Ilir Meta: Kam vendosur të heq dorë që sot nga drejtimi i LSI

455
Ai u zgjodh dje Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë, por sot në një konferencë për shtyp bën një lëvizje të papritur dhe deklaron se heq dorë nga drejtimi i partisë.
Meta tha se të gjitha kompetencat ia ka lënë zëvendësuesit të tij, Petrit Vasilit, pasi të përfundojë edhe listën e kandidatëve për deputetë të LSI-së.

“Edhe pse mund të vijoj të jem kryetar i LSI-së deri më 23 korrik kam vendosur që sot në mbrëmje, pas përfundimt të listave të kandidatëve, për deputet nga kryesia e LSI-së, të heq dorë nga ky funksion dhe nga të gjitha funksionet drejtuese të LSI-së. Kështu në listen e partive që do të publikohen nga KQZ për qytetarët shqiptarë në krah të LSI-së nuk do te jetë emri i Ilir Metës, por do jetë emri i Petrit Vasilit, si zv/kryetar dhe që sipas statutit merr drejtimin e kësaj force politike për të cilin, do shprehet dhe Komiteti Drejtues i LSI-së dhe me votim edhe Konventa Kombetare, brenda javës së ardhshme”, deklaroi Meta nga Kryesia e Kuvendit.

Ai përsëriti gatishmërinë e tij për arritjen e një marrëveshje me opozitën, duke u takuar, madje që nga nesër, me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.
Në fillim të deklaratës së tij, Meta falenderoi të gjithë deputetët e Kuvendit që e votuan si president. Po ashtu i drejtoi falenderim dhe opozitës për bashkëpunimin gjatë periudhës që ai ka qene në krye të Kuvendit. “E mirëkuptoj për mungesën e pjesëmarrjes”, shtoi ai, ndërsa shtoi se “kjo gjë që nuk do të ndikojë aspak tek unë në të ardhmen, por do të më motivojë për të forcuar bashkëpunimin me opozitën në vend, në interes të dialogut politik dhe përmirësimit të funksionimit të institucioneve”.
Sigal