Ilir Meta: Kush pi doping mendon se është i fortë, Edi Rama do jetë pasagjer në autobusin e LSI-së

456
Tashmë duket se gjuha politike mes Edi Ramës dhe Ilir metës ka arritur në kulmet e saj. Nga Berati ku ishte për të përshëndetur mbështetësit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i është kundërpërgjigjur akuzave të kryeministrit Edi Rama. Meta hodhi poshtë akuzën e Ramës se LSI kishte larguar nga puna gratë e Partisë Socialiste. Ai akuzoi Ramën duke thënë se ishte ai që largoi gratë dhe i zëvendësoi me njerëz me probleme me drejtësinë. Meta hodhi akuza edhe në drejtim të kryesuesit të listës së PS në qarkun e Beratit, Blendi Klosi, duke e quajtur kumarxhi që shoqërohet me kriminelë. “Kush i hoqi ato gra për të çuar në parlament njerëz me probleme që i hapën Shqipërisë një njollë të zezë. Nuk i hoqi LSI-ja. Ish-bashkëkryetari im zgjodhi vendin më të gabuar, Beratin për të hapur luftë në LSI, me inskenime dhe shpifje nga më të papranueshmet. Ka 2-3 muaj që në krye të grupit të punës ka ardhur një kumarxhi që rri me kriminelë dhe përdor policinë e Beratit të lidhur me kanabisin”, u shpreh Meta. Por nuk ishin të pakta edhe ato që Meta tha për kryeministrin Edi Rama.“Kush pi doping mendon se është më i fortë, por zgjedhjet do tregojnë tjetër rezultat”, tha Meta. “Rama do jetë pasagjer i autobusit të LSI”. Presidenti i ardhshëm tha gjithashtu se LSI do dalë forcë e parë në 25 qershor, ndërsa ironizoi me Ramën kur tha se do jetë pasagjer i autobusit të LSI-së. “Ramës jepini shansin të jetë pasagjer i autobusit që do drejtojë LSI”. “Që të jesh timonier duhet të kesh aftësi të ndryshme. Duhet të dish të frenosh. Sa për akuzat e timonit, ai ka pasur Nikon aty. Nëse ia ka lëvizur njeri timonin të merret me Niko Peleshin jo me ne”, – vijoi Meta.
Sigal