope më të mirë. “Jam shumë i kënaqur dhe i prekur që ndodhem mes jush. Unë e pashë energjinë pozitive tek ju, tek mënyra sesi e organizuat këtë kamp. Jam i sigurt që këtë energji ju do ta përdorni edhe për të ndërtuar vendin sepse në fund të fundit ju jeni lidershipi që do të udhëhiqni të ardhmen e këtij vendi. Jam shumë i gëzuar që do të flasim për BE. Integrimi në Evropë ka të bëjë shumë me transformimin. Kam shumë shpresë dhe besim që me këtë energji që ne shohim, ju do të jeni në gjendje që të kontribuoni për ndërtimin e një Evropë më të mirë. Mua më pëlqejnë shumë të rinjtë shqiptarë për këtë energji që ata zotërojnë. Jam plotësisht i bindur se Evropa ka nevojë për një injeksion të kësaj energjie pozitive. Jam i sigurt që ju do të jeni një kontribut i madh në këtë drejtim sepse ne kemi nevojë për energjinë tuaj”, deklaroi diplomati i Bashkimit Evropian.

Çim Peka: “22 Marsi ndryshon nga 23 Qershori, zoti Arvizu

 Çim Peka, drejtues i emisionit “FAKT” në “ UTV NEËS”  ka replikuar në distancë, nëpërmjet rrjetit social, ndaj deklaratës së ambasadorit amerikan Arvizu, për frazën “Zgjedhjet e 23 Qershorit ishin historike, si ato të 22 Marsit”, duke i kujtuar ambasadorit Arvizu, edhe esencën e dallimit. Çim Peka shkruan: “Pasi dështoi të ndalonte prerjen e katër-pesë pemëve për zgjerimin e rrugës së Elbasanit (ku prerja e tyre ishte cenim i institucioneve demokratike, sipas tij), pasi dështoi t’u mbushte mendjen tre gjyqtarëve të burgosnin Ilir Metën, sot në krah të këtij të fundit dhe, i frymëzuar nga anëtarët e LRI-së, ish-ambasadori që tregohet i vëmendshëm edhe kur gazetarë të ndryshme janë shtatzënë dhe nuk humbet rastin t’i uroj i pari kur ato lindin, të respektojë gjysmën e këngëtarëve tallava të Tiranës, sot pohoi: “Zgjedhjet e 23 Qershorit ishin historike si ato të 22 Marsit”. Kujtojmë që ato të 22 Marsit rrëzuan regjimin e Enver Hoxhës. Me humbjen e zgjedhjeve (historike sipas Arvizu), Berisha dha dorëheqjen nga çdo funksion politik. SHBA-të nxituan ta falënderojnë për përkushtimin ndaj ndërtimit të demokracisë dhe ndërtimin e marrëdhënieve të shkëlqyera SHBA-Shqipëri. Prandaj, ish-ambasadori Arvizu duhet të pyesë ish-ambasadorin Rajerson, pse SHBA-të nuk falënderuan Ramiz Alinë, kur dha dorëheqjen pas 22 Marsit, për të kuptuar se cilat ishin zgjedhjet historike?”